Tafaj: Doktoraturat dhe masterat vetëm në anglisht

Nov 15, 2011 | 8:40

Anglishtja do të jetë provim i detyrueshëm për maturantët në vitin 2013.

Po kështu, masterat dhe doktoraturat do të zhvillohen edhe në këtë gjuhë. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, deklaroi dje se nxitja e mësimit të anglishtes është një nga prioritetet më madhore në politikat arsimore. “Në vitin 2013 krijohen plotësisht kushtet që gjuha e huaj e parë të jetë një provim i detyruar i maturës. Zotërimi i mirë i gjuhës së huaj në përfundim të arsimit të mesëm është premisë bazë për rritjen e cilësisë dhe në mënyrë të veçantë për internacionalizimin e studimeve universitare të nivelit ‘Master’ dhe ‘Doktoratë’ në universitetet tona”, tha ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë takimit me të rinjtë e Liceut Artistik, të cilët kanë zhvilluar testin e TOEFL, një projekt i mbështetur nga Ambasada Amerikane. Kjo iniciativë e Ministrisë së Arsimit vjen ne vazhdën e urdhrave për studentët, që duhet të mbrojnë gjuhën angleze për të përfunduar studimet Master. Nxitja e mësimit të anglishtes nuk është vetëm një objektiv i qeverisë shqiptare. Ambasadori amerikan, Aleksander Arvizu, theksoi se Shqipëria është një vend që ka ecur shumë gjatë këtyre 20 viteve. “Ajo që është e rëndësishme, është që të rinjtë t’ia dalin mbanë nga ana akademike. Asnjë vend që unë njoh, nuk ka lëvizur gjatë 20 viteve të fundit dhe të ketë shkuar më larg se Shqipëria. Dhe kur e them këtë ia atribuoj punës, inteligjencës dhe frymës suaj luftarake për t’ia dalë mbanë, edhe pse Shqipëria e ka nisur shumë prapa në krahasim me vendet e tjera. Ky vend të ecë përpara, është e rëndësishme të ecë në këtë vazhdë. Është e rëndësishme që ju të jeni më mirë se studentët e tjerë, kur vjen puna për gjuhën angleze”, tha Arvizu. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili vlerësoi rëndësinë e gjuhës angleze dhe mundësive që u jep ajo të rinjve. Ne përfundim te aktivitetit të rinjve u janë shpërndarë certifikata për marrjen e pikëve maksimale në provim. Ministri i Arsimit në disa prej deklaratave të mëparshme kishte përcaktuar vitin që vjen për të futur anglishten si provim i detyruar. Por, pas konsultimit me ekspertët, ky premtim u shty edhe një vit. Gjuha angleze jepet sot si lëndë me zgjedhje dhe ka koeficientin më të lartë për t’u pranuar në shkollat e larta. Nga ana tjetër, ajo mbetet mjaft e kërkuar nga vetë nxënësit. Vitin që vjen maturantët do të kenë 5 provime të detyruara dhe 26 lëndë me zgjedhje. Për herë të parë për gjimnazistët do të aplikohet edhe vlerësimi me kredite.

Testet e anglishtes
Testet që njihen ndërkombëtarisht:
. Cambridge ESOL (University of Cambridge Examinations)
. IELTS (International English Language Testing system)
. TOEFL (Test of English as a Foreign Language);
. TOEIC (Test of English for International Communication);
. Michigan–Test; PTE General (Pearson Test of English General)
Zirina Llambro

© Panorama.al

Te lidhura