Tadic vë në pikëpyetje dialogun: Rezoluta 1244

Dec 21, 2011 | 12:32

Kryetari i Serbisë  Boris Tadic ka deklaruar se presionet kundër Serbisë për Kosovën nuk mund të jenë me efekt, sepse Beogradi nuk do të heqë dorë nga parimet e veta dhe para së gjithash insistimi në Rezolutën 1244.

“Presionet që dikush në Evropë po planifikon t’i bëjë kundër Beogradit dhe ndaj meje munden vetëm të kenë efekt të kundërt dhe nuk mund t’i kontribuojnë asgjësë, dhe këtë ua kam thënë bashkëbiseduesve të mi edhe kryetarit të BE Herman Van Rompuy”, ka thënë Tadic.

Kryetari serb ka theksuar se nuk ka presion që do të mund ta shtynte të hiqte dorë nga ajo rezolutë sepse ajo, si ka thënë ai, jo vetëm që është akti i fundit ndërkombëtar që garanton mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe obligon për kthim të të shpërngulurve por edhe i vetmi dokument nga i cili mund të dalin zgjidhje të ardhshme.

“Rezoluta 1244 është dokument nga i cili mund të dalë marrëveshja, një dokument tjetër që do të rregullonte çështjen të cilën po përpiqen  ta rregullojnë të gjithë, para së gjithash atë në veri dhe i cili i jep garanci për serbët në, siç i ka quajtur ai, komunat jugore dhe i cili të sigurojë garanci për kishat, trashëgiminë kulturore dhe pasurinë”, ka thënë Tadic.

Ai ka theksuar se Serbia nuk është shtet që do të heqë dorë nga dokument ndërkombëtar i cili, sipas tij, është baza e vetme që të mbrohen interesat legjitime dhe interesat themelore të popullit serb në Kosovë.

“Ne jemi më shumë sesa partner i qartë dhe i parashikueshëm dhe nuk kemi kurrfarë sekreti; kemi thënë qartë se nuk do të heqim dorë nga Rezoluta 1244 në përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale”, ka thënë  Tadic dhe ka shtuar se shtrohet pyetja nëse bisedimet me Kosovën do të vazhdojnë fare marrë para sysh pozitat fillestare lidhur me përfaqësimin rajonal.

© Panorama.al

Te lidhura