
Presidenti serb, Boris Tadiç, deklaroi se Serbia nuk mund të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian pa mbështetjen e Gjermanisë, që është “motori” i zgjerimit të BE-së. Sipas tij, pengesa më e madhe në rrugën për statusin kandidat, ishte kërkesa që Serbia të heqë dorë nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit. “Serbia nuk ka hequr dorë nga rezoluta, sepse ky ishte akt detyrues i OKB-së që përcakton integritetin e Serbisë në Kosovë dhe në bazë të së cilës është e mundur të gjendet një zgjedhje e qëndrueshme”, tha Tadiç. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç tha, se Serbia mund të mos e marrë statusin kandidat as në mars.
© Panorama.al“Në përputhje me planin ‘Ahtisari’”
Britania mbështet planin e Tadiçit, me kushte
Britania e Madhe ka mbështetur përfshirjen në bisedimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, të planit me katër pika të Presidentit serb, Boris Tadiç, nëse Serbia paraprakisht heq barrikadat në Veri të Kosovës, zbaton marrëveshjet e arritura në dialogun teknik dhe i shuan strukturat e veta paralele në Kosovë. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, tha në një intervistë për të përditshmen kosovare, “Koha Ditore”, se të katër pikat e propozuara nga Presidenti i Serbisë janë të njëjta me dispozitat e Planit të Ahtisarit, prandaj Londra zyrtare nuk do ta kundërshtonte diskutimin e tyre. Tadiç është shprehur më parë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të zgjidhen, nëse nëpërmjet një dialogu trajtohen katër çështje: një zgjidhje të veçantë për manastiret ortodokse serbe dhe administratën e tyre, garanci të veçantë për serbët në enklava, zgjidhjen e çështjes së pronave të qytetarëve serbë të Kosovës dhe një zgjidhje speciale për Veriun e Kosovës. Fillimisht ka qenë ambasadori britanik në Beograd ai që ka dalë në mbështetje të planit. Por edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, e mbështeti idenë. Një ditë më parë, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, kur po fliste për programin e vitit 2012, deklaroi se Kosova do të mbetet prioritet i qeverisë serbe, e cila në këtë drejtim do të bazohet pikërisht në planin në fjalë. Presidenti serb kur prezantoi planin 4-pikësh, paralajmëroi se për zbatimin e tij Serbia do të kërkojë mbështetjen e fuqive të mëdha që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Britania është një nga vendet e para, që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës.











