Sot, Presidenti serb, Boris Tadiç, do të vizitojë Kosovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse, një vizitë që po realizohet me lejen e qeverisë kosovare, edhe pse tërthorazi. Ekzekutivi kosovar tha se ka pasur kërkesë për lejimin e tij, që të qëndrojë në Pejë e Deçan më 6 dhe 7 janar, pasi vizita ka karakter fetar. “Tadiç ka kërkuar leje nga zyra e BE-së në Beograd, ajo leje është dërguar në zyrën e BE-së në Prishtinë, e më pas zyra e ka dërguar në qeveri. Qeveria i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, pasi është interesuar, dhe se vizita ka karakter fetar”, tha dje zv.kryeministri Hajredin Kuçi, duke shtuar se “kemi marrë garanci ndërkombëtare se Tadiçi nuk do ta përdorë vizitën për çështje politike”. Eksperiencat e mëparshme të vizitës së Tadiçit, i cili pothuajse gjithmonë ka qenë i shoqëruar nga ministri serb për Kosovën gjatë vizitave të tij në Republikën e re, kanë treguar se Tadiç ka përcjellë mesazhe politike, si “Kosova është zemra e Serbisë”, apo “Ne nuk do ta pranojmë kurrë pavarësinë e Kosovës” etj. Sidoqoftë, gjatë vizitës Tadiç do të shoqërohet edhe nga policia e Kosovës, e cila ka vendosur ta mbajë sekret itinerarin e tij. Policia e Kosovës është e njoftuar dhe ka përgatitur planin për të ofruar siguri për ardhjen e presidentit serb, Boris Tadiç, në Kosovë, por nuk kanë dhënë asnjë informacion më shumë për axhendën dhe kohën e ardhjes së tij në Kosovë, për “shkaqe të sigurisë”. Nuk është dhënë ndonjë informacion as për numrin e zyrtarëve policorë që do të angazhohen për të ofruar siguri, por pritet të jenë shumë. Edhe vitin e kaluar Tadiç e realizoi një vizitë të tillë në Kosovë, e cila u pasua me disa paqartësi deklaratash nëse u ishte marrë leje apo jo autoriteteve kosovare për shkeljen e një Presidenti të një vendi tjetër në tokën e tyre.











