DECAN- Presidenti serb Boris Tadic edhe sot në Deçan ka vazhduar me deklarata thellësisht politike. Ai, siç njoftojnë media të Beogradit, pas gjoja mesazhit të paqes drejtuar edhe shqiptarëve, ka thënë: “Këtu, në Deçan, mendoj se asgjë më tepër nuk mund të thuhet për shkak se ky manastir edhe është vend i shenjtë jo vetëm për popullin tonë, por për të gjithë njerëzit që e vizitojnë Kosovën tonë, vendin tonë. Kjo është hapësira e jonë përbashkët evropiane”.
Tadic ka ripërsëritur se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në pyetjen e gazetarëve se a do ta njohë ndonjëherë pavarësinë e Kosovës, ka thënë se përgjigjja e tij është e shkurtër dhe e ditur:
“Ju e dini përgjigjen time. Ajo është e shkurtër dhe e qartë –kurrë”. Në liturgjinë e mbrëmshme në Manastirin e Deçanit kanë marrë pjesë edhe komandanti i KFOR-it Erhard Drews, shefi i EULEX-it Xavier Bout de Marnhac, përfaqësuesi i BE në Kosovë Ferdinando Gentilini si dhe përfaqësuesit e korit diplomatik, në mesin e cilëve edhe ambasadori amerikan Christopher Dell.
Institucionet serbe do të mbeten në veri
Kryetari serb Boris Tadic, përkundër garancive të autoriteteve shtetërore të Kosovës, në Natën e Krishtlindjeve Ortodokse, edhe mbrëmë në Deçan, si gjithnjë deri më tani, vizitën “fetare” e shndërroi në vizitë të qartë politike, duke i shkelur kështu normat elementare edhe të mysafirit të paftuar. Në mesnatë, kryetari serb ka bërë një deklaratë tipike politike madje edhe kërcënuese. Ai theksoi se kurrë nuk do t’i largojë institucionet paralele të Serbisë në Kosovë.
“Ne nuk do të pranojmë të largojmë institucionet tona. Kjo është e pamundur. Nëse do të bënim këtë do të pranonim që në plan afatgjatë të kishte zhvendosje të serbëve nga Kosova dhe në të njëjtën kohë do të thoshte se serbët nuk do të kishin as shkolla, as shërbim shëndetësor e social si dhe të tjera nevoja shoqërore”, ka thënë Boris Tadic nga Deçani për TV Mostin e Zveçanit.
Sipas tij, shumë shtete të fuqishme, anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së po i bëjnë presion Serbisë që të heq institucionet nga Kosova, por kjo nuk do të ndodhë.
Boris Tadic dhe suita e tij politike Deçan është pritur me gurë dhe me protesta. (Koha Ditore)
© Panorama.al











