Tadiç hyn në Deçan mes gurëve të Vetëvendosjes

Jan 7, 2012 | 12:30

Nga protestat dje në Deçan

Presidenti serb pret Krishtlindjet në Kosovë, masa të forta sigurie.

E kishte programuar të hynte në Manastirin e Deçanit në orën 14:30, por pas bllokimeve të rrugës dhe goditjeve me gurë nga aktivistët e Vetëvendosjes dhe qytetarë të tjerë, Tadiç hyri në manastirin ortodoks të Kosovës rreth katër orë më vonë. Edhe këtë vit kishte vendosur të festonte Krishtlindjet ortodokse në Kosovë, a thua se manastiret në Serbi nuk kanë vend për të, ambasadorin rus, apo “besimtarë” të tjerë që mbërrijnë çdo vit nga Serbia në tokën kosovare. Këtë vit e pati edhe më të vështirë, dhe kalimi i eskortës së tij e makinave të tjera me targa serbe, që  ishte bllokuar gjatë gjithë ditës prej protestuesve kosovarë, u mundësua vetëm pas ndërhyrjes së forcave speciale të policisë kosovare. Kufiri i Kosovës ishte blinduar gjatë gjithë ditës nga forcat e shumta të KFOR-it. Por Vetëvendosja nuk u ndal për vizitën me pretekst fetar të Presidentit serb, fillimisht aktivistët bllokuan rrugën Prishtinë-Merdarë dhe më pas atë Besianë-Prishtinë. Me organizim të Lëvizjes së Lirë Qytetare, qindra qytetarë kanë protestuar të premten në qendër të qytetit të Pejës, duke e kundërshtuar vizitën e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç. Ata mbanin në duar mbishkrimet “Tadiç ik nga Kosova”, “Patrikana është e Pejës”, “Shqipëria natyrale–realitet” dhe “Protesta është qytetërim”. Në rrugën drejt Manastirit të Deçanit, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Mbrëmë Tadiç qëndroi në Deçan, ndërsa sot pritet të vizitojë Pejën. Presidenti serb ka kaluar nga pika kufitare e Medarës dhe që aty thuhet se ka udhëtuar me helikopterin NATO-s, për arsye sigurie. Gjatë ditës në Veri, në zonat e banuara nga serbët, janë dëgjuar të shtëna provokuese që kanë shqetësuar banorët shqiptarë të zonës. Protestat kundër vizitës së Tadiçit janë mbajtur nga qindra banorë të Kosovës si në Zveçan, ashtu edhe në Pejë, edhe në mbrëmje. “Kam ardhur të tregoj, si në Patrikanën e Pejës, ashtu edhe në Deçan, Prizren e Zoçisht, se mendojmë për të gjithë në Kosovë e Metohije në kohë shumë të vështira dhe rrethana komplekse. Mesazh paqeje iu dërgoj edhe njerëzve të besimeve të tjera, duke iu dëshiruar që të lidhemi duke mos hequr dorë nga identiteti ynë, vlerat, kisha jonë dhe besimet, pikërisht duke besuar në paqe. Ky është mesazhi im kyç në natën e kërshëndellave këtu buzë mbretit Stefan Deçanski dhe Deçanit”, tha Tadiç.

Ambasadori rus
Ambasadori i Rusisë, Àleksandër Konuzin dhe peshkopi i Lipjnait Jovan, të cilët ishin zyrtarët e tjerë të lartë që do të ishin bashkë me Tadiçin në Kosovë për Krishtlindjet ortodokse, për shkak të bllokadës nga protestuesit shqiptarë kundër vizitës së Tadiçit, nuk munden të shkojnë në Manastirin e Deçanit. Ata kanë ndërruar plan dhe shkuan në Patrikanën e Pejës. Sipas RTS, në bllokadën e shqiptarëve ishte ndaluar për gjysmë ore një autobus me “besimtarë serbë”. Bllokada u lirua nga forcat speciale, ROSU.

Vetëvendosja
Gjashtë aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosja” u arrestuan dje nga policia e Kosovës ndërsa po udhëtonin për në Merdarë e më pas u liruan. Ata po organizonin bllokimin e rrugës nga ku do të kalonte Presidenti serb për në manastiret kosovare, por nuk u lejuan nga policia e Kosovës. Sipas Vetëvendosjes, ndaj aktivistëve të arrestuar është ushtruar dhunë. Por policia e Kosovës e ka mohuar këtë variant dhe ka deklaruar se tashmë aktivistët janë liruar.

© Panorama.al

Te lidhura