Tabaku fton biznesin britanik për investime në TR

Jan 25, 2012 | 17:07
Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Jorida Tabaku

TIRANE- Bashkia e Tiranës ka ftuar sot biznesin britanik që të bëhet pjesë e projekteve strategjike të saj.

Zgjatimi i bulevardit kryesor të Tiranës, ndërtimi i Terminalit të ri të pasagjerëve, reabilitimi i Lumit të Tiranës deri në zonën e liqenit të Paskuqanit, ndërtimi i terminalit multimodal, ishin disa nga projektet ku nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku vuri theksin dhe ftoi biznesmenët për investime.

E ftuar në Forumin Ekonomik Britani-Shqipëri, Tabaku theksoi se me miratimin e Planit të ri Urbanistik, do të hapet rruga për mjaft investime për të cilat do të kërkohet edhe nevoja e bashkëpunimit me sektorin privat.

“Një investim strategjik do të jetë edhe Tramvai dhe ne vërtet e kemi mjaft përzemër këtë projekt. Parashikohet që të jetë një rrjet deri në 70 kilometra i shtrirë nga zona Kombinat deri në Kinostudio, nga Universiteti tek Terminali i ri i pasagjerëve. Ndaj bizneset britanike janë të ftuara të marrin pjesë në këto projekte të Bashkisë së Tiranës”, tha Tabaku.

Duke folur për politikat fiskale të bashkisë, Tabaku shtoi se, krahas uljes së taksave për të krijuar mjedisin më miqësor për të investuar, do të krijohet edhe qendra “one stop shop” në mënyrë që çdo shërbim në Bashkinë e Tiranës, biznesi ta marrë vetëm me një ndalesë.

© Panorama.al

Te lidhura