T’ia hedhësh paq!

Jan 9, 2012 | 10:15

MIMOZA KOÇIU

Kalimi i afateve të marrjes së masës së ndëshkimit për kundërvajtje administrative ka detyruar KQZ-në të heqë dorë nga gjobat për 53 partitë politike që nuk respektuan kriterin e barazisë gjinore në zgjedhjet lokale të 8 majit 2011. ”Ky ishte lajmi që u përcoll në disa medie të enjten e kaluar, me hapësirën dhe raportimin e një statistike më se të zakonshme. Pjesa tjetër e lajmit ishte se detyrimi i 53 partive ishte 720 milionë lekë e midis tyre shkëlqenin si kundërvajtëse Partia Socialiste e Shqipërisë me 7 260 000 lekë dhe Partia Demokratike me 4 590 000 lekë, pra dy partitë më të mëdha në vend, të cilat, kur hartuan bashkërisht Kodin Zgjedhor, ranë dakord që mosrespektimi i kuotës zgjinore (një në tre emra në listë duhet t’i përkasë gjinisë tjetër), dënohet nga KQZ me një gjobë prej 30 000 lekësh për çdo zonë zgjedhore ku konstatohet kjo shkelje.
Por duket se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka “harruar” se ligji “Për kundërvajtjet administrative”, kërkon që kjo masë të merret brenda 6 muajve nga konstatimi e kryerja e shkeljes ligjore. Kështu që masat për gjobë, që u janë paraqitur 53 partive politike nga KQZ në javën e parë të dhjetorit të kaluar, kanë qenë përtej çdo afati dhe kjo gjë i është evidentuar me shumë zell KQZ-së nga juristët e partive politike, duke e shndërruar atë vendim të institucionit të ngarkuar me mbarëvajtjen e zgjedhjeve në vend në një copë letër pa vlerë.
Nuk është synim i këtij shkrimi të shqyrtojë aftësitë administrative e ligjore të KQZ-së në përmbushje të detyrës së vet, sepse më këtë mund të merret fare mirë organi që mbikëqyr punën e këtij institucioni, Kuvendi i Shqipërisë, por është evidentimi i kësaj ngjarjeje si një lajm i keq e dekurajues për të gjitha zonjat e angazhuara politikisht e jo vetëm. Një lajm akoma më i keq është mungesa e reagimit qytetar, së pari nga përfaqësueset e kësaj gjinie, që nga shoqatat e mediat, të cilat dominohen në fakt nga zonjat, e deri tek politikëbërja. Kemi 23 zonja të nderuara në Kuvendin e Shqipërisë, numri i të cilave është rritur në zgjedhjet e fundit parlamentare, pikërisht për shkak të futjes së kriterit gjinor në Kodin e ri Zgjedhor. Pavarësisht se ai kriter nuk u respektua, as në zgjedhjet parlamentare e as në zgjedhjet lokale, janë me mijëra zonja në mbarë vendin, që përpiqen e vazhdojnë të luftojnë për të arritur përmbushjen e këtij kriteri dhe zëri i tyre i parë duhet të jenë 23 zonjat deputete të Kuvendit të Shqipërisë.
Prej tre vjetësh kam pasur fatin të punoj në një projekt kombëtar të OSBE mbi rritjen e rolit të gruas në vendimmarrje, që synon sensibilizimin e rrjetëzimin e grave nga niveli lokal e rajonal në nivel kombëtar, duke ngritur një platformë kombëtare me propozime konkrete. Në këta tre vjet kam njohur në qytete të ndryshme zonja sa të zhgënjyera e të pashpërblyera nga partitë politike, pavarësisht impenjimit të fortë personal e profesional, aq edhe të vendosura për të mos u dorëzuar, por për të vazhduar këtë përpjekje, edhe pse me hapa të vegjël. Ashtu siç kam parë, edhe zonja që ia kanë dalë mbanë në zgjedhjet lokale, në sajë edhe të mbështetjes e sensibilizimit brenda gjinisë, si një punë në ekip, që duhet të vazhdojë, për të garantuar sukses për më shumë zonja në të ardhmen në vendimmarrje. Në propozimet e platformës kombëtare, që u është paraqitur partive politike dhe komisionit parlamentar të ngritur për reformën e re zgjedhore, është heqja e sanksionit të gjobës për mosrespektimin e kuotës, duke e zëvendësuar me mospranim të listës, pasi gjoba prej 30 mijë lekësh ka rezultuar e papërfillshme dhe një artific lehtësisht  i kapërcyeshëm për partitë politike, për të vazhduar mosrespektimin e këtij kriteri. Dhe nuk është i vetmi i hartuar me shumë finesë në Kodin zgjedhor në favor të gjinisë mashkullore, pasi për zgjedhjet e përgjithshme në Kod thuhet se “Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Artifici “dhe/ose” bëri që në 2009, 30-përqindëshi të plotësohej me zonjat në fund të listave, të cilat patën fatin të jenë dekor politik i radhës dhe spektatore të fitores së burrave në krye të listave. Ndërsa për zgjedhjet lokale, ligjërisht Kodi jepte më shumë shpresa e mundësi për zonjat, pasi kërkonte që “një në çdo tre emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini”. Për moszbatim të këtij kriteri, parashikohej sanksioni me gjobë. Por partitë politike këtë herë tejkaluan vetveten, duke ia hedhur edhe atij detyrimi minimal, që justifikonte të paktën moralisht mosrespektimin e kuotës gjinore. Ky është një precedent i rrezikshëm që duhet marrë seriozisht, pasi nuk ka garanci se nuk do përsëritet në të ardhmen, njëlloj si mosrespektimi i kuotës gjinore, pavarësisht detyrimit ligjor.
Mungesa e reagimit qytetar për këtë lajm të keq është shqetësuese. Falë teknologjisë së përparuar të dhënies së informacionit në kohë reale, kemi qenë dëshmitarë të reagimit energjik deri në votën e fundit të zonjave politikane për kandidatët burra. Në rastin konkret, jo vetëm që nuk po shohim burra të bëjnë të njëjtën gjë, qoftë edhe për t’u kthyer borxhin moralisht, por duket se vetë këto zonja kanë humbur zërin, për të mbrojtur këtë herë kauzën e tyre të përbashkët, pa ngjyra politike, e që shkon përtej kauzës për pushtet.
Pa zë duket se janë në këtë rast edhe organizatat e shoqërisë civile apo edhe mediat, për të cilat lajmi i keq është kryelajm. Politika është ajo që dominon në hapësirën informative të medias së shkruar e asaj vizive në Shqipëri, por çuditërisht ky lajm i keq nuk arrin të depërtojë në modelet kryesisht të ngurta “copy-paste” e me mungesë të filtrit logjik në informimin e publikut.
Duket se kultura e munguar e dialogut politik, që karakterizon partitë politike, po kultivon një mjedis ku mungon edhe edukimi për të drejtat qytetare e politike, për mbështetje të lirive të gjithsecilit dhe solidaritetit qytetar, pa dallim përkatësie politike, larg klimës së mosbesimit, sipas së cilës, pas çdo reagimi qytetar duhet të ketë patjetër një përfitim, mundësisht politik. Vetë politika në rastin e mosndëshkimit për shkelje të ligjit zgjedhor, veçse na dha shembullin klasik të moralit me dy standarde, një nga dy moralet që filozofi anglez Bertrand Russell e ka identifikuar që në vitin 1929 si një moral që predikohet, por nuk zbatohet. Kultura politike e reagimit qytetar duhet të bashkojë në rastin konkret, së pari zonjat e të gjitha forcave politike në vend, sepse 50%-ëshit të popullsisë, u duhet garantuar mundësia që të thonë fjalën e tyre, për mënyrën si duhet qeverisur ky vend, jo si favor politik, por si e drejtë demokratike e qytetare.

© Panorama.al

Te lidhura