Sylviane Muselier, motra e Mbretëreshës: Geraldina dhe Zogu, në dashuri me shikim të parë

Dec 11, 2011 | 12:53
Motra e Mbretëreshës Geraldinë, Sylviane Muselier

Rasti e solli sërish në Shqipëri. Ka qenë në një martesë, në një arrati e tani në një funeral. Sylviane Muselier, përveçse motra e Geraldinës, është mikesha më e ngushtë e familjes mbretërore, e cila ka asistuar që nga martesa, te lindja e Lekës I, arratisja që bënë nga Shqipëria etj. Musilier tregon gjithçka për të motrën dhe mbretin e shqiptarëve.

I bëri të gjithë që të kthenin kokën pas, pavarësisht moshës. E mbuluar me një vel-rrjetë të zezë dhe e grimuar lehtë, biondja sharmante u shndërrua në “kuicin” e varrimit, ku u dha lamtumira për “mbretin e shqiptarëve, jo në detyrë”, Leka Zogun I. E gjendur në krah të trashëgimtarit Leka Zogut II dhe të fejuarës së tij Elia Zaharia, pyetja ishte shumë e thjeshtë: “Kush ishte ajo?”. Ndërsa rrugëtimi deri në prezantimin me të në Pallatin Mbretëror në Tiranë, ishte paksa i vështirë. I vështirë, për t’u bërë i këndshëm pas çdo fjalie, sepse vetë Sylviane Muselier ishte shumë e këndshme. Sapo morët përgjigjen e kuicit, ndërsa ju informojmë se ajo është motra e mbretëreshës Geraldinë, bashkëshortes së Ahmet Zogut. Pas vdekjes së Lekës I, tashmë ajo është njeriu më i afërt i familjes. Afërsi që reflektohet jo vetëm në lidhjet e gjakut, por edhe nga marrëdhëniet shoqërore. Sylviane Muselier, përveçse motra e Geraldinës, është mikesha më e ngushtë e familjes, e cila ka asistuar që nga martesa, te lindja e Lekës I, arratisja që bënë nga Shqipëria etj., si dhe ka jetuar me familjen mbretërore në disa vende, si: në Paris, në Kanë, Marsejë etj. Pra, është fiks zonja e duhur për të na rrëfyer familjen mbretërore, që nga njohja e Geraldinës me Ahmet Zogun…

Si u njoh motra juaj Geraldina me Ahmet Zogun?
Në një mbrëmje vallëzimi, në moshën 17-vjeçare, një fotograf e kishte nxjerrë në fotografi, që u botua në një revistë hungareze. Motra ime ishte një përrallë, aq sa thirrej “trëndafili i bardhë” për nga ngjyra e lëkurës dhe kthjellshmëria e tipareve. Një femër jashtëzakonisht e bukur, nami i së cilës ishte përhapur gjithandej. Pikërisht kjo revistë kishte rënë në duart e princeshave shqiptare, të cilat të mahnitura ia kanë treguar vëllait të tyre. Siç më kanë rrëfyer ato, edhe Mbreti Zog kishte shtangur nga bukuria e saj. Më pas, princeshat shqiptare e kanë takuar Geraldinën në një tjetër festë dhe e kanë ftuar zyrtarisht për vizitë në Pallatin Mbretëror. Ajo arriti në Shqipëri, pas Krishtlindjeve të vitit 1937 dhe vetëm 3 muaj më vonë, u martua me Ahmet Zogun.
Pa u kthyer fare ndërmjet kësaj kohe sërish në Hungari?
E vërtetë, Geraldina erdhi në Shqipëri për një vizitë dhe nuk u kthye më. Ajo u mahnit pas Zogut, por edhe pas shqiptarëve. Dhe kështu ngeli deri në fund të jetës. Në emigrim ka qenë gjithnjë e përmalluar për Shqipërinë, ndërsa edhe amaneti i saj ishte që të varrosej në tokën shqiptare.
A ishte e lumtur Geraldina për zgjedhjen e fatit të saj në Shqipëri?
Geraldina nuk zgjodhi, ajo ra në dashuri. Sapo u takua me Mbretin Zog, ajo e deshi. Ishte dashuri me shikim të parë. Mendoni, erdhi në Shqipëri sipas ftesës, për të parë vendin dhe për t’u njohur me kulturën shqiptare dhe, siç ju tregova, nuk u kthye më.
Po familja juaj, si reagoi për vendimin e martesës?
Në letrën e parë, kemi qenë të befasuar. Unë isha ende fëmijë, por dëgjoja ç’flisnin të rriturit. Por meqenëse Geraldina shkruante gjëra të mrekullueshme për Shqipërinë dhe sidomos për Ahmet Zogun, për të cilin thoshte se kishte rënë marrëzisht në dashuri, atëherë familja ime nuk e kundërshtoi martesën e tyre. Vetëm u përgatitëm për dasmën, ku erdhëm si familje në Shqipëri. Domethënë isha dhe unë…
Si e kujtoni dasmën e tyre?
Dasma u bë më 27 prill 1938, ne erdhëm disa ditë përpara. Isha rreth 9 vjeç në atë kohë dhe mua më lanë nderin që t’i dhuroja tufën me lule të freskëta motrës sime, sapo ajo vuri në kokë kurorën mbretërore. Ka qenë një dasmë madhështore, e mrekullueshme, ashtu si çifti që u martua. Kudo shihej portreti i çiftit mbretëror dhe shqiptarët dukej që e adhuronin Geraldinën, pasi përuleshin jo vetëm para saj, por edhe para meje në shenjë respekti. Më ka ngelur në mendje diçka lidhur me veshjen shqiptare. Gjatë kohës së dasmës, kanë qenë të gjithë të veshur bukur, me kostume tradicionale apo moderne, me këpucë. Njerëz të qeshur, të dashur, plot kulturë, kavalierë. Ndërsa kur jam rikthyer në Shqipëri në vitin 1992, gjeta një popull krejt të ndryshuar nga ata çfarë kisha lënë. Edhe pse zyrtarisht kishte ardhur demokracia në Shqipëri, shqiptarët ishin shndërruar në njerëz nervozë, të veshur keq, të zbathur. Megjithatë, tashmë i shoh sërish në formë dhe më vjen mirë për këtë.
Por ju keni asistuar jo vetëm në dasmën e motrës suaj, por edhe në arratisjen e saj me djalin e sapolindur…
Jemi nisur më 5 prill dhe Geraldina ishte lehonë, Leka I ende nuk i kishte mbushur 24 orë nga lindja. Unë erdha në fillim të prillit 1939, pak ditë para ardhjes në jetë të princ Lekës. Në momentin që lindi, pavarësisht luftës që sapo kishte filluar, i gjithë populli shqiptar u tregua entuziast, për t’u zbehur orë pas ore me rëniet e bombave të para. Mes tyre dhe armëve të tjera ka nisur arratisja jonë drejt Jugut të Shqipërisë, për të kaluar më pas në Greqi.
Me çfarë mjetesh u arratisët?
Me makina. Geraldina hipi në një automjet tip “Crysler”, ndërkaq unë hipa në një autoambulancë. Po ashtu, mbaj mend edhe një varg makinash të tjera që na shoqëronin. Mbase 10 të tilla, nuk më kujtohet saktë numri. Ecnim nën breshërinë e armëve dhe as vetë nuk e di se si kemi shpëtuar.
Deri në ç’vend ju përcolli Ahmet Zogu?
Geraldina dhe Zogu as nuk patën mundësinë që të përshëndeteshin para ikjes. Zogu vetëm sa i çoi fjalë asaj që të nisej urgjent, për ta shpëtuar me patjetër dhe i vuri në dispozicion njerëzit. Geraldina ishte tejet e sëmurë, gjysmë e ndërgjegjshme nga lindja, nga ilaçet, por edhe nga ajo çfarë po ndodhte. Mbreti Zog na është bashkuar 2 ditë më vonë në Greqi.
Cili ka qenë momenti më i vështirë për Geraldinën?
Duke mos llogaritur shëndetin që pati pas lindjes, për të tjerat, pa dyshim që momenti më i vështirë ka qenë ndarja nga bashkëshorti i saj, Mbreti Zog. Ditën që vdiq Mbreti Zog, ne kishim një tjetër vdekje në familje. Mua më kishte vdekur nëna e burrit tim dhe normalisht që burri im, i cili ishte edhe baxhanaku i Mbretit Zog, shkoi te nëna e vet dhe unë shkova te motra ime. Si të thuash, lashë vjehrrën mbi varr dhe shkova t’i gjendem pranë motrës sime në një moment të vështirë për të. Unë, bashkë me motrën time, ndoqa ceremoninë, që ishte shumë madhështore për Mbretin Zog. Kur kam humbur burrin në vitin 1989, motra ime, që asnjëherë s’kishte dalë nga Spanja gjatë gjithë asaj kohe, erdhi dhe qëndroi me ditë të tëra pranë meje në Marsejë. Kam jetuar me familjen e Mbretit Zog në Paris, në Kanë, Marsejë dhe kur motra ime humbi bashkëshortin, Mretin Zog, prezenca ime ka qenë shumë ngushëlluese për të. Kemi qenë shumë të lidhura me të. Unë isha më e vogla dhe ishte ajo, motra e madhe, që përkujdesej vazhdimisht për mua.
Po me Mbretin Zog, si kanë qenë marrëdhëniet tuaja?
Unë jam rritur nën sharmin e tij që fëmijë. Sado mirë të kisha shkuar me motrën, nëse nuk do të kisha gjetur një vëlla te Ahmet Zogu, atëherë nuk do të kisha qenë aq e afërt me këtë familje. Ahmet Zogu bëri Geraldinën të ndihej shqiptare, më bëri mua të ndihem shqiptare, por edhe krejt familjen tonë. Një burrë i pashëm, fisnik, kavalier, zemërgjerë, pra me të gjitha karakteristikat e një mbreti. Mendoni, kanë kaq vite që kanë ndërruar jetë që të dy dhe ndihem po aq shqiptare, i dua shumë shqiptarët.
Para pak ditësh u dha lamtumira e fundit për nipin tuaj, Leka Zogu I. Si e përjetuat humbjen?

Sylviane Muselier në varrimin e nipit Leka Zogu I

Pata ndjesi shumë të ndryshme, por që të gjitha më çonin te dhembja. Më dhemb që humba nipin e vetëm, djalin e motrës sime që kam asistuar pranë tij që nga lindja, që kam emigruar bashkë me të përmes bombave në Shqipëri kur ai ende nuk kishte mbushur 48 orë, apo kur jemi ndarë e takuar me dhjetëra herë të tjera gjatë transferimeve të shpeshta të familjes mbretërore nëpër shtete të ndryshme. Pra, kam ndjekur rrugëtimin e tij nga lindja e deri në vdekje. Po ashtu, kam qenë shumë e lidhur me motrën time, Geraldina dhe bashkëshortin e saj, mbretin Ahmet Zogu. Ata kanë qenë si familje për mua, por edhe unë për ata kur u rrita, sa herë që kishin nevojë. Tashmë jam e vetmja e afërt e Geraldinës që i ka mbetur gjallë princit Leka Zogut II.
Princi apo mbreti, sepse Leka Zogu II e bëri betimin prej monarku javën e kaluar, në varrimin e babait Leka Zogu I?
Për mua ngelet princi, sepse e kam nip dhe me këtë emër jam mësuar që ta thërras që fëmijë.
Po për shqiptarët, a duhet të jetë ai mbret i ligjëruar?
Unë shpresoj shumë që ai të jetë mbret i ligjëruar, por janë shqiptarët që vendosin për këtë dhe jo dëshirat e mia. Jemi në vitin 2001, bota ka ndryshuar shumë dhe me shpejtësi. Nuk jam unë ajo që mund t’ua imponoj princ Lekën si mbret, por vetëm di të them dy fjalë për të: Nëse një ditë ai do të bëhej mbret i pranuar ligjërisht nga të gjithë shqiptarët, atëherë ai do të ishte më i miri në botë. Ka marrë prej gjyshit dhe të atit vetitë më të mira dhe sidomos diplomacinë. Dhe, në këtë shekull të ri, diplomacia është shumë e rëndësishme.
Po të fejuarën e tij, Elia, si e shihni?
Elia është një ëndërr, ekzakt princesha që kam dashur gjithmonë për nipin tim. E kanë shumë për zemër njëri-tjetrin dhe kjo duket qartë edhe në publik. Ajo është në lartësinë e duhur të një princeshe dhe mbretëreshe.

“Tezja e shqiptarëve” dhe një histori në doganë
Nga viti 1992, kur u rikthye për herë të parë në Shqipëri pas arratisjes me familjen mbretërore të vitit 1939, Sylviane Muselier nuk e mban mend se sa herë ka qenë në Tiranë. Vetëm mban mend shumë mirë një episod, që e veçon ndër të tjerë. “Duhet të ketë qenë viti 1992, mbase 1993. Unë u nisa me disa kamionë me ndihma humanitare për t’i sjellë në Shqipëri, pasi u tmerrova dhe u trishtova nga varfëria që gjeta. I kisha parë shqiptarët shumë më mirë në vitin 1939, se sa pas rënies së komunizmit. Kur arrita në kufi, doganierët më kërkuan bakshish, në mënyrë që të më lejonin të kaloja kamionët. Unë u zhgënjeva shumë dhe nuk kuptoja dot absurditetin e situatës; që një zyrtar të kërkojë para për ndihmat e popullit të tij. Duke mos dashur të bëhem bashkëpunëtore, nuk i dhashë asnjë bakshish, edhe pse bëhej fjalë për shumë pak para. Kam fjetur në kamion dhe poshtë tij për 3 ditë me radhë, derisa më lanë që të fusja kamionët. Më saktë, më lanë se e kuptuan që unë nuk do t’i paguaja padrejtësisht”, thotë ajo. Që prej dy dekadash, Sylviane Muselier ka vijuar të sjellë ndihma në Shqipëri, edhe pse është treguar shumë modeste për t’i bërë publicitet vetes. Ndërkaq, për shkak të numrit të madh të bamirësive në diasporë, ajo njihet ndryshe edhe si “tezja e shqiptarëve”.

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura