Svetllana, e bija e Gjin Markut: Përplasja e babait me Enverin dhe vdekja në burg

Nov 13, 2011 | 12:18
Svetllana Marku, duke folur për suplementin “Unë Gruaja”, Foto: Vlasov Sulaj

E bija e gjeneral Gjin Markut tregon historinë e jetës së saj. Miqësia e ngushtë e të atit me Enver Hoxhën, pse ky i fundit nuk i dha asnjëherë postin e premtuar të ministrit të Mbrojtjes, letra e “ultimative” që e përjashtoi të atin nga radhët e Partisë Komuniste dhe Komitetit Qendror, e 30 vitet e kalvarit të persekucionit familjar. 63-vjeçarja tregon dhimbjen e përjetuar nga vdekja e të atit në spitalin e burgut, sëmundjen e rëndë psikike të nënës jugosllave, dhe vështirësitë e një jete me fare pak “frymëmarrje” në të.

Pas dy viteve të jetuara në çadër në mes të kryeqytetit, ku dielli dhe shiu depërtonin njësoj përmes cohës në ngjyrë jeshile, ai apartament 50 metra katrorë, në katin e dytë të një pallati të vjetër, nuk kishte thuajse asgjë ndryshe përveç hapësirës. Gjithçka e kthyer përmbys, rroba të hedhura përtokë që vinin erë myk dhe mobilie të vjetruara, ishin ajo çka paguhej përmes një kredie të marrë në bankë, e cila mbulohej nga rroga e motrës së vogël. Po të mos ishte për praninë e Svetllana Markut, mund edhe të mos u besoja syve, kur përballë m’u shfaq trupi i një gruaje plakë të katandisur sa një grusht kockash, ndërsa tubi i kateterit pranë trupit të saj ishte dëshmia e gjallë e plakjes së gruas 90-vjeçare, dikur një partizane e bukur jugosllave me emrin Natalia, që i rrëmbeu zemrën gjeneral Gjin Markut. Nëse jeta e saj nuk do të ish e mbushur me aq shumë vuajte, me siguri gjurmët e moshës nuk do të ishin aq degraduese. Mamaja e Svetllana Markut, për më tepër kish humbur shikimin edhe dëgjimin… E gjithë ajo situatë m’u përplas në fytyrë, aq sa pas një momenti tronditje kuptova se gjithçka ishte pasojë e jetës së kaluar. E bija e gjeneralit në fakt vërtitet për të gjetur fillin e historisë…

Svetllana, jeni e bija e Gjin Markut, një prej personaliteteve ushtarake më të spikatura gjatë viteve të diktaturës. Njëherësh, babai juaj ishte një nga shokët e besuar dhe më pranë udhëheqësit të kohës Enver Hoxha, apo jo?

çifti Marku

Im atë ka një karrierë të gjatë ushtarake për t’u admiruar. Ai vinte nga një familje patriotike mirditore, por meqenëse gjyshin tim e vranë me një plumb në ballë, babai mbeti jetim në moshë shumë të vogël. Përfundon në “Strehën Vorfnore” në Tiranë. Dhe, pas shkollimit tetëvjeçar, i del e drejta e studimit në gjimnaz në degën e Bujqësisë, në kundërshtim të plotë me interesin ushtarak të babait. Megjithatë, kjo shkollë i vlejti vite më vonë kur u caktua drejtor ferme në fshatin Llakatund të Vlorës. Pas ciklit të studimeve e caktojnë në pozicionin e agjentit bujqësor në qytetin e Korçës. Në këtë periudhë, ai nuhat organizimin e lëvizjeve të para antifashiste në këtë qytet dhe krijimin e çetave të para dhe brigadave të rëndësishme komuniste. Si një djalë i ri, plot dëshira dhe ëndrra, ai nis lëvizjen e ashtuquajtur të filizave të rinj komunistë, e në këtë kohë njihet me Enver Hoxhën në një takim të rastësishëm në shtëpinë e Koço Tashkos (komandat i parë i çetave komuniste të Korçës). Enveri pikasi temperamentin dhe vullnetin e tim ati dhe mes tyre lindi shpejt një miqësi e ngushtë. Im atë ishte një nga emrat kryesorë të strukturave krijuese të Partisë Komuniste, ndër firmëtarët e krijimit të partisë më 8 nëntor 1941. Njëherësh fitoi edhe pozicionin si anëtar i Komitetit Qendror. Në dhjetor të po këtij viti, im atë caktohet në detyrën e ngritjes së çetave guerilase për çlirimin e atdheut, kjo me porosi të veçantë të udhëheqësit Hoxha. Filloi me çetat e Korçës, ato të Skraparit e shumë të tjera, duke pasur një veprimtari të ngjeshur si antifashist i devotshëm. Në gjithë këtë situatë suksesesh, në maj të vitit 44′ përjashtohet nga Komiteti Qendror për shkak të mosmarrëveshjeve me Enver Hoxhën.
Si ndodhi përjashtimi?
Përmes një letre ultimatum, shoku “Taras” i shkruante se duhet të paraqitej në Helmës në një mbledhje të KQ-së dhe ku e paralajmëronte se nuk duhet të vononte as një ditë dhe nuk i falej assesi mungesa. Gjithçka ishte kurdisur në atë mënyrë që të mos kuptohej qëllimi i vërtetë i mbledhjes, në përfundim të së cilës Gjin Marku do të përjashtohej nga strukturat e Komitetit Qendror.
Por, çfarë e “minoi” realisht marrëdhënien e tyre?

Gjin Marku me Enver Hoxhën

Gjatë aktivitetit të luftës dhe Partisë Komuniste, udhëheqësi i shkruan disa letra tim eti me pretendime nga më të ndryshmet. Krisja e parë e raportit mes të dyve do të përcaktohej në momentin kur Enver Hoxha do të shkruante pretendimin e tij të parë për mungesë raportimesh nga babai im kundrejt tij. Raportime për ecurinë e luftës, për gjendjen e partizanëve, për armatimet etj. Krisja e dytë, por që do të vuloste përfundimisht marrëdhënien mes tyre, ishte “komploti i famshëm i Beratit”, i cilësuar kësisoj nga Hoxha. Pas largimit të forcave fashiste italiane, në Berat mësyjnë forcat hitleriane. Në dy luftimet mes tyre, im atë në drejtimin e çetave shqiptare duke konstatuar dobësimin e forcave tona përballë epërsisë së atyre gjermane, sheh si të nevojshëm zbatimin e një taktike ushtarake që konsistonte në 12 ditë pushim deri në përmirësimin e gjendjeve me ushqim, armatime dhe veshmbathje. Udhëheqësi nuk e kapërdiu dot këtë situatë, dhe menjëherë i dërgon një letër me doza të ashpra kritike në të. Paskëtaj, babai kërkon që të kalojë partizan i thjeshtë dhe pa detyra drejtuese ushtarake. Në këmbim i vjen përgjigjja se një ushtarak i devotshëm dhe me aspirata si ai nuk mund të lëkundet apo dorëzohet lehtë, përballë çdo presioni apo kritike. “Nuk duhet ta humbasësh besimin tek vetja, sepse çdo gabim është njerëzor” i shkruante Enveri në një letër tjetër tim eti. Pas luftës antifashiste, babai caktohet për të studiuar në shkollën ushtarake “Voroshillov” në Moskë, sikundër shumë kuadro të tjerë të kohës. Atje kishte qëndruar për pak kohë edhe me Mehmet Shehun, i cili gjithashtu studionte në të njëjtën akademi ushtarake.
Çfarë ndodhi më pas?
Në vitet 1946-1948 im atë studion në Moskë, duke fituar njëkohësisht edhe pozicionin e atasheut të parë ushtarak shqiptar. Por, një urdhër i veçantë i Enver Hoxhës e detyron që të ndërpresë studimet, për të qenë i pranishëm në Kongresin e Parë të Partisë Komuniste, ku sipas zërave që qarkullonin, emri i Gjin Markut përflitej për t’u emëruar në pozicionin e ministrit të Mbrojtjes. Kur kthehet nga Moska, im atë gjen një terror të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Gjendje thuajse e jashtëzakonshme. Ishte arrestuar Koçi Xoxe, ndërsa burgjet ishin plot, internimet bëheshin në masë. Ai tronditet kur mëson se edhe komandanti me të cilin kishte bashkëpunuar Mestan Janiku, ishte gjetur me damar të prerë i vdekur në burg. I gjithë ky presion i ndikoi për keq, dhe në fjalën e tij në kongres, babai kundërshton hapur dhunën dhe presionet politike që njerëzit po pësonin në lëkurë. Doli njëfarësoj kundër vijës së partisë dhe urdhrave të Enver Hoxhës, por duke mbrojtur me shumë guxim njerëzit apo komunistët e thjeshtë. Ndërpritet mbledhja dhe në takimin e radhës, i kërkohet të bëjë autokritikë. Dhe ai, për të ruajtur familjen, gruan dhe dy fëmijët pranoi, por menjëherë pas kongresit vendoset drejtor në sektorin e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit, për të përfunduar në vitin 1961 drejtor ferme në Llakatund të Vlorës.
Këto vite ankthi nuk u përjetuan dhe aq mirë nga nëna juaj, Natalia Virioviç, apo jo?

Enver Hoxha dhe Gjin Marku në 10 korrik 1949 gjatë paradës për nderin e 5-vjetorit të ushtrisë Shqiptare

Nëna ime ka qenë një jugosllave shumë e bukur. Me babanë janë njohur në vitin 1944, kur forcat shqiptare antifashiste pasi çliruan shumë qytete të vendit, dolën jashtë kufijve, kryesisht në Mal të Zi dhe Kosovë për të vijuar Luftën e tyre Nacionalçlirimtare. Janë njohur në Vuçitern të Kosovës, im atë ka qenë 25 vjeç, ndërsa nëna 20. Ajo ishte partizane shumë simpatike. Janë dashuruar me shikim të parë, kështu janë shprehur të dy. Por, vështirësitë me të cilat u përplas babai ishin të shumta, dhe shumë herë nëna ime përfundoi e shtruar në psikiatri. Jeta e re në fshatin e panjohur të Vlorës ishte rraskapitëse, dhe nëna e përjetoi shumë keq derisa përfundoi në spital. Për babanë nuk ishte një profesion i panjohur, pasi ai kishte studiuar në profilin e bujqësisë në gjimnaz, dhe mundi që fermën e Llakatundit nga kategoria e tretë ta çonte në atë të parë. Pas dy vitesh qëndrimi në Llakatund, në fillim të vitit 1963 e thërrasin në një mbledhje të posaçme, ku Nevzat Haznedari, nënkryetar i degës Vlorë, arreston babanë. Pretendimi i ngritur ishte tentativë për arratisje, kjo pasi im atë kishte shkuar për tri ditë me radhë në një fshat tjetër të Vlorës për të inspektuar fermat dhe prodhimet bujqësore aty. Isha vetëm 13 vjeçe…
Si e kujtoni ju atë ngjarje?
Atë ditë mësyjnë shumë forca të Sigurimit, njerëz të panjohur, me në krye Nevzatin, i cili bastisi shtëpinë tonë, ktheu përmbys gjithçka për të rrëmuar në dokumente apo në shkresa të ndryshme që babai mund të posedonte. Kujtoj të bërtiturat dhe terrorin psikologjik që ai ushtroi ndaj nënës sime, e sapo dalë nga spitali psikiatrik. Unë qaja me të madhe dhe me naivitetin e një fëmije i kërkoja që të mos na bënin keq, sepse do t’i shkruaja letër xhaxhi Enverit. Ndërsa, pas asaj kohe, tim atë e takova pas hekurave të burgut fillimisht në burgun e Zvërnecit. Të gjitha takimet tona kryheshin në prani të oficerëve madhorë. Na kontrollonin nga koka te këmbët dhe kështu nisën rresht vuajtjet tona. Pas Llakatundit, jetuam për një vit në fshatin Ndërnënas të Fierit. Ishim të izoluar dhe në kushte tepër të vështira jetese. Kishte net që binim të flinim me barkun bosh dhe të palarë. Kur e pamë se nuk kishim asnjë shpëtim, ime më i shkruan një letër Mehmet Shehut, ku i shpjegonte se për shkak të mungesës së një shkolle të mesme në fshatin ku gjendeshim, të mund të zhvendoseshim familjarisht diku tjetër, qoftë edhe në Burrel, tek gjyshërit e mi. Por, përgjigjja që morëm në këmbim, ishte heshtja…
Gjatë kësaj kohe, a mbanit kontakte me babanë?
Ishte shumë e vështirë mundësia e takimit me të. Por, babai pasi kishte mësuar çështjen e internimit tonë familjar, organizon një grevë urie në burgun e Tiranës, në shenjë proteste për internimin e familjes. Kjo bëri që nga fshati Ndërnënas të na sillnin në qytetin e Fierit, kurse në shenjë hakmarrjeje arrestojnë vëllain Aleksandrin, me akuzën “agjitacion dhe propagandë”. Sepse ai ishte takuar rastësisht në rrugë me një ish-shok të shkollës, të cilin e kishin përjashtuar për shkak se ishte bir ballisti. Kjo kleçkë mjaftoi që vëllai të dënohej me pesë vjet heqje lirie, dënim të cilin e kreu në burgun e Spaçit në Burrel.
Svetllana, si ishte jeta juaj në këtë kamp internimi?
Qëndruam për 28 vite me radhë në Fier. Me fillimin e jetës së re, mamaja pëson një depresion të dytë dhe shtrohet sërish në psikiatri. Më ngjan se ai qytet i vogël, jeta e kontrolluar dhe e izoluar, pa asnjë mundësi të mirëfilltë jetese, i kushtoi rëndë shpirtërisht dhe psikologjikisht nënës. Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore të saj, ajo emërohet mësuese e gjuhës ruse në gjimnazin e qytetit, ndërsa unë nisa gjimnazin, të cilin nuk më lanë ta përfundoja, apo të merrja diplomën, sepse isha vajza e një “Armiku të Popullit”, gjithçka ishte kurdisur kaq mirë. Kjo ndodhi pasi mua më thirri në zyrën e tij Muço Salihu, kunati i Adil Çarçanit, kryetar dege në Fier, i cili kërkon të më rekrutojë si bashkëpunëtore të Sigurimit, dhe të pranoja që babai im ishte “armik i popullit”. Nuk pranova diçka të tilla, dhe më bënë presione të jashtëzakonshme, edhe duke takuar fshehtas nënën e sëmurë për t’i “vjedhur” ndonjë firmë. Ishte jetë shumë e vështirë. Motra ime filloi punë krahu në një fermë aty pranë zonës ku banonim, gjithashtu edhe unë. Jeta jonë bëhej gjithnjë e më e vështirë, ndërsa gjendja shëndetësore e nënës përkeqësohej.
Ç’ndodhte ndërkohë me babain tuaj?
Im atë torturohej në mënyrë çnjerëzore në burg. Këto tortura, por edhe ndarja për së gjalli me familjen, ia shkurtuan jetën. Hera e fundit e takimit me të ishte vetëm dy orë para vdekjes. Sikur të ma ndillte zemra atë ditë… Kërkoj leje në degën e brendshme të Fierit, për të takuar babanë në Tiranë, dhe në mëngjes herët paraqitem në apel. Marr trenin dhe më pas autobusin dhe i gjendem pranë babait disa orë përpara vdekjes. Ai kishte kohë që vuante nga ceroza në mëlçi. Ishte katandisur si një grusht kockash mbledhur në krevat. Sapo më pa, lëshoi një grahmë të fundit, dhe sytë i vunë perde të bardhë… Nuk i harroj dot ato momente, dridhesha dhe isha mbytur në dënesa. Në moshën 65-vjeçare, im atë i tha “lamtumirë” jetës përgjithmonë.
Çfarë ka mbetur sot nga jeta juaj, ndonëse kushtet ku jetoni nuk kanë nevojë për shumë fjalë?
Jeta ime ka qenë gjithnjë e mbushur me vuajtje. Për shkak të thuajse 30 viteve në internim dhe nevojës për të qenë pranë nënës së sëmurë mendërisht, unë mbeta e pamartuar. Vëllai më është arratisur me gomone, në drejtim të paditur, kam mbi 10 vite që kam humbur çdo kontakt me të. Nëna ime plakë është tejet e sëmurë dhe unë duhet të kujdesem në çdo moment për të. Nuk kam as edhe një ngushëllim në jetën time. Pikërisht edhe atëherë kur mendova se më në fund një rreze drite trokiti në jetën time, nisa punë në Zyrën e Ankesave në Ministrinë e Mbrojtjes, në periudhën e Safet Zhulalit, ku punova me përkushtim për dy vjet, por ishte kaq e shkurtër si eksperiencë. Jeta më ngjan shpesh me një ferr..

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura