Surprizë në Has, fitojnë socialistët

May 10, 2011 | 10:33

KUKES – Surpriza e votimeve të 8 majit këtë herë në qarkun e Kukësit ka ardhur bindshëm aty ku nuk pritej. Socialistët, për të parën herë prekin pushtetin vendor në krye të bashkisë së Krumës që nga viti 1992. Bashkinë e vogël me 6 mijë banorë, e njohur si bastioni i palëkundshëm, tashmë do ta drejtojë socialisti 42-vjeçar Liman Morina, pasi ka drejtuar dy herë radhazi komunën Gjinaj të po këtij rrethi. Morina ka mundur kandidatin demokrat Bardhyl Peka me 500 vota më shumë. Saktësisht, Morina i PS-së ka marrë 57% të votave, ndërsa rivali i tij 43% të tyre. Peka e ka drejtuar bashkinë tri mandate radhazi dhe synonte të katërtin. Ndërkohë, në Kukës, ashtu siç pritej, ka fituar lehtësisht kandidati i PD-së, Hasan Halili. Ai e ka vazhduar mandatin e dytë si kryebashkiak i Kukësit me 6147 vota, kundrejt 3441 votave të rivalit të tij socialist, Alfred Cengu. Edhe në Bashkinë e Bajram Currit ka fituar kandidati i PD-së, Agron Demushi, me 2110 vota, ndaj socialistit Avni Dega, që mori 1222 vota. Në komunën Golaj fitoi Zenel Kastrati i PD-së, me 40 vota më shumë se socialisti Adem Lala, i cili e kishte drejtuar dy herë këtë komunë. Në komunën Tropojë e Vjetër, ku ka fituar Ramë Kërtoçi i PD-së. Po vazhdon numërimi në komunën Fejzaj, ndërsa paralel vijon dhe numërimi për këshillat bashkiakë dhe komunalë. Në qarkun e Kukësit pritet ende të nisin dhe të zbardhen rezultatet e komunave të tjera, disa prej tyre shumë të mëdha dhe ku është zhvilluar një garë e fortë paraelektorale. Një prej tyre është dhe komuna e Tërthores, ku kandidojnë 4 përfaqësues të partive të ndryshme. Kjo komunë drejtohej nga Remzi Veseli, i PS-së deri në tetor të vitit të shkuar, kur ai u ekzekutua nga persona dhe motive ende të panjohura. Veseli u përfol para krimi si kandidatura e ardhshme e komunës Tërthorë, por vrasja e tij nxori të tjerë emra në garë.  j.h

Qarku Kukes

Bashkia Krumë
Liman Morina, PS 57%
Bardhyl Peka, PD 43%

Bashkia Tropojë
Agron Demushi, PD 2110 vota
Avni Dega, PS 1222 vota

Komuna Tropojë e Vjetër
Fiton Ramë Kërtoçi, PD

© Panorama.al

Te lidhura