Edhe këtë vit, eventi më i madh i klipeve që mbahet në Kosovë, tregoi se nuk mund të mbledhë të gjithë yjet e estradës shqiptare në një vend. Javës që kaloi, ne treguam emrat e disa këngëtareve që ishin të nominuara në shumë kategori, ndërsa disa prej tyre dolën të shpërblyera dyfish e disa të tjera u larguan duarthatë nga festivali. Ka disa vite që këtë festival e bojkotojnë emrat më të njohur të estradës në Kosovë e Shqipëri, për arsye se, siç e thamë më lart, ndarja e çmimeve nuk bëhet në një mënyrë si duhet. Edhe në “after party” të organizuar atë natë ishte vërejtur një prani e vogël e yjeve të estradës, ndërsa disa prej tyre kishin lënë në gjysmë party-n e organizuar vetëm për një orë e gjysmë. Të ftuar special nga Tirana kishin udhëtuar këngëtaret Rovena Dilo, Eneda Tarifa etj. Më poshtë, ju japim detajet më të rëndësishme.
GENC SALIU, FITUES DHE I PANJOHUR?!
Genc Saliu, me këngën “Rrugëve” ka qenë këngëtari i pakonkurrueshëm në festivalin e klipeve “VideoFest”, të organizuar në Prishtinë këtë vit. Genci është fare i panjohur për publikun edhe në Kosovë, ndaj fitorja e tij ka ngjallur debate shumë të mëdha, por duke e ditur që festivali organizohet në mënyrë private, dihet se çmimet jepen para nominimeve, ndërsa për çmimin kryesor sigurisht që vendos pronari i festivalit. Ai ka fituar çmimin për klipin më të mirë në gjitha kategoritë dhe shumë çmime të tjera…
SHKËLQEJNË ARGJENTINA DHE DAFINA,
ZHGËNJEHET TUNA
Nata gala tek festivali ka shkëlqyer vetëm nga disa yje të muzikës, përfshirë këtu këngëtaret
Dafina Zeqiri dhe Argjentina Ramosaj, të cilat ishin të veshtura me fustane shumë elegante dhe seksi që nxirrnin hiret femërore në pah. Ato janë larguar nga festivali me disa çmime të fituara, Argjentina në kategorinë Best female, duke mundur kështu Leonora Jakupin, Besa Kokëdhimën dhe Tuna Sejdiun, kurse Dafina ka fituar në kategoritë videoklipi më i mirë në R&B dhe video me styling më të mirë. Pas tri nominimeve, Tuna nuk ka mundur të fitojë në asnjë kategori, edhe pse organizatori i festivalit për disa vite ka qenë dhe menaxher i saj. Tuna këtë radhë nuk është shfaqur aspak në festival dhe, me një fjalë ka bojkotuar atë, pasi ka mësuar se tek kush do të shkojnë çmimet. Fituan dhe Dafina Rexhepi, Mc Kresha, Albërie Hadërgjonaj etj.
NORA ISTREFI, ME PAMJE ALLA ZEZAKE
Një tjetër atraksion i mbrëmjes ka qenë këngëtarja Nora Istrefi, e cila ka ardhur e shoqëruar nga motra e saj Nita. Stilimi i Norës ka qenë shumë interesant, pasi Nora është paraqitur me një fustan glamuroz, ndërsa prezantuesit e kanë prezantuar si “Nora nuk është njësoj”, edhe pse kritika të shumta shkojnë në adresë të saj për kopjime të ndryshme. Këtë radhë Nora është paraqitur edhe me një krehje interesante alla zezake, duke u larguar nga festivali me çmimin e organizatorit për këngën në duet me TDS “Ka je”, çmim të cilin e ka dhënë vetë pronari Erolld Belegu.
AFTER PARTY, VETËM NJË ORË E GJYSMË
Pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, organizatorët e festivalit kishin rezervuar një lokal në të cilin do të mblidheshin të gjithë të ftuarit dhe të festonin së bashku. Ajo që binte më tepër në sy ishte pjesëmarrja e vogël e të pranishmëve, të cilët lanë sallën, kur party sapo kishte filluar dhe, një tjetër arsye ishte se ajo sallë ishte rezervuar vetëm për një orë e gjysmë, me pretekstin se pastaj do të kishte një mbrëmje mature të një shkolle të mesme të Prishtinës. Në atë maturë këndonte grupi “Tingulli 3nt”, të cilët po ashtu kishin bojkotuar festivalin. Edhe Leonora Jakupi kishte braktisur party-n, për shkak se nga festivali kishte dalë pa shpërblim, edhe pse kishte qenë e nominuar në një kategori.
BLERAND REXHEPI
© Panorama.al











