Superiorja, në fushë vetëm për mbijetesën

May 16, 2011 | 11:11

Ndërkohë që janë zgjidhur dilemat e titullit dhe të skuadrave që do të luajnë në Ligën e Europës, mbetet ende për t’u qartësuar skuadra që do t’i bashkohet Elbasanit direkt në Kategorinë e Parë dhe ato që do të luajnë në plej-out. Pesë ekipet e tjera, Bylisi, Dinamo, Teuta, Kastrioti dhe Shkumbini do të luajnë shanset për t’iu shmangur plej-outit me ekipet që do të renditen në vendin e 5-të dhe të 6-të në Kategorinë e Parë. Teorikisht, Besa është skuadra më e rrezikuar për të rënë direkt dhe Dinamo, ekipi që zor se mund t’i shpëtojë ndeshjes shtesë. Po le t’i marrim me radhë të gjitha çiftet e kësaj jave.
Kastrioti-Dinamo: Dy ekipe me pikë të barabarta, por me Dinamon me golavarazh më të mirë (-3, ndaj -8). Barazimi dhe humbja e lënë Kastriotin në play-out, madje krutanët mund të rrezikojnë direkt rënien nëse Besa fiton me goleadë me Tiranën (në rast se Kastrioti humb). Ndërkaq, Dinamo rrezikon rënien direkt vetëm nëse humbet dhe Besa fiton me Tiranën 1-0. Në dy ndeshjet e këtij sezoni, në fazën e parë Dinamo ka fituar 2-1 në Krujë, ndërsa në fazën e dytë takimi ka përfunduar në barazim pa gola.
Bylisi-Vllaznia: Shkodranët kanë siguruar vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në Ligën e Europës, ndaj në Ballsh shkojnë thjesht për statistikë. Nga ana tjetër, Bylisi ka siguruar mosrënien direkt nga kategoria, por për të siguruar edhe zonën play-out duhet që të fitojë me patjetër me Vllazninë ose të barazojë duke mbajtur sytë nga çiftet e tjera: Teuta-Laçi, Kastrioti-Dinamo dhe Elbasani-Shkumbini. Në dy ndeshjet e këtij sezoni, Vllaznia ka fituar 3-2 në fazën e parë, ndërsa në të dytën ndeshja është mbyllur në barazim 0-0.
Besa-Tirana: Bardheblutë nuk kanë asnjë motiv, kurse Besa duhet të fitojë me patjetër me goeladë dhe të shpresojë në ndonjë gafë të skuadrave të tjera, kryesisht Shkumbinit dhe Kastriotit, për t’u marrë vendin e 10-të në bazë të golavarazhit. Në dy takimet e para, Besa ka fituar në Kavajë (faza 1) 2-1 dhe barazuar në Tiranë 0-0 (faza 2).
Teuta-Laçi: Kurbinasit i kanë mbyllur llogaritë për këtë sezon dhe luajnë për qejf ndaj durrsakëve. Ndërsa këta të fundit duhet të fitojnë për të dalë nga zona “play-out” ose të barazojnë, por me shpresën që Shkumbini të humbasë dhe ndeshja Kastrioti-Dinamo të mos përfundojë në barazim. Dy sfidat e këtij sezoni kanë përfunduar me një barazim 0-0 në fazën e parë dhe një fitore 1-0 të laçianëve në fazën e dytë.
Elbasani-Shkumbini: Me një Elbasan të rënë në Kategorinë e Parë, prej javësh tashmë, Shkumbini duket se do ta ketë të lehtë të fitojë dhe t’i shpëtojë edhe zonës play-out. Por një barazim mund t’i komplikonte gjërat, pasi do të ishte i detyruar të luante edhe një ndeshje shtesë (play-out). Në dy ndeshjet e këtij sezoni, peqinasit kanë fituar në të dyja fazat 1-2 dhe 3-2 ndaj elbasanasve.
Flamurtari-Skënderbeu: Teorikisht luhet vetëm për statistikë, pasi korçarët janë shpallur matematikisht kampionë, ndërsa vlonjatët kanë siguruar vendin e dytë. Mirëpo ndeshja, sipas informacioneve, do jetë e tensionuar, pasi vlonjatët duan të hakmerren për shumë padrejtësi që, sipas tyre, u janë bërë nga Federata duke favorizuar pikërisht Skënderbeun. Në dy takimet e para të këtij sezoni, Flamurtari ka fituar 4-0 në fazën e parë në Vlorë dhe është mundur 1-0 në fazën e dytë në Korçë.

Skënderbeu shtyn festën

Festa e titullit në Korçë do të shtyhet me 24 orë vonesë. Flamurtari është bërë shkak i shtyrjes së festës së korçarëve. Teksa FSHF-ja përcaktoi orën 16:00 si zhvillimin e ndeshjes, kjo nuk u ka ardhur shumë përshtat drejtuesve bardhekuq, pasi i bie që skuadra të mbërrintex në mesnatë në Korçë. Në këto kushte, drejtuesit e Skënderbeut u kërkuan homologëve në Vlorë që ndeshja të luhej në orën 13:00. Mirëpo, vlonjatët nuk pranuar, duke pretenduar se do të zbatojnë vendimin e Federatës. Dhe vetëm pas negociatave të dështuara, korçarët kanë nxjerrë në skenë planin “B” për ekipin e tyre, por dhe për festën që do të zhvillohet një ditë më pas.

Renditja

Nr. Ekipi    ND    F    B    H    P
1. Skënderbeu     32     23     4     5     73
2. Flamurtari    32     21     3     8     66
3. Vllaznia     32     17     8     7     59
4. Laçi    32     14     5     13     47
5. Tirana    32     11     11     10     44
6. Bylis    32     12     4     16     40
7. Dinamo    32     10     9     13     39
8. Teuta    32     10     9     13     39
9. Kastrioti    32     10     9     13     39
10. Shkumbini     32     11     6     15     39
11. Besa    32     9     9     14     36
12. Elbasani     32     4     3     25     12
Shënim: Elbasani, minus 3 pikë, i dënuar nga FIFA për shkak të çështjes “Darko Periç”. Flamurtari, 3 pikë minus, për braktisjen e ndeshjes me Vllazninë në javën 32.

 

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura