Super-Mesi, Barcelona fiton Championsin

May 29, 2011 | 12:09
Lojtarët e Barcelonës, duke festuar triumfin në Ligën e Kampioneve

Barcelona mund Man-çesterin 3-1 duke fituar për herë të katërt në historinë e vet Kupën e Kampioneve.Pedro, Mesi dhe David Vija zhvlerësuan golin e Uejn Runit. Thjesht magjike. Një skuadër ndër më të mirat në gjithë historikun e futbollit botëror. Lojë zbavitëse, mbajtje të topit në mënyrë të pakopjueshme dhe një sulm të frikshëm, për më tepër kur aty përpara ka një lojtar si Lionel Mesi. I magjishëm. Edhe në finalen e mbrëmjes së djeshme, argjentinasi tregoi klasin e lartë jo vetëm duke shënuar, por edhe ndihmuar skuadrën në arritjen e fitimit të trofeut më të rëndësishëm për klube në Europë. Në çdo moment kur ai prekte topin lojtarët e Mançesterit viheshin në alarm dhe këtë më shumë se cilido e ndjehu dyshja e qendërmbrojtjes, Rio Ferdinand-Nemaja Vidiç. Në fakt, Mançesteri zbriti si i barabartë në fushën e lojës ndaj Barcelonës aq sa në 10 minutat e para u pa një skuadër që po kërkonte më shumë drejt portës kundërshtare. Por sapo situatën e morën në dorë dyshja fantaziste Iniesta-Ksavi edhe Mesi nisi driblimet e tija të pafundme në gjysmëfushën e anglezëve, ku loja mori një trajtë krejt tjetër. Një gabim i Vidiç dhe Pedro është ai që kalon në avantazh Barcelonën. Por anglezët tregojnë karaktere dhe vetëm disa minuta më vonë, falë një kombinimi Gigs-Runi, vjen goli i barazimit. Kështu mbaron pjesa e parë. Në fraksionin e dytë të lojës ka vetëm një skuadër në fushë: Barcelona. Mesi bën ç’të dojë me Fabion, aq sa Ferguson e zëvendëson menjëherë, por pa mundur që t’i “gjejë ilaçin” për të markuar argjentinasin. Mjafton një hapësirë sado e vogël, që Mesi të lëshonte një predhë duke shënuar. Barcelona në festë dhe kjo tregohet qartazi edhe nga xhonglimet e lojtarëve, ndërsa Mançesteri bëhet nervoz dhe nuk arrin që të krijojë qoftë edhe një sulm të vetëm të rrezikshëm. Në minutën e 69-të, Vija mbyll hesapet duke shënuar golin e tretë. Minutat në vazhdim ishin thjesht për statistikë dhe pas vërshëllimës së fundit, Edvin van der Sar përshëndetet për herë të fundit me fushën e blertë, ndërsa kapiteni Pujol i lejon Erik Abidalit që të ngrejë kupën, kjo në shenjë respekti për kancerin në mëlçi që lojtari kaloi me sukses vetëm para pak muajsh.

Barcelona-Mançester 3-1

Shënues: Pedro 27′, Mesi 54′, D.Vija 69’/ Runi 34′
Kartonë të verdhë: D.Alves, Valdes/ Karrik, Valencia

Barcelona: Valdes, D.Alves (Pujol 88′), Maskerano, Piké, Abidal, Ksavi, Buskets, Iniesta, D.Vija (Keita 86′), Mesi, Pedro (Afelaj 90′).
Trajner: Pep Guardiola

Mançester: Van der Sar, Fabio (Nani 69′), Ferdinand, Vidiç, Evra, Valencia, Kerrik (Skolls 77′), Gigs, Park, Runi, Hernandez.
Trajner: Aleks Ferguson

Guardiola: Dominuam lojën, ishim superiorë
Trajneri i Barcelonës nuk e ka fshehur gëzimin për fitoren e dytë të trofeut të Kupës së Kampioneve nën drejtimin e tij. Edhe në 2008-2009 përballë Pep, pati Mançesterin e Fergusonin dhe si para dy vitesh skuadra e tij triumfoi. “Jam shumë i lumtur që arritëm të fitonim këtë trofe pas një sezoni shumë të vështirë. E dija që Mençesteri do të na sulmonte që në fillim, me qëllim që të na detyronte të luanim më larg portës së tyre, por ditëm të shënonim dhe të dominonim lojën. Patëm disa çaste paqartësie në momentet e fundit të pjesës së parë, kur Mançesteri barazoi dhe na vuri disi në vështirësi, por në pjesën e dytë kthyem gjithçka në favorin tonë. Dua të falënderoj të gjithë futbollistët e mi për shpirtin e garës dhe sezonin e mrekullueshëm që kanë bërë jo vetëm në Kupën e Kampioneve, por edhe në kampionatin spanjoll. Ishte një vit për t’u mbajtur mend”, ka përfunduar Guardiola.

 

Ferguson: E merituan, ne luajtëm dobët
Trajneri i Mançester Junajtid ka vlerësuar lojën e Barcelonës duke kritikuar nga ana tjetër disa gabime të ekipit të tij, si në mbrojtje dhe në sulm. Sipas skocezit, Mançesteri i tij nuk tregoi qartësinë e duhur në repartin difensiv si dhe çaloi në sulm, sidomos në pjesën e dytë të lojës. Gjithsesi, ai nuk la pa përmendur edhe faktin se Barcelona luajti më mirë, ndaj edhe meritoi trofeun. “U munduan të bënim lojën tonë. E nisëm mirë me një presing në gjysmëfushën e tyre, por nuk arritëm që të shënonin na ato momente. Më pas gabuam në rreshtimin në mbrojtje dhe Barcelona na ndëshkoi. Ditëm si të kthenim rezultatin, por në fraksionin e dytë të lojës kundërshtari na dominoi në mesfushë, ndaj edhe organizimi i sulmeve tona u bë shumë herë më i vështirë. Kisha përgatitur një ndeshje krejt tjetër, por Barcelona e meritoi këtë trofe për nga mënyra sesi luajti”, ka pohuar Ferguson.

Lionel Mesi, “njeriu i ndeshjes”

Lionel Mesi ishte futbollisti më i mirë në ndeshjen e mbrëmshme të Kupës së Kampioneve. Ai shënoi golin e dytë të takimit si dhe dha asist për golin e tretë. Veç kësaj, Mesi shënoi edhe një rekord të ri në Champions, duke shënuar 12 gola në një sezon të vetëm. Asnjë më parë (nën formatin Champions) nuk ka shënuar kaq shumë sa argjentinasi. “Mesi është futbollisti që ka të gjitha cilësitë për të qenë pasardhësi im”, qe shpeshuar para takimit vetë Maradona.

 

 

Ne “Uembli” mungon Blater

Ka munguar në finalen e Champions-it njeriu më i pushtetshëm i futbollit botëror. Sep Blater nuk ka qenë përkrah homologut të tij europian Mishel Platini në tribunën e “Uembli”-t, gjatë ceremonisë së dorëzimi të trofeut. Kjo është hera e parë që thyhet tradita, ndërsa zyra e numrit 1 të FIFA-s deklaroi se shkak i kësaj mungese është hetimi antikorrupsion që ka përfshirë institucionin. Nën hetim, sot Blater do të dalë përpara komisionit.

Siguria, fëmijët lihen jashtë

Dje në “Uembli” nuk kishte asnjë vogëlush në stadium. UEFA ka vendosur të ndaluar hyrjen në stadium të të miturve nën 4 vjeç, me një vendim të posaçëm përpara finales, duke servirur si justifikim çështjen e sigurisë. Një vendim i tillë ka shkaktuar polemika veçanërisht në Spanjë, ku futbolli shihet si festë. Media ka arritur deri aty, sa ka marrë si shembull organizimin e festimeve të Kupës së Mbretit, ku nuk qe e nevojshme për masa të tilla drastike.

Bileta, 9 200 € në treg te zi

Ndonëse 86 mijë biletat e “Uemblit” ishin shitur dhe shpërndarë prej ditësh, deri në orën 20:45 çmimi i një vendi në stadium për të parë finalen në tregun e zi ka shkuar në 9 200 euro. Media angleze raportonte në çastet përpara se të fillonte ndeshja se persona me bileta në duar silleshin përqark stadiumit. Policia ndaloi dhe një qytetar norvegjez me 60 bileta, që pritej t’i shiste në treg të zi, menjëherë sapo zbriti nga aeroporti.

“Libri i Artë”

Kupa e Kampioneve

1955/56 Real Madrid
1956/57 Real Madrid
1957/58 Real Madrid
1958/59 Real Madrid
1959/60 Real Madrid
1960/61 Benfika
1961/62 Benfika
1962/63 Milan
1963/64 Inter
1964/65 Inter
1965/66 Real Madrid
1966/67 Sëlltik
1967/68 Man.Junajtid
1968/69 Milan
1969/70 Fejnord
1970/71 Ajaks
1971/72 Ajaks
1972/73 Ajaks
1973/74 Bajern Mynih
1974/75 Bajern Mynih
1975/76 Bajern Mynih
1976/77 Liverpul
1977/78 Liverpul
1978/79 Notingem Forest
1979/80 Notingem Forest
1980/81 Liverpul
1981/82 Aston Vila
1982/83 Hamburg
1983/84 Liverpul
1984/85 Juventus
1985/86 Steaua Bukuresht
1986/87 Porto
1987/88 PSV Eindhoven
1988/89 Milan
1989/90 Milan
1990/91 Ylli i Kuq i Beogradit
1991/92 Barcelona

Champions

1992/93 Olimpik Marsejë
1993/94 Milan
1994/95 Ajaks
1995/96 Juventus
1996/97 Borusia Dortmund
1997/98 Real Madrid
1998/99 Man.Junajtid
1999/2000 Real Madrid
2000/01 Bajern Mynih
2001/02 Real Madrid
2002/03 Milan
2003/04 Porto
2004/05 Liverpul
2005/06 Barcelona
2006/07 Milan
2007/08 Man.Junajtid
2008/09 Barcelona
2009/10 Inter
2010/11 Barcelona

© Panorama.al

Te lidhura