
Sulmuesi shkodran, Xhevair Sukaj, ka udhëtuar ditën e mërkurë drejt Stambollit dhe më pas në Iran për të firmosur me skuadrën e Sepang. Sipas informacioneve, mes lojtarit dhe klubit është arritur një marrëveshje, por problem është bërë Vllaznia, klub ky që ka në pronësi kartonin e lojtarit. Për administratorin e shkodranëve, Kujtim Shaba, Sukaj është i lirë të lëvizë, pasi të kryej detyrimet kotraktuale me Vllazninë. Klubi ka kërkuar 50 mijë euro për kartonin e lojtarit të tyre. “Deri tani kemi vetëm fjalë që lojtari ka arritur një marrëveshje me ekipin iranian, por për më tepër nuk dimë. Nëse ai arrin të bëjë një kontratë, atëherë ne si klub, në bazë të kontratës, do të na ofrohet shuma prej 50 mijë eurosh. Deri tani në arkën e klubit nuk kanë kaluar shuma të tilla. Jemi shprehur krejt qartë se nuk do të pengojmë Sukajn për të lëvizur, nëse do të plotësojë kushtet e kontratës”, ka thënë Kujtim Shaba.











