Sulmoi shtëpinë e artistit, pendohet në gjykatë autori

Jul 14, 2011 | 12:41
Adrian Hoxhallari dje në gjykatë

Gjykata e Pogra-decit ka lënë në arrest me burg 41-vjeçarin Adrian Hoxhallari, autori që gjuajti me armë ndaj banesës së regjisorit Mevlan Shanaj.Pasi ka marrë në konsideratë versionin e ngritur nga Prokuroria për ngjarjen, ku baza kryesore ka qenë e mbështetur në faktin se autori ka pranuar fajësinë, gjykata ka dhënë masën e sigurisë për biznesmenin. Vetë Hoxhallari ka pranuar se ka qenë i pandërgjegjshëm kur ka kryer veprimin dhe ai ka kërkuar përmes avokatit të tij mbrojtës një masë më të lehtë sigurie, me pretendimin e vetëdorëzimit. Adrian Hoxhallari është shprehur i penduar për veprimin e tij, ndërkohë që ka deklaruar para gjykatës se është tepër i penduar për veprimin. “Nuk kam qenë i vetëdijshëm për atë që kam bërë dhe sigurisht që kërkoj ndjesë. As vetë nuk e di sesi ndodhi kështu, pasi e pranoj që ne kemi qenë vërtet fqinjë të mirë”. Nga ana tjetër, Prokuroria ka specifikuar se autori është kapur në flagrancë teksa strehohej në fshatin Osnat. Ndaj Hoxhallarit janë ngritur akuzat për tre vepra penale, “kanosje”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” si dhe “prishje e rendit dhe qetësisë publike”, ndërkohë që në sallën e gjyqit edhe familjarët kanë sjellë pretendimin e vetëdorëzimit të 41-vjeçarit. Sipas xhaxhait të Hoxhallarit, ai është shoqëruar nga vetë familjarët. “Adriani ka qenë në gjendje të dehur kur u largua nga vendi i ngjarjes, por ne kemi biseduar në telefon me të, pasi i doli pija dhe mund ta verifikoni edhe nëpërmjet tabulateve. Kemi qenë ne ata të cilët e këshilluam që të dorëzohej në polici, madje dhe e kemi shoqëruar deri tek dera e komisariatit për t’u vetëdorëzuar”, është shprehur ai. Në seancën e djeshme nuk është përmendur asnjë grindje e ndodhur mes palëve, siç citoi Policia e Korçës pas ngjarjes, pikërisht për një debat për një rrethim në plazh dhe një tjetër për shkak të parkimit. Zhaneta Hoxhallari, nëna e Adrianit, u shpreh dje se kjo ngjarje i ka tronditur të dyja familjet. “E pranoj se kjo ngjarje është tepër e rëndë. Ne kemi muhabet me këtë familje dhe prej vitesh nuk kemi pasur asnjë lloj përplasjeje. E dënoj atë që ka bërë djali im, por alkooli bën gjithçka. Edhe vetë unë e kam përjetuar keq këtë ngjarje, kam 4 ditë që nuk ngrihem dot nga krevati si pasojë e tronditjes që na shkaktoi. Është e vërtetë që djali im e bëri, por di të them se nuk kemi pasur konflikte me familjen Shanaj. Policia gënjen, ne kemi pasur vetëm miqësi, nuk jemi përplasur asnjëherë”, pohoi ajo, duke theksuar se nuk ka asnjë përplasje apo konflikt pronësie me askënd, aq më pak me fqinjët e tyre.

Reagon familja Shanaj: Po na implikojnë me grindje banale

Bashkëshortët Mevlan Shanaj dhe Natasha Lako reaguan dje me anë të njoftimi, duke e distancuar veten nga motivet e deklaruara në media. “Nga deklarimet tona në të gjitha rastet zyrtare dhe ato mediatike është theksuar se ky akt terrori kriminal nuk ka ende motiv të njohur dhe askush nuk mund të japë përgjigje pa investigime dhe gjykime të mëtejshme. Është kjo arsyeja që na bën t’i drejtohemi shtypit dhe opinionit të saktësohet, dhe jo të përbaltet emri ynë, sikur jemi bërë pjesë e një konflikti banal”, theksuan ata. Në fakt, vetë Policia e Korçës, në një komunikatë për shtyp, specifikoi të martën faktin se ngjarja erdhi pas një konflikti, për shkak të një rrethimi në plazh dhe një parkimi makine. “Ritheksojmë se në asnjë rast nuk kemi pasur në asnjë rrethanë konflikt apo shkëmbim fjalësh apo debate që po fabrikohen qoftë prone, parkimi apo edhe të tjera bishta që i vihen këtij krimi. Përkundrazi, kemi theksuar se kemi marrëdhënie miqësore me familjen e atentatorit. Tentativat për të implikuar me grindje banale emra tanë në këtë ngjarje të shëmtuar, duhet të zbardhen nga specialistet, pasi përsëri jemi të tensionuar sepse ka dezinformime të hapura dhe të drejtpërdrejta të motivit të vërtetë”.

 

POGRADEC/ DHORJELA DEMKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura