Sulmi ndaj trupave amerikane në Siri, Trump: 3 të vrarë, u krye nga ISIS! Do të hakmerremi

Dec 13, 2025 | 20:31

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se sulmi i armatosur ndaj një kolone të përbashkët me ushtarë amerikanë dhe sirianë pranë qytetit Palmira, në Sirinë qendrore, ishte një sulm i organizuar nga ISIS-i.

xrwma-trump

Në një reagim publik, Trump tha se nga sulmi kanë humbur jetën tre persona dhe janë plagosur tre të tjerë. “Do të hakmerremi”, theksoi presidenti amerikan, duke shtuar se të plagosurit “janë në gjendje të mirë”.

Trump reagoi edhe përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, ku shkroi:
“Vajtojmë humbjen e tre amerikanëve të shquar, dy ushtarë dhe një përkthyes. Lutemi për shërimin e tre të plagosurve, për të cilët mësoj se po shkojnë mirë. Ishte një sulm i ISIS-it kundër SHBA-ve dhe Sirisë në një zonë shumë të rrezikshme.”

Më herët, dy zyrtarë sirianë i thanë agjencisë Reuters se një autokolonë e forcave siriane dhe amerikane, pjesë e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA kundër Shtetit Islamik, u vu nën zjarr.

Një zyrtar amerikan, Parnell, konfirmoi se misioni amerikan ndodhej në Palmira për një “operacion mbështetës të vazhdueshëm kundër ISIS-it dhe terrorizmit në rajon”, duke shtuar se sulmi është ende nën hetim.

“Të përkushtuar në luftën kundër terrorizmit”

Ambasadori i SHBA-ve në Turqi dhe i dërguari special për Sirinë, Tom Barrack, dënoi sulmin, duke shprehur ngushëllime për viktimat. “Vajtojmë humbjen e tre amerikanëve trima nga personeli ushtarak dhe civil dhe u urojmë shërim të shpejtë ushtarëve sirianë të plagosur”, deklaroi ai, duke theksuar se SHBA-të mbeten të përkushtuara në luftën kundër terrorizmit së bashku me partnerët sirianë.

Agjencia shtetërore siriane SANA raportoi, duke cituar burime sigurie, se dy ushtarë sirianë u plagosën në sulm.

Ky konsiderohet si incidenti i parë i këtij lloji që nga momenti kur një koalicion islamist mori pushtetin në Siri një vit më parë, duke rrëzuar regjimin e Bashar al-Assadit.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, vizita e delegacionit amerikan në Palmira është pjesë e një strategjie të SHBA-ve për zgjerimin e pranisë së tyre në Siri, veçanërisht në zonat shkretinore.

ISIS-i kishte marrë nën kontroll provincën e Palmirës përpara se të mposhtej në vitin 2019 nga koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA. Megjithatë, xhihadistët e mbetur, të tërhequr në shkretëtirën siriane, vazhdojnë të kryejnë sulme sporadike.

Muajin e kaluar, gjatë vizitës në Uashington të presidentit të përkohshëm sirian Ahmad al-Sharaa, Siria iu bashkua zyrtarisht koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it. Forcat amerikane janë të dislokuara në zonat nën kontrollin kurd në veri të Sirisë, si edhe në bazën Al-Tanf pranë kufirit me Jordaninë.

© Panorama.al

Te lidhura