Trump deklaroi se armëpushimi ka mbaruar, SHBA godet sërish Iranin: Synim mbrojtja e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit

Jul 8, 2026 | 23:00

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit, me synimin për të dobësuar më tej aftësinë e Teheranit për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM).

trump nato

Sipas mediave iraniane, shpërthime janë raportuar pranë qyteteve bregdetare Bandar Abbas dhe Sirik.

Përpara largimit nga samiti i NATO-s në Turqi, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA ka shumë gjasa të godasë sërish Iranin. Deklaratat e tij kanë shkaktuar reagime të ashpra nga Teherani.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit e cilësoi Trumpin si një “kriminel”, ndërsa një zyrtar iranian, në një prononcim për CNN, i përshkroi komentet e presidentit amerikan si “të neveritshme”.

Sulmet e reja ajrore u ndërmorën të mërkurën, vetëm pak orë pasi Trump deklaroi se armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit mund të konsiderohet “i përfunduar”.

Komanda Qendrore e SHBA-së bëri të ditur zhvillimin përmes një postimi në platformën X.

“Me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm, forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së kanë nisur sulme shtesë ndaj Iranit për të dobësuar më tej aftësinë e tij për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, thuhet në deklaratën e CENTCOM.

“Megjithatë, Shtetet e Bashkuara e mbajnë Iranin përgjegjës për agresionin e fundit të pajustifikuar ndaj anijeve tregtare dhe ekuipazheve civile që lundrojnë lirshëm në një nga rrugët ujore më të rëndësishme ndërkombëtare”, shtohet në deklaratë.

© Panorama.al

Te lidhura