Subashi: KQZ, jo jashtë politikës

Dec 28, 2011 | 12:34

Dëshira Subashi

“Partitë ta lejojnë të ndëshkojë çdo shkelës të zgjedhjeve”

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, shprehet skeptike ndaj dobisë që do të sjellë ndryshimi i formulës së institucionit zgjedhor. Sipas saj, nuk është e lehtë të gjenden njerëz të depolitizuar dhe të paanshëm në përbërje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Ku do të gjenden këto institucione që do të emërojnë këta të pavarur nga politika, në një interes kaq të madh të politikës për këtë çështje. Cilët do jenë persona të besueshëm për vetë ata, të pavarur, qoftë dhe nga shoqëria civile. Jam pesimiste, nuk besoj që çdo zgjedhje do të sjellë një pavarësi ideale të kërkuar”, u shpreh Dëshira Subashi për televizionin “AS”. Juristja me përvojë të gjatë në proceset zgjedhore, e cila është pjesë e KQZ-së me një mandat të dytë, shprehet se politika duhet të shprehë vullnet që të lejojë administratën zgjedhore të zbatojë ligjin dhe të ndëshkojë të gjithë ata që shkelin ligjin zgjedhor. “Vullneti politik duhet të zgjidhë problemin që të lërë administratën zgjedhore, t’i kërkojë administratës zgjedhore të zbatojë ligjin dhe të nxjerrë para përgjegjësisë çdo nëpunës të lartë të administratës zgjedhore për shkeljet e ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Nuk mund të vazhdohet me këtë strukturë, apo me këtë mendësi të drejtimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thotë Subashi. Administrata zgjedhore jopolitike ishte ndër rekomandimet kryesore të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për komisionin e reformës elektorale. Ky i fundit, ndonëse u konstitua që në nëntor, u mblodh vetëm 2 herë, duke e lënë për 2012-n nisjen e diskutimeve të çështjeve thelbësore për ndryshimin e Kodit. Partitë e vogla të koalicionit të majtë, përmes propozimeve që kanë dorëzuar në selinë rozë, kanë kërkuar ndër të tjera rikompozim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili sipas tyre duhet të jetë jo propozim i partive politike. Ata kërkojnë që formula për një KQZ të re të gjendet nga përvojat më të mira të vendeve me demokraci të konsoliduar, ndërsa rrëzojnë plotësisht përbërjen aktuale të tij. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe komisionet e niveleve të dyta dhe të treta, nga politike të kthehen në apolitike; futja e teknologjisë në procesin e votimit dhe të numërimit; krijimi i mundësive që në zgjedhjet e vitit 2013 të votojnë edhe emigrantët”, janë disa nga propozimet që aleatët e Partisë Socialiste kanë kërkuar të përfshihen në paketën e reformës zgjedhore. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka depozituar gjithashtu një paketë ndryshimesh në komisionin e reformës zgjedhore. “Ndërtimi i administratës zgjedhore me anëtarë apolitikë nga Gjyqësori, shoqëria civile etj., që nuk kanë pasur apo kanë angazhime apo afilime politike. Komisionet e niveleve të dyta e të treta të ndërtohen me jo më shumë se pesë veta. Kjo trupë zgjedhore duhet të jetë e përhershme”, thuhet ndër të tjera në propozimin e këtyre shoqatave. Në rastin e KQZ-së mund të shihet formula, ku përveçse nga Gjyqësori apo nga shoqëria civile, të përfshihen edhe përfaqësues të forcave politike, por ata të jenë në pakicë.

Hysi: Po punohet për formulën e re të KQZ-së

Vasilika Hysi

Ekspertët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore po punojnë për gjetjen e një formule të re të KQZ-së. Kjo u bë e ditur dje nga anëtarja socialiste e këtij komisioni, Vasilika Hysi. “Grupi teknik është duke punuar për modelin e ri të administratës së KQZ-së. Por ajo që ka rëndësi në këtë proces, është vetëm zbatimi i ligjeve. Në Shqipëri është instaluar kultura e moszbatimit të ligjit ose e gjetjes e artificave ligjore për të shmangur zbatimin e ligjit”, u shpreh Hysi.
Komisioni parlamentar i reformës zgjedhore do të nisë në janar seancat dëgjimore me krerët e partive të vogla dhe shoqërinë civile për Kodin e ri Elektoral. “Partitë e vogla kanë ofruar opsionet e tyre, komentet dhe sugjerimet, të cilat janë marrë nga grupi teknik. Ne nuk kemi të planifikuar një mbledhje. Në muajin janar është menduar një axhendë e ngjeshur për të pasur seanca dëgjimore me të gjitha grupet e interesit. Partitë, që nuk janë pjesë e tryezës, do të ftohen për të shprehur të gjitha mendimet e tyre dhe, në rast se kanë amendime konkrete të neneve, ato do të trajtohen një për një”, tha Hysi. Deputetja Hysi tha se Kodi i ri Elektoral do të jetë gati brenda muajit mars. Ajo shtoi se ky komision u ka adresuar letër për të marrë sugjerime edhe nga shoqëria civile, e cila ka vëzhguar zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato lokale. Nga ngritja e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore më 17 nëntor 2011 e deri tani janë zhvilluar gjithsej dy mbledhje, ku në të parën është bërë konstituimi dhe në të dytën u miratua plani i punës. Sipas vendimit të Parlamentit, komisioni i reformës zgjedhore do të ketë një mandat katërmujor. Është parashikuar që gjatë kësaj periudhe të ndryshohen dhjetë kapituj të Kodit Zgjedhor.

Grupi i PS, dreka e fundvitit
Deputetët socialistë të Grupit Parlamentar kanë organizuar dje drekën festive të fundvitit në qytetin e Durrësit. Dreka u zhvillua pranë zonës së Currilave, ndërsa kreu socialist mungoi, për shkak se ai ndodhet jashtë shtetit. Kreu i Grupit, Ruçi, përgëzoi deputetët për performancën e tyre në Parlament dhe i uroi një vit të mbarë. Në drekën e fundit të deputetëve  socialistë për këtë vit, ranë në sy mungesa e Taulant Ballës, Albert Çaçit, Ben Blushit, Arben Malajt etj. Ndërsa burime nga dreka pohuan se ky takim ka shërbyer dhe si një shtensionim pas dy mbledhjeve të fundit me tensione dhe vendimmarrje të debatueshme, siç ishte çregjistrimi i Kastriot Islamit nga Grupi i PS. Të njëjtat burime pohuan se nuk kanë munguar këngët dhe vallet nga deputetët pjesëmarrës në këtë drekë, e cila zgjati rreth 3 orë e gjysmë.

© Panorama.al

Te lidhura