Paguante 12 grosh gjobë ai (ajo) që kapej duke hedhur plehra nga dritarja, kurse ai që priste apo digjte një ulli të huaj, dënohej me 50 perperë. Këto dënime kanë qenë në fuqi mes shek. XIV-XV dhe janë të shkruara e zeza mbi të bardhë në “Statutet e Shkodrës”. Një akt juridik, që rregullonte jetën e shkodranëve, i cili tanimë është i përkthyer edhe në shqip. I botuar disa muaj më parë nga shtëpia botuese “Onufri”, “Statutet e Shkodrës” përbëjnë një dokument të rrallë, një dëshmi e qartë se si ishin rregulluar marrëdhëniet shoqërore në Shqipërinë mesjetare e më konkretisht në Shkodër. Ky akt normativ prej 279 kapitujsh na vjen në sajë të kërkimeve të studiueses italiane, Lucia Nadin, e cila është rikthyer sërish në Tiranë, kësaj here për t’u bërë një tjetër dhuratë shqiptarëve. Bëhet fjalë për variantin e dixhitalizuar të “Statuteve të Shkodrës”, një kopje të së cilës, ajo ia ka dhuruar dje Muzeut Historik Kombëtar.
Kjo vepër ka dalë në dritë krejt rastësisht, ndërsa studiuesja kërkonte në arkivat e Venecias të tjera dokumente mbi marrëdhëniet shekullore mes Serenissima-s dhe Shqipërisë. Ishte viti 1996. Ende pa e ditur vlerën e këtij libri, ajo solli në Shqipëri variantin e fotografuar, të cilin e konsultoi me historianët shqiptarë. E më tej nisi puna për përkthimin e tyre. Profesori i Universitetit të Padovës, Giovan Battista Pellegrini, realizoi përkthimin nga latinishtja e vjetër në italisht dhe më pas historiani Pëllumb Xhufi dhe Vjollca Lisi ndihmuan në përkthimin e tyre në gjuhën shqipe. Ndonëse nuk ka asnjë të dhënë, mendohet që këto statute të jenë përpiluar para vitit 1346 dhe janë transkriptuar fjalë për fjalë pas vitit 1478. Mësohet se në fund të kodit thuhet se këto statute janë shkruar fjalë për fjalë nga origjinali, që ekziston në Arkivin e të Dhjetëve në Venecia, i cili është djegur dhe e vetmja dëshmi mbetet kopja që ndodhet në bibliotekën e Muzeut Correr. Nadin beson se ky rishkrim është realizuar në vitin 1504. Por u desh të kalonin gati 500 vjet që ato të dilnin sërish në dritë.
Statutet e Shkodrës janë një përmbledhje ligjesh e normash juridike, që kanë rregulluar jetën e qytetit të Shkodrës nga vitet 1330, kur janë shkruar, deri në 1479, vitin e pushtimit të qytetit nga turqit osmanë. Në fakt, statutet, që në këtë botim vijnë me 268 kapituj origjinalë e 11 të shtuar në periudhën mes 1392-shit e 1479-s. E gjithë jeta është e përshkruar aty, që nga tregtia, bujqësia, artizanati, ndërtimi, madje dhe pastërtia e ambienteve publike, mbrojtja e pemëve etj. Një vend të veçantë në këto statute zë edhe femra, pozicioni i së cilës duket se është shumë më i privilegjuar se ai në Kanunin e Lek Dukagjinit. Madje, në disa pika ajo konsiderohet si e barabartë me burrin. Si në rastet e pasurisë së vënë së bashku, e cila ndahej në mënyrë të barabartë, apo e drejta e testamentit etj., por mbi të gjitha aty dënohet dhunimi fizik i tyre. Në rastin kur një grua provohet se është e përdalë nga dëshmitarë, nuk parashikohet ndonjë dënim kapital për të, por përcaktohet qëndrimi që duhet mbajtur ndaj tyre.
Pesë shekuj më parë
Mbi hedhurinat
Kreu 24: Urdhërojmë që askush të mos flakë plehra nga dritarja, ballkoni apo qilari në rrugë publike ose çdo lloj rrugëkalimi tjetër të qytetit tonë. Kundërvajtësit do të ndëshkohen me 12 grosh gjobë, gjysma e të cilave do t’i shkojë Kontit dhe gjysma Komunës.
Mbi prerjen e drurëve
Kreu 42: Nëse provohet me dëshmi të sigurta se dikush ka prerë ose ka djegur qëllimisht ullirin e huaj, fajtori dënohet me 50 perperë Sklavonie, që ndahen përgjysmë mes Kontit dhe atij që e ka pësuar dëmin. Nëse nuk arrihet të provohet, i dëmtuari bën betimin bashkë me gjashtë dëshmitarë.
Mbi gratë e përdala
Kreu 87: Nëse një grua provohet se është e përdalë nga dëshmia e dy ose tre burrave, të mos lejohet të mbajë kapelë në kokë, siç është zakoni ynë, as të shoqërohet me këdo. Nuk i lejohet të rrijë ose të banojë pranë zonjave fisnike…”
Mbi fyerjen publike
Kreu 92: I ndalohet çdo qytetari t’i drejtohet bashkëqytetarit të tij me fyerjen “ti je tradhtar i Mbretit” ose “i Komunës”, si dhe të grishë në dyluftim tjetrin për çfarëdolloj shkaku. Kush vepron ndryshe, do t’i dorëzojë kryezotit tonë 500 perperë.











