TIRANE- Ligji i sapomiratuar për menaxhimin e mbetjeve urbane, që lejon importimin e tyre nga shtete të tjera drejt industrive ricikluese mbështetet vetëm nga 9 për qind e popullatës shqiptare.
Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga Instituti IDRA, ku theksohet se 80 për qind e qytetarëve janë të informuar për ligjin e ri dhe kërkojnë të mbahet një referendum kombëtar për importimin ose jo të mbetjeve urbane, sepse kjo është një çështje e rëndësishme për Shqipërinë, njofton Zëri i Amerikës.
Studimi nxorri edhe rezultatin që nëse referendumi do të mbahej, atëherë vetëm 9 për qind e të anketuarve do të votonin pro importit të mbetjeve urbane, 78 për qind do të votonin kundër këtij importimi, ndërsa 12 për qind janë të luhatur ose nuk do të merrnin pjesë në votim.
Studimi dhe anketimi i fundit i Institutit IDRA është kryer vetëm në grupe që përfaqësojnë banorët e qyteteve të mëdha të Shqipërisë, me synimin për të mbledhur mendimin në zonat urbane, sepse mendohet që zonat fshatare janë natyrshëm të interesuara për mbrojtjen e mjedisit.
Studimi ka zbuluar se mediat e kanë bërë si duhet punën e tyre; 83 për qind e të intervistuarve nga të gjithë grupmoshat pohojnë se janë të informuar mbi ligjin e menaxhimit të mbetjeve. Njohja e ligjit në Tiranë është po aq e madhe sa edhe në qytetet e tjera. Rreth 70 për qind e të interesuarve pohojnë se e dinë mirë që ligji i ri për menaxhimin e mbetjeve e lejon importimin e tyre, ndërsa pjesa tjetër thotë se nuk e di, ose nuk e lejon.
Studimi i IDRA-s u publikua sot një ditë pasi Aleanca Kundër Importimit të Plehrave nisi të mbledhë firmat e banorëve në qytetet më të mëdha të vendit për të kërkuar mbajtjen e një referendumi.
© Panorama.al











