
Dhjetëra studentë të universiteteve publike në Tiranë protestuan dje para Ministrisë së Arsimit. Me pankarta në duar, për më shumë se 30 minuta ata kundërshtuan tri nisma ligjore të Ministrisë. Bëhet fjalë për stazhin në profesionet e rregulluara, reformën financiare dhe provimin e detyrueshëm të anglishtes. ”Dy prej këtyre nismave pengojnë diplomimin, ndërsa reforma financiare shkon në favor të universiteteve private dhe nuk sjell asgjë për ne si studentë në universitetet publike”, thanë përfaqësuesit e studentëve. Të pyetur nga gazeta se kë përfaqësonin si grupim, ata u përgjigjën se janë organizuar krejt në mënyrë të rastësishme. Gjithsesi, burime brenda Ministrisë së Arsimit i cilësuan këto protesta të nxitura enkas për shkak të zgjedhjeve në shkollat e larta, të cilat pritet të mbahen shumë shpejt. Zyrtarisht ky dikaster nuk bëri dje asnjë reagim tjetër. Nga ana e tyre, studentët kanë theksuar se nëse Ministria nuk do të reflektojë ndaj kërkesave të tyre, protestat e studentëve do të përshkallëzohen. Sipas tyre, ligjet dhe projektligjet e hartuara nga Ministria e Arsimit po i dëmtojnë ata gjithnjë e më shumë. “Ministria e linjës duhet të ndryshojë metodën e certifikimit të gjuhës angleze, pasi u heq të drejtën studentëve që të licencohen për ushtrimin e profesionit”, kanë deklaruar një pjesë e tyre. Prej disa javësh studentët e universiteteve publike kërkojnë ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë. Ai detyron çdo student të ciklit master që para përfundimit të studimeve dyvjeçare, të mbrojë gjuhën angleze sipas standardeve ndërkombëtare. Protestat e të rinjve në këtë periudhë zgjedhjesh për drejtuesit e rinj të shkollave të larta kanë ndarë në dy kampe edhe qëndrimet e stafeve të pedagogëve. Drejtues të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe pedagogë e cilësojnë të parakohshëm ligjin, pasi, sipas tyre, studentët shqiptarë sot kanë mangësi të theksuara me shqipen. Kreu aktual i Universitetit të Tiranës mbështet ligjin, ndërsa akuzon Ministrinë për ndërhyrje në përcaktimin e shkallës së vështirësisë së njohjes se anglishtes.
Sezoni i provimeve
Më 20 shkurt, studentët dhe stafi akademik do t’u drejtohen kutive të votimit për krerët e rinj të shkollave të larta. Për shkak të zgjedhjeve është shtyrë sezoni i provimeve. Çdo vit, për semestrin e parë, ato kanë përfunduar në shkurt, por këtë vit do të nisin në fund të tij dhe do të vijojnë gjatë marsit. Sipas rregullores, procesi mësimor për programet e semestrit të parë dhe të dytë do të vijojë rregullisht deri në datën 24 shkurt 2012. Sezoni i provimeve të semestrit të parë do të fillojë në datën 27 shkurt 2012.











