Rep- artisti Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, gjatë udhëtimit për në Zvicër ndalohet në aeroport për dy orë me radhë, për shkak se nuk kishte me vete garancinë e udhëtimit nga organizatorët e koncerteve. Siç thekson këngëtari, ai ka pësuar dhe në një aksident pa pasoja të mëdha dhe tani po qëndron për kurim, kurse nga java tjetër pritet që të rikthehet në aktivitetet muzikore.
NDALOHET DY ORË NË AEROPORT PËR MUNGESË GARANCie
Stresi kishte udhëtuar drejt Zvicrës për të realizuar disa koncerte atje, i ftuar nga disa organizatorë eventesh të cilët siç duket nuk ia kishin shpjeguar të gjithë çështjen e udhëtimit drejt Europës pasi këngëtari me vete nuk kishte pasur garancinë që i lejonte qëndrimin brenda territorit zviceran. Këtë gjë më mirë e përshkruan ai, në disa prononcime dhënë “Panorama plus”, ku thotë: “U ndalova në aeroport për nja dy orë, pasi nuk pata me vete garancinë e klubit ku do këndoja”, thekson Stresi, i cili thotë se edhe veshja e tillë si reper jashtë bën ndonjëherë përshtypje. “Normalisht, veshja si reper të penalizon në raste të tilla. Kur erdhi garancia, unë vazhdova normalisht…”, tregon Stresi.
PAS AKSIDENTIT ANULON KONCERTET
Për shkak të aksidentit Stresi ka qenë i detyruar gjithashtu të anulojë disa koncerte të prenotuara në disa diskoteka shqiptare në Zvicër. Për momentin, rep artisti është duke u kuruar dhe nga java tjetër mendon të rikthehet në aktivitetet muzikore. “Në Zvicër pata disa koncerte, të cilat nuk i zhvillova dot sepse pësova një aksident pa pasoja të rënda. Ndaj, koncertet i shtyva dhe tani jam drejt fundit të kurimit. Nga java tjetër, madje kthehem…”, tregon këngëtari duke ditur që tashmë përveç koncerteve dhe aktivitetet muzikore të cilat i ka në axhendën, së shpejti pritet të shfaqet klipi i tij si dhe pjesmarrja e konfirmuar në festivalin modern “Top Fest”, duet me këngëtaren Ronela Hajati.
BISEDIME PËR BASHKËPUNIM ME NJË REPER TË HUAJ
Meqë jemi tek bashkëpunimet muzikore, Stresi së bashku me stafin e tij janë në bisedime për realizimin e një bashkëpunimi me një reper shumë të njohur, emrin e të cilit momentalisht derisa të konkretizohen gjërat, po e mban shumë sekret. “Madje, jam në bisedime për bashkëpunim me një reper të huaj”, përfundon rrëfimin e tij Stresi, i cili tani gjendet në kurim mjekësor, kurse ne i urojmë shërim të shpejtë, duke u rikthyer akoma më i fortë.
BLERAND REXHEPI
© Panorama.al











