
Kreu i Misionit të ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit, Xhonatan Stonstrit, kërkoi dje nisjen sa më shpejt të punës për reformën zgjedhore. Pak para largimit nga Shqipëria, pas një vizite të shkurtër me takime intensive me krerët e shtetit dhe partive politike, Stonstrit kërkoi një reformë gjithëpërfshirëse. “Të gjitha palët janë të interesuara të fillojë reforma zgjedhore, kjo të bëhet pa u nxituar dhe të lihet kohë deri te zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të gjithë ranë dakord që reforma të jetë gjithëpërfshirëse, ku të jenë të pranishme si partitë parlamentare, ashtu edhe ato jashtë Parlamentit, si dhe shoqëria civile. Ka ardhur koha për t`u ndërmarrë hapa konkretë. ODIHR-i mbetet i gatshëm që të japë asistencën për sa kohë që kjo kërkohet nga institucionet shqiptare”, u shpreh Stonstrit. Sipas tij, asistenca ka të bëjë me rishikim të draftit dhe ekspertizë në tryeza të ndryshme që mund të zhvillohen në Shqipëri. Duke iu rikthyer procesit zgjedhor të Tiranës, Stonstrit u shpreh se ky proces u zhvillua në një situatë të pazakontë dhe një klimë të tensionuar politike. “Situata e numërimit ishte e pazakontë për shkak të rezultatit të ngushtë dhe ndodhi në një moment të tensionuar politik. Prandaj theksoj se procesi i reformës zgjedhore është serioz dhe duhet të ndërmerren hapa të rëndësishëm që të kthehet besimi te zgjedhjet”, u shpreh Stonstrit.
Volfarth: Reforma të merret seriozisht
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, u kërkoi dje partive politike ta marrin seriozisht reformën zgjedhore. “Presim nga partitë politike ta marrin seriozisht reformën. Duhet mirëkuptim dhe kontribut nga partitë. E rëndësishme është të vazhdojë puna në Kuvend”, tha Volfarth. Këtë deklaratë, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë i bëri pas takimit të tij në Durrës, ku ishte i ftuar në ceremoninë e mbylljes së shkollës verore të grave të zgjedhura si kandidate këshillash bashkiakë











