Steven Spielberg fiton çmimin e tij të parë “Grammy” dhe i bashkohet klubit “EGOT”

Feb 2, 2026 | 17:31

Steven Spielberg ka fituar për herë të parë në karrierën e tij një çmim Grammy, duke u bërë pjesë e të ashtuquajturit klubi “EGOT”. Kjo do të thotë se ai tashmë renditet mes artistëve që kanë fituar çmimet Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony.

steven_spielberg

Regjisori legjendar u vlerësua në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy në Los Anxhelos, si producent i dokumentarit Music By John Williams, i cili fitoi çmimin për Filmin më të Mirë Muzikor.

Dokumentari eksploron jetën dhe veprën e kompozitorit shumëvjeçar dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Spielbergut, John Williams, i njohur për muzikën ikonike të filmave E.T., Jaws, Jurassic Park, Indiana Jones dhe Schindler’s List, mes shumë të tjerëve.

Me këtë sukses, Spielberg hyn zyrtarisht në elitën e artistëve që kanë arritur të fitojnë të katër çmimet më prestigjioze të industrisë së argëtimit — EGOT (akronim i Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony). Regjisori dhe producenti ka fituar më herët disa çmime Oscar dhe Emmy, si edhe çmimin Tony në vitin 2022 për Muzikalin më të Mirë, për produksionin A Strange Loop.

Spielberg nuk ishte i pranishëm për të marrë çmimin, por në ceremoni mori pjesë regjisori i dokumentarit, Laurent Bouzereau, i cili falenderoi Spielbergun për ndihmën në “tregimin e historisë së një prej zërave më të mëdhenj muzikorë të të gjitha kohërave”.

Ndërkohë, Spielberg pritet të garojë për një tjetër çmim Oscar në javët në vijim, si producent i dramës emocionale Hamnet të regjisores Chloé Zhao, e cila ka marrë disa nominime për Oscar.

© Panorama.al

Te lidhura