
Kryenegociatori serb, Borislav Stefanoviç, para se të ulej në tryezën e bisedimeve, ka kërkuar të zhvillojë një takim me zyrtarë ndërkombëtarë. Mediat serbe raportuan se Brukseli e ka pranuar kërkesën e bërë nga Beogradi, si kushtin e tij për vazhdimin e bisedimeve me Prishtinën. Stefanoviç do të takohej me ndërmjetësin e BE-së, Robert Kuper, dhe zyrtarin e Departamentit të Shtetit, Filip Riker, për të diskutuar mbi pikat kufitare të Bërnjakut dhe Jarinës. Këto çështje nuk do të jenë në tryezën e bisedimeve me palën kosovare, e cila e ka refuzuar kategorikisht hapjen e një teme të tillë. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se “ai nuk mund të flasë me ndërmjetësin Kuper dhe përfaqësuesit e SHBA për temat e brendshme të Kosovës, sepse BE dhe SHBA i kanë dhënë mbështetje të plotë Kosovës për implementimin e planit për Veriun”.











