Stefanoviç: Duam 20 për qind nga toka me minerale e Kosovës

Sep 13, 2011 | 11:21
Borisllav Stefanoviç

Zyrtarët serbë po pranojnë edhe publikisht se qëllimi i tyre është që të marrin 20 për qind të tokës së saj në Veri (jugu i Serbisë), një tokë e pasur me minerale dhe burime ujore. Deklarata u bë nga kreu i delegacionit serb për negociatat me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, i cili tha për “EUObserver” se territori, i cili është rreth 20 për qind e Kosovës dhe përmban burime ujore dhe minerale, duhet të ndahet nga Jugu. “Ka shumë ide. Ato nisin nga ndarja, në statusin special, në autonomi dhe forma të tjera. Të gjitha këto ide janë legjitime dhe duhet të vendosen në tryezë. Ka mijëra serbë që nuk duan të jetojnë nën autoritetin shqiptar dhe ky është realiteti që duhet të justifikohet, njëlloj si realiteti që ka 1.6 milionë shqiptarë (kosovarë) që nuk duan të jetojnë në Serbi”, tha ai. Ai kërcënoi se Prishtina do të ketë telashe nëse dërgon sërish policët e saj në Veri. EULEX i ka konfirmuar dje zyrtarisht Beogradit se nuk ka më kthim para gjendjes së 25 korrikut dhe se kontrolli i plotë në dogana, bashkë me doganierë e policë të Kosovës, do të ushtrohet që nga 16 shtatori. “Nëse Thaçi sjell doganierët e tij, duke ditur mospajtimin e fortë që ne kemi mbi këtë, veçanërisht në Veri, ne do të kemi një krizë të re”, tha ai duke shtuar “nuk ka stabilitet pa miratimin e Serbisë. Ne mund të vazhdojmë të jemi kokëfortë dhe ata mund të këmbëngulin për njohjen e disa vendeve. Por, kjo nuk do të zgjidhë problemet e tyre ekonomike dhe sociale, ose t’i ndihmojë ata të bëhen anëtarë të BE-së”. Stefanoviç ka deklaruar gjithashtu se Serbia shpreh keqardhje për vrasjen e policit kosovar në Veri dhe se vrasja e tij, “përkundër deklaratave të Prishtinës”, nuk është urdhëruar nga Beogradi. Megjithëse me një muaj e gjysmë vonesë, Beogradi e shprehu keqardhjen për vrasjen e policit shqiptar nga serbët, më 25 korrik 2011, kur policia e Kosovës kreu aksionin e saj në Veri. Zemërbutësia e zyrtarit serb u paraqit pikërisht tani kur Serbia pret të marrë statusin kandidat i BE-së, këtë vjeshtë.

© Panorama.al

Te lidhura