Statusi kandidat, PE: Shansi i fundit për Shqipërinë, në 2012

Dec 9, 2011 | 13:06
Viktor Boshtinaru

Deputetët e Parlamentit Europian “zbarkojnë” në  Tiranë, ku zhvilluan takime me krerët e lartë të shtetit. Delegacioni i kryesuar nga Eduard Kukan dhe parlamentarët Viktor Boshtinaru, Tanja Fajon, Antonio Cancian, Stanimir Ilchev, Michail Tremopoulos, kanë takuar fillimisht kryeparlamentaren Topalli, më pas Presidentin Topi dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë takimit me kreun e shtetit, Bamir Topi, europarlamentarët kanë vlerësuar klimën e përmirësuar politike nga marrëveshja PD-PS. Sipas burimeve zyrtare mësohet se Kukan ka përgëzuar rolin ekuilibrues të Topit në uljen e tensioneve politike. Në këtë takim mësohet se Kukan dhe Boshtinaru theksuan se fajtorët për krizën politike dyvjeçare dhe për kohën që Shqipëria ka humbur në procesin e integrimit, ishin aktorët kryesorë të partive politike. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se në këtë bisedë, nënkryetari i Delegacionit të PE-së, Viktor Boshtinaru, është shprehur i skandalizuar nga tentativat e disa zërave për ta përfshirë Presidentin në një “coup d’êtat“ (grusht shteti). Në këtë takim, eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, theksoi se rinia shqiptare duhet të luajr një rol kryesor në demokratizimin e shoqërisë, në fusha të ndryshme.
Takimi me Topallin
Përplasja e një viti më parë midis kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe eurodeputetit Viktor Boshtinaru, është reflektuar dhe në takimin e djeshëm. Zëvendëskryetari i Delegacionit për Ballkanin në PE, Viktor Boshtinaru, pjesë e Delegacionit të Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–BE, nuk ka marrë pjesë në takimin me kryetaren e Kuvendit. Ky fakt konfirmohet dhe nga burime pranë Kuvendit. Përplasja Topalli–Boshtinaru daton që në muajin mars të këtij viti në Parlamentin Europian, kur Boshtinaru ka deklaruar se është ndjerë i fyer nga deklaratat e Topallit se ai është antishqiptar dhe i korruptuar. Por, këto pohime Topalli i ka përforcuar gjatë fjalës së saj në PE, duke argumentuar me faktin se Boshtinaru kishte kërkuar miratimin e një rezolute kundër heqjes së vizave për shqiptarët. Kjo përplasje e vjetër duket se nuk është “kapërdirë” nga palët.
Shansi i fundit
Eurodeputetët kanë lëshuar një apel të fortë ndaj klasës politike gjatë takimit me studentët e shkollës politike. Kukan dhe Boshtinaru e kanë cilësuar vazhdimin e axhendës së integrimit si shansin e fundit që ka Shqipëria për të marrë një përgjigje pozitivë për integrimin në BE. ”Shqipëria ka humbur shumë kohë në garën e proceseve integruese, shkaktuar nga ngërçi politik. Kjo është arsyeja përse vendi juaj nuk e mori statusin e vendit kandidat. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar. Nëse vizita jonë është e suksesshme, atëherë kjo do të jetë një ndihmë për klimën e re politike, që shpresojmë të jetë e qëndrueshme në të ardhmen”, u shpreh Eduard Kukan. Eurodeputeti rumun, Viktor Boshtinaru, bëri përgjegjëse dy partitë e mëdha politike për ngadalësimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së. ”Nëse ndalem në axhendën e 2012-s, atëherë duhet të them se ky është shansi i fundit, ose për të arritur sukses duke përshpejtuar reformat për të marrë më pas statusin e vendit kandidat, ose në mënyrë dramatike, për të humbur mundësitë që mund të mos përsëriten në të ardhmen. Mesazhi është i qartë: mos luani me proceset integruese si një çështje të pafund sherresh politike”, theksoi Boshtinaru.

Fratini: Rama punon kundër interesave të Shqipërisë
Pas deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar të PPE-së në Parlamentin Europian, Joseph Daul, edhe ish-ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, akuzon kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Në një takim me Kryeministrin Sali Berisha, zyrtari i lartë i partisë së Berluskonit u shpreh se lideri i opozitës punon kundër interesave të vendit. “Është e tmerrshme, e tmerrshme. Kryeministri Berisha ka një kundërshtar si Rama, që gjithmonë punon jo vetëm kundër Kryeministrit, por fatkeqësisht edhe kundër Shqipërisë. Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në realizimin e reformave dhe të zbatimit të atyre reformave që ka premtuar të realizojë. Unë mendoj se i rëndësishëm këtej e tutje është vazhdimi i zbatimit të planit të reformave. Mendoj se Shqipëria meriton besimin e Bashkimit Europian”, ka deklaruar Fratini. Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të djathtë, Daul, ka theksuar se “raporti ynë me parlamentarët europianë është pozitiv në drejtim të integrimit të Shqipërisë. Jam i vetëdijshëm që ekzistojnë ende disa probleme teknike që edhe komisioneri Fyle na i ka paraqitur në analizën e tij më të fundit, madje unë kam folur për këto edhe me Kryeministrin Sali Berisha për zgjidhjen e tyre”.

Deputeti i PS: Braçe: Jozef Daul është idiot
Deklaratat e Jozeph Daul, sipas të cilit “Rama është pak i sëmurë mendor”, kanë ngjallur reagimin e deputetit socialist Erjon Braçe. Në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, Braçe u kërkoi miqve të tij t’i shkruajnë anëtarit të Parlamentit Europian për ngjarjet e 21 janarit dhe të kërkojë falje për fjalën ndaj Ramës. “Tregoi Joseph Daul se ç’është 21 janari! Tregoi se si u vranë Ziveri, Hakurani, Faiku dhe Aleksi! Tregoi se si i morën plumbat në kokë dhe në gjoks! Tregoi se në duar kishin asgjë! Tregoi se ishin në bulevard, jashtë çdo rrethimi mbrojtës, por përballë selisë së Kryeministrit! Tregoi se i qëlluan truprojat e batalionit special të Kryeministrit Sali Berisha, mikut të tij gjakatar! Kërkoi një shpjegim Jozeph Daul, publik po aq sa avokatia e tij për Kryeministrin tonë gjakatar! Në fund: kujtojini se duhet të kërkojë ndjesë publike për deklaratat e tij tejet fyese për çdo shqiptar (përveç mikut të tij gjakatar). E fundit dhe ky është konkluzioni im, arritur pas disa kërkimeve për liderin e deputetëve të djathtë në PE: NUK KA IDIOT ME TE MADH SE JOSEF DAUL!!”, shkruan Braçe.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura