Starton sot java e parë e kampionatit të 73-të të Superiores. Skënderbeu, kampioni në fuqi, do të presë Tomorin, skuadër kjo e ngjitur pas 9 vitesh në elitë. Ndërkaq, të paktën tri skuadra, Tirana, Flamurtari dhe Vllaznia do kërkojnë me ngulm “kurorën” e korçarëve.Edhe pse dështoi në finalen e parë të sezonit, atë të Superkupës, trajneri i Skënderbeut, Shpëtim Duro, pohon se ka një skuadër të mirë dhe do të kërkojë të mbrojë titullin që nga takimi i parë me Tomorin. “Kemi pasur tre muaj stërvitje që, siç dihet nga të gjithë, është një periudhë shumë e stërzgjatur. Kjo edhe për faktin se ne jemi skuadra që i kemi nisur më herët përgatitjet për shkak të pjesëmarrjes në Champions League. Pavarësisht stërzgjatjes, kjo ka dhe një anë pozitive. Skuadra është e përgatitur, madje shumë, pasi është punuar dhe gjatë kësaj kohe janë zhvilluar miqësore të shumta, kemi punuar në seanca paradite dhe pasdite. Fazë përgatitore e gjatë, por ka sjellë një skuadër të plotë dhe të gatshme për një kampionat si ky që është në “prag”, ka theksuar Duro. Tekniku nuk tregon sekretet e formacionit që do të hedhë në fushën e lojës, por bën të ditur skemën e tij të preferuar me të cilën do ta fillojë lojën.
Deklarata – “Skuadra ka pasur probleme psikologjike pas humbjes sidomos të Superkupës, por është një ndeshje që e kemi harruar, sepse objektivi i punës sonë tremujore nuk ka qenë Superkupa. Jemi kampionë dhe duhet të ruajmë këtë titull që kemi. Shpeshherë trajneri, i detyruar nga situata të veçanta gjatë lojës, skemën e lojës e ka të imponuar në varësi të lojtarëve që ka. Në të gjitha skuadrat që kam qenë, skema ime e preferuar ka qenë 4-3-3, por dhe 4-4-2 ose 4-2-4. Skema ime do të jetë 4-3-3 dhe 4-2-4, te ky Skënderbe dhe te ky takim. Sigurisht që mund të ndryshosh diçka gjatë ndeshjes në varësi të rezultatit, lojës, kundërshtarit dhe zhvillimeve të saj. Skuadra është e plotë në të gjitha repartet dhe kjo është mjaft thelbësore në një ekip ku pretendimet dhe objektivat janë të mëdha”, ka vazhduar Duro.
Formacioni – Në fund, tekniku ka vlerësuar organikën që ka në dispozicion, duke pohuar se ka një skuadër të mirë, ku secili lufton për një vend në formacion. “Ka konkurrencë në të gjitha repartet dhe çdo futbollist e ka të qartë që të kontribuojë sa më mirë në fushë, sepse ka dhe lojtarë të tjerë që janë super të gatshëm për të kontribuar për skuadrën, por ka dhe lojtarë të rinj që mund të japin këtë kontribut më së miri. Janë 4-5 lojtarë të rinj, që i shoh mjaft mirë në ekip. Skënderbeu ka të veçantën e tij se ka shumë futbollistë që luajnë në shumë pozicione, që do të thotë se kanë mundësi të japin shumë në fushën e lojës. Objektivi? Jua tash, dua tri pikë përballë çdo rivali, pavarësisht se duket shumë e vështirë”, ka thënë Duro.
Festë në Korçë
Në Korçë starti i kampionatit konsiderohet si një festë e vërtetë. Përgatitjet kanë nisur nga fillimjava, ndërsa drejtuesit e klubit të futbollit, nga ana tjetër, kanë menduar dhe një ceremoni zyrtare. Kështu, bëhet e ditur se artistë të shumtë të njohur do të performojnë para nisjes së takimit, duke mos i bërë të ditur emrat e tyre dhe as të veçantat e kësaj feste.
Josa i druhet Laçit, por kërkon fitore
Trajneri Mirel Josa nuk e diskuton fitoren me Laçin, ndonëse thekson se kundërshtari ka një ekip cilësor. “Ndihemi gati, ndaj pres që Vllaznia të zbresë në fushë dhe të tregojë se sa vlen. Fatmirësisht, gjendja e skuadrës është e mirë, si në aspektin taktik, edhe atë fizik. Lojtarët janë të gjithë të gatshëm, duke qenë se nuk kemi të dëmtuar dhe kjo është në favorin tonë”, tha kreu i pankinës. Vllaznia gjithnjë futet në fushë për të fituar, kësisoj edhe këtë herë synimi mbetet i njëjtë. “Natyrisht që duhet ta nisim me fitore, pasi na ndihmon shumë për vazhdimësinë. Për këtë na nevojitet përqendrim nga lojtarët, sepse sot nuk ka skuadra të vogla apo të mëdha”, tha Josa.
Ndeshjet
Superiore/ Java 1
Sot
Bylis–Shkumbini 16:00
Vllaznia–Laçi 16:00
Skënderbeu–Tomori 20:00
Nesër
Apolonia–Dinamo 15:00
Flamurtari–Kamza 16:00
Të hënën
Kastrioti–Pogradeci 16:00
Tirana–Teuta 18:00
Kategoria 1/ Java 1
Skrapari-Elbasani 16:00
Besëlidhja-Himara 16:00
Luftëtari-Vlora 16:00
Lushnja-Mamurras 16:00
Butrinti-Kukësi 16:00
Burreli-ADA 16:00
Besa-Gramozi 16:00
Iliria-Gramshi 16:00
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











