Stanimir Miloskoviç është fantazisti që kërkon prej dy muajsh Vllaznia. Burime të sigurta pranë trajnerit Mirel Josa kanë konfirmuar dje për “Panorama”, se lojtari serb është një alternativë serioze për të plotësuar boshllëkun në skuadrën shkodrane. Mesfushori 27-vjeçar e ka nisur karrierën te Radniçki në Serbi, teksa ka luajtur nga viti 2001 deri në 2005-n. Më pas, karriera e lojtarit ka vazhduar në Greqi me skuadrën e Kallamatës. Pas qëndrimit për tri sezone te ky ekip, Miloskoviç kaloi te Dhiagora, ku qëndroi deri në vitin 2010. Në pjesën e dytë të sezonit të kaluar serbi u rikthye te Radniçki, por aventura te ekipi i vendlindjes zgjati pak. Një ofertë e Pierikosit, klubit që militon në Ligën e Dytë greke, i prishi mendjen fantazistit serb. Ai mbylli sezonin te Pierikosi, duke përfunduar edhe kontratën me këtë klub. Momentalisht, Miloskoviç është një lojtar i lirë dhe nga bisedimet që menaxheri i tij ka bërë me përfaqësuesit e klubit shkodran, serbi ka shfaqur dëshirën për t’u bërë pjesë e Vllaznisë. Megjithatë, gjërat nuk janë konkrete, pasi trajneri Josa kërkon që ta vëzhgojë mirë lojtarin, përpara se klubi t’i bëjë ofertën.











