Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato iu përcolli një mesazh magjistratëve të rinj gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare, Ndërveprimi i drejtësisë me median.
Ai theksoi se institucionet nuk ndërtohen vetëm me ligje, por ata kanë nevojë për një ndryshim të mendësisë dhe të kulturës së njerëzve që shërbejnë në to. Sipas Gonzatos, ky transformim nuk është arritur ende plotësisht dhe se në disa raste vazhdon të ekzistojë hezitim për të pranuar natyrën kolegjiale të vendimmarrjes në institucione.
Gonzato theksoi se brezi i ri i magjistratëve duhet të përqafojë këtë mendësi të re. Sipas tij, ata do të mbajnë një përgjegjësi të jashtëzakonshme, pasi çdo vendim i tyre do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën, liritë dhe të drejtat e qytetarëve.
“Objektivi nuk është thjesht arsimimi juaj, por tek ju të përçojë ato vlera që t’ju shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Ju do të ofroni një shërbim publik se çdo vendim që do të merrni do të ndikojë në jetën e qytetarëve, të ardhmen, liritë dhe të drejtat e tyre.
Përgjegjësia që keni është tejet e madhe dhe kjo kërkon shumë më shumë sesa njohuri teknike, por mbi të gjitha kërkon integritet, ndershmëri, pavarësi, guxim e kurajë por edhe të jeni të përulur, sepse duhet të pranoni që ndoshta ndonjëherë edhe nocioni i parë mund të mos jetë i drejti. Duhet të jeni të përulur jo arrogantë.
Roli i magjistratëve bëhet edhe më i rëndësishëm ndërsa Shqipëria ecën drejt BE. Të arrish standardet evropiane nuk bëhet thjesht me ligjet, por arrihet edhe me anën e punës së përditshme të gjyqtarëve e prokurorëve se ju do të jeni ata që do të merrni masat që ligji të zbatohet.
Institucionet nuk krijohen vetëm nga ligjet e rregulloret, por kërkojnë edhe ndryshim kulture e mendësie të atyre që punojnë aty. Nuk jam i bindur se është arritur ende ky ndryshim mendësie. Ndonjëherë ka hezitim për të pranuar natyrën kolegjiale të disa vendimeve që janë të rëndësishme dhe që duhet të marrin institucionet e drejtësisë.
Jeni ju brezi i ri që të arrini atë pritshmëri që drejtësia të ofrohet në kohë dhe me cilësi të lartë. Brezi juaj duhet të mishërojë këtë kulturë e mendësi të re, ku pavarësia e drejtësisë nuk arrihet vetëm me ligje, por me anën e sjelljes tuaj profesionale dhe duke treguar udhëheqje morale.”, theksoi ambasadori.
Ambasadori kujtoi se asnjë institucion i drejtësisë nuk mund të funksionojë i izoluar. Sipas tij, të gjitha duhet të bashkëpunojnë si pjesë e një mekanizmi të vetëm, me një objektiv të përbashkët, shërbimin ndaj qytetarëve dhe sundimin e ligjit.
“Asnjë institucion nuk është ishull më vete, nuk duhet të punojë i izoluar. Të gjitha institucionet e drejtësisë janë pjesë e një sistemi të vetë, që i bashkon shërbimi ndaj qytetarëve dhe sundimit të ligjit. “, u shpreh Gonzato.
© Panorama.al












