Kryetari i PD, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të jap dorëheqjen dhe të largohet nga qeveria, duke iu bashkuar thirrjeve të mijëra qytetarëve që protestojnë për rreth një muaj tashmë në Tiranë.
Ai u ndal fillimisht te shpallja “non grada” e një qytetareje nga Kosova që merrte pjesë në protestë dhe kishte një foto me ish-presidentin iranian, Ahmedinaxhadin. Sipas Berishës edhe Rama është takuar në Teheran me Ahmedinaxhadin.
“Shpall non-grata një zonjë sepse kishte një foto me Ahmedinaxhadin. Po më lejoni t’u tregoj një gjë o qytetarë. Kam qenë kryeministër në pushtet kur shërbimet e huaja më informojnë se Edi Rama ka shkuar në Teheran dhe është takuar me Ahmedinaxhadin.
Dhe se Erion Veliaj e ka bërë atë rrugë disa herë. Dhe natyrisht nga hetimet e organeve kompetente doli se të paktën në një rast, Rama kishte shkuar në Internacionalen Socialiste të mbledhur në Iran nga Ahmedinaxhadi”, tha ai.
Ai komentoi edhe bluzën me stampimin e një famingoje që Rama kishte veshur disa ditë më parë, duke i thënë se ai s’mund të stampoj kurrë falamingot, por “Lubi Ballukun, dy Lindat, Gys Agasin, Engjëll Agaçin, Arubën.”
“Ti mund të stamposh në bluzën tënde Lubi Ballukun, dy Lindat, Gys Agasin, Engjëll Agaçin, Arubën. Mund të stamposësh drogën, kokainën, por kurrë flamengot. Edi Rama, për ta mbyllur, thirrja ime është jep dorëheqjen menjëherë se ti je armiku më i egër i të rinjve shqiptarë. Je arrogant, je cinik, ti i urren ata dhe kërkon që ata të largohen nga Shqipëria. Ndaj dhe jep menjëherë dorëheqjen sepse po soset durimi i tyre.”, tha Berisha,
Berisha zbulon: Shpall non-grata një zonjë sepse kishte një foto me Ahmedinaxhadin. Po më lejoni t’u tregoj një gjë o qytetarë. Kam qenë kryeministër në pushtet kur shërbimet e huaja më informojnë se Edi Rama ka shkuar në Teheran dhe është takuar me Ahmedinaxhadin.
Dhe se Erion Veliaj e ka bërë atë rrugë disa herë. Dhe natyrisht nga hetimet e organeve kompetente doli se të paktën në një rast, Rama kishte shkuar në Internacionalen Socialiste të mbledhur në Iran nga Ahmedinaxhadi.
Pra, çfarë do të thotë kjo? Shpall një zonjë non-grata sepse siç e shpjegoi ka marrë një medalje si lexuese e Kuranit në një konferencë fetare.
Rasti tjetër, është apo nuk ka qenë luftëtar i UÇK. Është i tillë apo i atillë. Arritën në shkallë ekstreme të përbaltin një nga heronjtë më të lavdishëm të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar në fund të shekullit të 20, Tahir Sinanin.
Nxorën, rrëmuan si hiena të policisë sekrete të dikurshme fatura, dokumente pa asnjë interpretim, për të përbaltur luftën, për të përbaltur UÇK-në, për fajin e vetëm se në këtë protestë midis flamujve del edhe flamuri i UÇK, etj.
Pra, njeriu që nga një anë përpiqet t’i luftojë me mjetet e tjera duke stampuar në bluzën e vet flamengot apo duke i vendosur në Facebook-un e tij, dhe i them nuk ke të drejtë morale ta bësh këtë, tregon amoralitet me këtë.
Ti mund të stamposh në bluzën tënde Lubi Ballukun, dy Lindat, Gys Agasin, Engjëll Agaçin, Arubën. Mund të stamposësh drogën, kokainën, por kurrë flamengot. Herë tjetër i vendos ata në foton kryesore të FB, duke besuar se kështu po bëhet më miqësor me ta.
Edi Rama, për ta mbyllur, thirrja ime është jep dorëheqjen menjëherë se ti je armiku më i egër i të rinjve shqiptarë. Je arrogant, je cinik, ti i urren ata dhe kërkon që ata të largohen nga Shqipëria. Ndaj dhe jep menjëherë dorëheqjen sepse po soset durimi i tyre.
Përsëri kryefjala e zhvillimeve në Shqipëri ka qenë dhe mbetet protesta madhështore e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë.
Protestë e qendrestarëve të pamposhtur, e idealeve më të larta dhe fisnike të të rinjve shqiptare.
Nga viti 1990 gjer sot, Shqipëria nuk ka njohur ndonjëherë një protestë rinore, një eksplozion të idealeve, emocioneve, civilitetit të të rinjve shqiptarë, të mbështetur pasivisht dhe nga qytetarët shqiptarë. Qytetarët e Tiranës, por edhe nga diaspora dhe qytetet e tjera shqiptare.
Në këtë kuadër, vazhdimësia e protestës, masiviteti i saj i përnatshëm janë bërë burim shprese, kanë ngrohur zemrat e qytetarëve shqiptarë në Shqipëri dhe mbarë botën ku janë.
Kjo protestë duhet të fitojë dhe ka vetëm një kusht: mbështetjen e fuqishme nga mbarë qytetarët shqiptarë.
Thirrja ime është për çdo demokrate e demokrat, për çdo shqiptare e shqiptar, kudo që ndodhen, në Shqipëri, jashtë saj, në diasporë, është të mbështesë protestën e të rinjve shqiptarë si shpresa më e bukur për shqiptarët, Shqipërinë dhe të ardhmen e vendit.
Secili shqiptar duhet të mendojë për një moment se do të jetë historik kontributi i tij në suksesin e kësaj proteste.
Por, krahas saj, çdo ditë dhe çdo natë dalin si hije të zeza terri, si demonë të vërtetë, qëndrimet ndaj protestës të Edi Ramës dhe puthadorëve të tij të neveritshëm, të cilët nga mëngjesi gjer në darkë, shfrytëzojnë çdo hapësirë dhe çdo mjet për të ndërmarrë sulmet më të shpëlara, më banale, më primitive ndaj idealeve rinore evropiane dhe mbartësve të tyre, të rinjve shqiptarë.
Kësaj fushate të neveritshme i prin vetë direkt kreu i Meduzës, kreu i organizatës kriminale në pushtet, Edi Rama.
Ndiqini me vëmendje përpjekjet e tij.
Pasi e kuptoi se beteja zhvillohet jo në universin që kontrollon ai, të medieve dhe portaleve të pafundme të tij, por kjo betejë zhvillohet në universin dixhital.
Pasi demonizoi blogeret, influenceret.
Pasi shpalli si bajloz të zi algoritmin, Edi Rama u rikthye në genin e tij.
Çdo ditë dhe çdo natë kalon nga bota dixhitale në botën e errët të policisë sekrete shqiptare.
Merret me njolla, merret me biografi njëlloj si etërit e tij.
Sulmon një javë rresht njërin apo tjetrin personazh pse mori fjalën apo pse tha një parullë që nuk duhej ta thoshte.
© Panorama.al












