Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku se po përpiqet të shmangë paraqitjen në SPAK, ku pritet të njihet me akuzat penale që rëndojnë mbi të.
Në një postim në Facebook, Bardhi shkruan se Balluku ka “sajuar një vizitë zyrtare në Bullgari”, për të mos u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ditën e hënë, sipas fletëthirrjes së marrë nga institucioni.
“Ashtu siç paralajmërova, për të mos shkuar të hënën në SPAK, ku duhet të njihet me akuzën penale për vetëm një nga shumë vjedhje të saj, Belinda Balluku raportohet se ka sajuar një vizitë në Bullgari,” shkruan Bardhi.
Deputeti demokrat ironizon “vizitën” e zv.kryeministres, duke thënë se ajo mund të mbajë një ‘masterclass’ mbi mënyrat e abuzimit me tenderat publikë, duke përmendur disa raste konkrete të pretenduara nga opozita:
“Si të zhdukësh 50 milionë euro si në tunelin e Llogarasë”;
“Si të vjedhësh 180 milionë euro në shit-blerje energjie”;
“Si të përvetësosh 5 milionë euro në një digë hidrocentrali, si në rastin e Zadejës”;
“Si të avullosh 80 milionë euro me anije termocentral që nuk u vunë kurrë në punë.”
Sipas Bardhit, përpjekjet e Ballukut për të shmangur drejtësinë “mund të zgjasin pak”, por ai paralajmëron se “stacioni final i saj do të jetë burgu i grave në Pojskë.”
“Herët a vonë, një ndalesë do ta bëjë patjetër në SPAK,” – përfundon Bardhi.
Postimi i plotë
Ashtu siç paralajmërova, për të mos shkuar të hënën në SPAK, ku duhet të njihet me akuzën penale për vetëm një nga shumë vjedhje të saj, Belinda Balluku raportohet se ka sajuar një vizitë në Bullgari. Atje me siguri do të mbajë një “masterclass” për përvojën e saj të pasur me tenderat:
– Si të zhdukësh 50 milion € si në tunelin e Llogarasë;
– Si të vjedhësh 180 milion € në shit-blerje energjie;
– Si të vjedhësh 5 milion € në një digë hidrocentrali, si në rastin e Zadejës; dhe
– Si të avullosh 80 milion € me anije termocentral, që s’u vunë kurrë në punë.
Belinda Balluku mund ta shtyjë edhe pak me akrobacitë nëpër trena dhe avionë, por stacioni i saj fundor do të jetë vetëm një: burgu i grave në Pojskë. Dhe përpëra se të mbërrijë stacionin final, herët a vonë, një ndalesë do ta bëjë së shpejti patjetër në SPAK!
Kujtojmë se Gazetarja Klodiana Lala, raportoi dy ditë më parë se Prokuroria e Posaçme regjistroi emrin e zëvendës Kryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes se barazisë në tendera.
Numri dy i qeverisë “Rama 4” sipas burimeve është thirrur të paraqitet në SPAK të hënën mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi.
Burime të besuara bëjnë me dije se fletëthirrja i është dorëzuar zonjës Balluku në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në fletëthirrje zonjës Balluku i bëhet me dije se në momentin e paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme duhet të jetë e shoqëruar nga një avokat, çka në raste të tilla lajmëron se mund t’i komunikohet akuzë penale. Kjo nënkupton ndërkohë që me gjasë SPAK do ta ushtrojë ndjekjen penale ndaj numrit dy të mazhorancës pa masë sigurie e në këtë mënyrë prokurorët e posaçëm shmangin edhe kërkesën për autorizim në Kuvendin e Shqipërisë.
SPAK është tejet i rezervuar për të dhënë detaje lidhur me çështjen që po e heton zëvendëskryeministren Balluku, pasi ndaj saj ka një sërë kallëzimesh penale, përfshirë edhe atë të tunelit të Llogarasë ku vlera e tenderit që u fitua nga një kompani turke u rrit me mbi 50 mln euro.
Nuk dihet nëse zonja Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes së SPAK dhe në këtë pozitë të re përballë drejtësisë do të vijojë apo jo të qëndrojë në postet qeveritare apo do zgjedhë të largohet me dorëheqje e ta zhvillojë betejën e saj pa mburojën e Partisë Socialiste.
Belinda Balluku e ushtron detyrën e Zv.Kryeministres që prej korrikut 2022. Ndërsa atë të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019. Balluku ishte drejtuese politike e qarkut Fier ku ne zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate.
LEXO EDHE:
SPAK regjistron Belinda Ballukun si person nën hetim, i kërkon të paraqitet me një avokat
© Panorama.al












