Zbulohen rrogat e milionerëve të Flamurtarit elitar. Drejtuesit në Itali, për 4 lojtarë dhe mbase… trajner
Buxheti nuk do ta ndalë aspak Flamurtarin e këtij sezoni, nga rrugëtimi për ndërtimin e një skuadre, që do të bëjë diferencën në Superiore. Kjo është premtuar nga vetë Sinan Idrizi. Edhe pse ende skuadra nuk është formatuar, madje edhe emri i trajnerit të ri mbetet enigmë, edhe pse lakohen shumë kandidatë, në klub janë të qetë dhe të vendosur që t’i marrin vendimet në kohën e duhur.

Kush do të nënshkruajë kontratën me Flamurtarin e këtij sezoni, patjetër që do të jetë një “milioner” për shkak të shumës që do të ndërmarrë. 5 milionë euro është buxheti që Sinan Idrizi dhe kompanitë turke kanë vendosur në dispozicion. Një pjesë e mirë e “tortës” së buxhetit do të ndahet për pagat e stafit teknik, futbollistëve dhe administratës. Kuptohet që peshën më të madhe e kanë pagat e futbollistëve, që zënë edhe një zë të rëndësishëm në pasqyrën buxhetore të sezonit të ri. “Panorama Sport” zbulon se pagat do të ndahen në disa kategori, sipas vlerës së futbollistëve në treg dhe vendit që do të kenë ata në formacion. Në këto kushte, ato nisin nga 45 mijë euro që do të jetë paga minimale dhe deri në 60 mijë euro ajo mesatare. Patjetër që për lojtarë të kalibrit të lartë, ka një trajtim tjetër. Paga sezonale për elementët cilësorë nuk do ta kalojë 100 mijë euro.
KONTRATA DREJT SKADENCËS
Muaji korrik shënon edhe përfundimin e kontratës së administrimit që kompanitë turke kanë me Bashkinë e Vlorës. Kontrata aktuale ishte 1-vjeçare, megjithëse Idrizi kërkoi një vit më parë një kontratë dyvjeçare. Për të mos pasur vonesa, por edhe burokraci që të rinovohet çdo një vit apo dy vjet nga Këshilli Bashkiak, është kërkuar nga vetë klubi që miratimi i kontratës së re të bëhet gjatë këtij muaji. Prandaj, kjo është edhe java vendimtare, ku të enjten Këshilli Bashkiak do të mblidhet për rinovimin. Kompanitë turke e kërkojnë pa afat, ndërsa projektvendimi pritet që të diskutohet në mbledhjen e kësaj jave, për të parë nëse kontrata e re do të jetë me apo pa afat.
MERKATO NË ITALI
Drejtuesit vlonjatë janë përtej Adriatikut. Frenat e merkatos janë marrë në dorë nga Idrizi i vogël, Esari djali i administratorit, në bashkëpunim me drejtorin Artim Pollozhani dhe patjetër me miratimin përfundimtar të Sinan Idrizit. “Panorama Sport” zbulon se janë 4 elementë nga Seria B që po vëzhgohen këto ditë nga drejtuesit vlonjatë me ndërmjetësimin e Igli Tares. Mësohet se në Itali po shikohet edhe mundësia e kontaktit me kandidatë për trajner të Flamurtarit, por që momentalisht këto pista po mbahen sekret. Të shpresohet që kjo javë do ta gjejë Flamurtarin me trajnerin e ri.
5 milionë euro parashikohet të jetë buxheti i Flamurtarit në Superiore. Kjo lë të kuptohet se vlonjatët do të kenë një ekip “big” dhe për këtë arsye Idrizi do të sjellë një trajner me përvojë.
1 titull kampion, 4 Kupa të Shqipërisë dhe 2 Superkupa janë trofetë e fituara nga Flamurtari gjatë historisë së tij si klub shekullor. Për këtë sezon, presidenti Idrizi ka kërkuar që ekipi të luftojë për të dy trofetë.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













