Viti 2013. Nga editoriali i 13 vjetëve më parë…
BESNIK DIZDARI
Për çka do ta mbajmë në mend Kampionatin 2012-2013 të Shqipërisë? Me siguri mbi gjithçka, do ta mbajmë mend për nderim të Skenderbeut të Korçës, i cili fitoi titullin e tij për herë të tretë rresht. Dhe me një rekord të paparë: 26 javë 26 herë kryesues!

Do ta mbajmë mend për vulën e pashlyeshme që skuadra korçare i vuri kthesës së madhe të historisë së futbollit shqiptar, duke i rrëmbyer sidomos kryeqytetit shqiptar, tre tituj rresht, çka nuk kishte ndodhur kurrnjiherë. Kjo është sfida korçare, që kurrë nuk ia arriti ta bënte as Shkodra, as Vlora, as Durrësi – kampione të harruara të Shqipërisë.
Do ta mbajmë mend këte Kampionat për sundimin e paprekshëm të futbollit të Korçës datuar Shekulli 21, e kthyer fuqiplote te një lavdi e 78 vjetëve më parë, te një sundim i pangjashëm në epërsinë e një futbolli të sigurtë, të cilin një trajner nga Tirana me emrin Mirel Josa, diti, ashtu si paradhësit e tij të para dy vjetëve, që mozaikun e stileve të ndryshme ta shkrijë në një, çka për ne është një stil korçar megjithate.
Do ta mbajmë mend Kampionatin gjithnjë për shembullin e Skenderbeut të Korçës, të cilin brezi më i ri i biznesmenëve shqiptarë, Agim Zeqo dhe Ardian Takaj e vendosi, e krijoj dhe triumfoi. Të mbështetur fuqimisht prej Bashkisë së Korçës.
Do ta mbajmë fort në mend Kampionatin dhe kampionen tonë të vitit 2013 sepse mbas kaq kohësh ndodhi që 6 lojtarë të vetëm me emrat Shkëmbi, Shehi, Vrapi, Fagu, Bici, Arapi, të bëhen për tre vjet me rradhë Kampionë të Shqipërisë. Ky fakt të bën ta kujtosh gjatë këte Kampionat, sepse në tre vjet Skenderbeu i Korçës ka bërë Kampionë të Shqipërisë plot 47 futbollistë, çka gjithashtu në një hark kohor prej vetëm 36 muajsh pa ndërprerje, nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e Kampionateve të Shqipërisë.
Kjo do të thotë se kaq shumë kampionë, plot 47 në tre vjet rradhazi, nuk ka bërë as Sportklub Tirana – skuadra e fundit që kishte fituar tre Kampionate rradhazi më 2003, 2004, 2005. Kësisoji, do ta mbajmë mend këte Kampionat sepse çuditërisht ai na tregoi se duke ndërruar jo pak skuadrën, madje duke nxjerrë në fushën e lojës tre variante formacionesh, mund t’u fitokan tre tituj rresht.
Do ta mbajmë gjatë në mend Kampionatin 2012-2013 për hir të triumfit madhështor për historinë tonë modeste të përfaqësueses së një qyteti, i cili me gjithë “lokalizmin” e tij historik, kur ka vendosë të “rrëmbejë” qytetarë të tjerë, ka ditur aq bukur t’i korçarizojë në mënyrën më mjeshtërore dhe më kavalereske qytetare. Do ta mbajmë mend titullin e tretë të Skenderbeut të Korçës, edhe për këte, sepse me shembullin e tij i tha Shqipërisë së futbollit, se edhe në këte tokë do të marrë fund një herë e mirë (në mos ka marrë fund) shpirti i futbollit lokal i cili tash e mbrapa do t’u zevendësoka me shpirtin universal që kjo lojë mbarëbotërore shpaloska pa mëshirë përmes ekonomisë së tregut të Shekullin 21.
Dhe mû në këte kontekst, do ta mbajmë mend Kampionatin 2012- 2013 për befasinë tjetër, më të paimagjinueshme që i dhuroi historisë së futbollit kombëtar: një Nënkampione e formuar, e rritur, e sapoardhur në Kampionatin Kombëtar prej kategorisë së ulët! Shqipëria ka kështu një Nënkampione të re, skuadrën e qytetit të Kukësit i cili qysh sot e vendos emrin në pllaketën e 11 Nënkampioneve të deritashëm të Shqipërisë. Emrat janë për ne vërtet historikë: Partizani 19 herë Nënkampion i Shqipërisë, Sportklub Tirana 13 herë, Vllaznia e Shkodrës 11 herë, Dinamo 9 herë, Teuta 6 herë, Skenderbeu 3 herë dhe me rradhë Besa, Elbasani, Tomori, Luftëtari.
Dhe bashkë me ta edhe Kukësi i ri i kuksianëve të vjetër e të rinj, Kukësi i presidentit vendimtar Safet Gjici dhe i trajnerit Armando Cungu – zbulim befasues i drejtimit teknik të Kampionatit. Por dhe Kukësi i futbollistëve pasionantë si Halili e Peqini, Malota e Brahja, Hallaçi e Allmuça, Popovic e Progni. Mbas atij korçar ky qe mozaiku tjetër mbarëshqiptar i cili atje, në verilindje të Shqipërisë, që kurrë nuk ka qenë tokë futbolli, shpalosi vlerat e këtij sporti, përmes një sfide që tronditi një Tiranë e një Shkodër, një Durrës e një Vlorë. Dhe nëse me Skenderbeun Shqipëria iu kthye themeleve të futbollit të saj, me Kukësin vuri një shkamb të vogël në themele të reja.
Do ta mbajmë në mend pra, këte Kampionat, sepse na detyroi që ta përuronim për herë të parë në histori titullin e Kampionit të Shqipërisë atje lart, në Kukës, ngjitur me Prizrenin, Gjakovën e Prishtinën, të cilat jorrallë e ndjenë si skuadrën e tyre. “Kosova” e Kukësit qe quajtur klubi sportiv kuksian qysh në vitet ’30. Do ta kishte për nder t’i kthehej këtij emri të parë të tij… Do ta mbajmë në mend këte Kampionat 2013 edhe për respektin ndaj skuadrave të Kastriotit të Krujës e të Laçit, të cilat konsoliduan qëndrimin e tyre trevjeçar rradhazi në Kampionatin Kombëtar, duke lënë mbrapa qytete të tanë shqiptarë të harruar në kategori të dyta e të treta.
Këtu për ne, dhe jo vetëm për ne, mbaron festa. Ose më mirë, tash nuk ka më festë, ndonëse dje në stadiumin e vetëm “alpin” të Shqipërisë, nëse mund ta quajmë kështu, ate të Kukësit, qe një festë vërtet e paharrueshme. E për çka tjetër do ta mbajmë mend Kampionatin 2012-2013? Do ta mbajmë në mend pa mësuar kurrsesi se përse Teuta e Durrësit nuk desht të bëhej Nënkampione e Shqipërisë, teksa në epilog u shkatërrua 4-1 prej Tomorit të Beratit. Mandej, do ta mbajmë në mend për dorëzimin zâmadh të klubit tonë më të shquar, Sportklub Tirana, e cila për herë të parë në 17 vjetët e fundit mbushi katër vite pa fituar titullin e Kampionit.
Do ta mbajmë në mend edhe për Flamurtarin e Vlorës dhe Vllazninë e Shkodrës, dy kampionet e para të demokracisë shqiptare, të cilat prej 20 e 21 vjetësh, përjashto në një herë të vetme skuadrën shkodrane, nuk e dinë pra, se çka është titulli i Kampionit të Shqipërisë. Do ta mbajmë në mend Kamnpionatin 2013 edhe për lamtumirën e mbas plot 19 vjetëve të Shkumbinit të Peqinit prej elitës së futbollit kombëtar, teksa bashkohet me skuadrat e Beratit, Gjirokastrës dhe Fierit, duke i dhënë një goditje të pamshirshme qytetarisë tradicionale të futbollit tonë kombëtar. Dhe vetëm kaq. Sepse sot nuk është dita e kritikës.
BESNIK DIZDARI, 11 maj 2013
* Botohet pa asnjë ndryshim, për herë të parë në shtypin shqiptar. Eshtë editoriali i “Rubrikës Sportive” të Televizionit Shqiptar, 11 maj 2013.













