Tirana studion Dinamon dhe Xhixha nuk stërvitet të mërkurën, Nuhiju teston skemën 5-3-2
Tirana ka hyrë zyrtarisht në fazën përgatitore për ndeshjen e radhës së kampionatit ndaj Dinamos, duke rinisur stërvitjen ditën e djeshme pas përballjes me Egnatian.
Bardheblutë kanë zhvilluar fillimisht një seancë të gjatë analize, që ka zgjatur më shumë se një orë, ku trajneri Ardian Nuhiju ka ndalur me imtësi në aspektet taktike dhe teknike të sfidës së fundit. Në fokus kanë qenë gabimet e konstatuara, por edhe elementët pozitivë që skuadra duhet të mbajë parasysh për vazhdimësinë. Paralelisht me analizën e ndeshjes së kaluar, stafi teknik ka nisur edhe studimin e kundërshtarit të radhës, Dinamos. Një përballje e fortë dhe delikate, që kërkon përqendrim maksimal, pasi bëhet fjalë për një rival historik. Nuhiju u ka kërkuar lojtarëve intensitet, disiplinë taktike dhe reagim të shpejtë, elementë që do të jenë kyç në këtë sfidë.
KTHIMET – Në fushë, grupi ka pasur edhe lajme pozitive. Emanuel Ernest është bashkuar me skuadrën, duke hedhur pas dëmtimin që e mbajti jashtë përballjes me Egnatian. Rikthimi i tij i jep më shumë alternativa repartit ofensivë dhe rrit konkurrencën në vijën e parë. Ndërkohë, Henry Marku dhe Rimal Haxhiu vazhdojnë të jenë jashtë për shkak dëmtimesh dhe do të mungojnë edhe në këtë ndeshje, duke kufizuar zgjedhjet e trajnerit në disa reparte.
XHIXHA – Vëmendje e veçantë i është kushtuar situatës së Redon Xhixhës. Sulmuesi nuk u pa në stërvitjen e djeshme dhe gjendja e tij fizike mbetet ende e paqartë. Gjithçka tregon se aktivizimi i tij ndaj Dinamos ditën e shtunë është pothuajse i pamundur, ndërsa me shumë gjasa ai do të ruhet për sfidën e Kupës. Megjithatë, stafi mjekësor do të bëjë vlerësimet përfundimtare gjatë seancave të ardhshme, për të qartësuar nëse lojtari mund të rikthehet më herët.
FORMACIONI – Sa i përket aspektit taktik, Nuhiju po punon intensivisht mbi skemën 5-3-2, një rreshtim që synon të garantojë më shumë siguri në prapavijë dhe balancë mes reparteve. Në portë pritet të konfirmohet Tafas, ndërsa linja e mbrojtjes do të përbëhet nga pesë lojtarë: Vera dhe Ndong në krahë, me Lleshin, Halilin dhe Kortezin në qendër. Në mesfushë, trinomi Rafael–Mysloviç–Vogli pritet të ketë rol kyç në ndërtimin e lojës dhe thyerjen e aksioneve të kundërshtarit. Ndërkohë, në sulm, Tabeku dhe Ernest shihen si dyshen më e mundshme për të udhëhequr repartin ofensiv.
PANORAMASPORT.AL













