Shqiptari i kërkuar nga SPAK me urdhër të Gjykatës së Posaçme dhe masë arresti me burg për trafik ndërkombëtar droge mes Shqipërisë dhe Italisë, është kapur pas 5 vitesh i fshehur në Spanjë.
Operacioni është zhvilluar së fundmi nga Roja Civile në Vigo, duke kontaktuar edhe autoritetet shqiptare pas identifikimit, pasi i kërkuari mbante identitet të rremë si kroat.
“Policia Kombëtare ka arrestuar në Vigo një të arratisur të kërkuar nga autoritetet shqiptare për trafik droge dhe anëtarësim në një grup të organizuar kriminal. Burri, i cili ishte larguar nga Shqipëria për të shmangur një dënim të mundshëm deri në 30 vjet burg, u arrestua pasi paraqiti një dokument identifikimi të rremë”, informoi media spanjolle sot (21 nëntor).
Operacioni u krye nga oficerë të GOPD-së (Grupi i Operacioneve Speciale) të Stacionit të Policisë së Vigos, të cilët e kapën atë kur ai u identifikua si shtetas kroat. Pas verifikimit të informacionit të tij, oficerët konfirmuan se ai ishte i listuar në një Njoftim të Kuq të Interpolit të lëshuar në maj nga Gjykata Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri.
I arratisuri kërkohej për përfshirjen e tij në një operacion trafiku droge që filloi në shtator 2020. Sipas autoriteteve shqiptare, ai ishte në kontakt me dy trafikantë të njohur droge në lidhje me një ngarkesë droge me destinacion Italinë dhe ishte ngarkuar me analizimin e një mostre para dërgesës së saj.
Ai akuzohet gjithashtu se i ka paralajmëruar bashkëpunëtorët e tij për një bastisje policore në shtëpinë e tij, ku forcat e rendit sekuestruan 100 gramë heroinë dhe pajisje bllokimi sinjalesh, akuza për të cilat ai ishte nën arrest shtëpiak.
Pavarësisht kësaj, dyshohet se ndërmori hapa për të fshehur drogën dhe për të vazhduar aktivitetin e tij kriminal, informon media spanjolle.
Shqiptari i kishte shpëtuar operacionit të SPAK, ndërsa ndaj tij kishte masë në mungesë. I paraburgosuri tani është në pritje të procedurave të ekstradimit dhe janë njoftuar autoritetet e Interpol Tiranës.
© Panorama.al













