Spërkatën bojë mbi pikturën e Claude Monet, 6 aktivistët e akuzuar shpallen të pafajshëm nga gjykata!

Dec 8, 2025 | 20:45

Një gjykatë suedeze liroi sot nga akuzat aktivistët mjedisorë që hodhën bojë në një dritare dyqani, që mbronte një pikturë të Claude Monet, duke vendosur se ata nuk kishin ndërmend të shkatërronin veprën e artit.

claude monet piktura

Më 14 qershor 2023, dy gra të reja i zhytën duart në bojë të kuqe përpara se ta aplikonin në pikturën “Kopshti i Artistit në Giverny” (Le Jardin de l’artiste à Giverny- 1900), e cila ishte huazuar nga Musée d’Orsay në Muzeun Kombëtar të Suedisë (Nationalmuseum) në atë kohë, si pjesë e një ekspozite kushtuar kopshteve dhe natyrës.

Organizata Återställ Våtmarker kishte marrë përgjegjësinë për këtë veprim dhe kishte postuar një video në të cilën aktivistët dëgjoheshin duke bërtitur “situata klimatike është urgjente” dhe “shëndeti ynë është i kërcënuar”.

Piktura nuk pësoi dëme, kishte siguruar në atë kohë Drejtori i Muzeut Orsay. Megjithatë, dy gratë e reja dhe katër aktiviste të tjera u akuzuan për vandalizëm.

Sipas vendimit të lëshuar sot nga gjykata e Stokholmit, aktivistët mohuan se kishin ndërmend ta shkatërronin pikturën, duke konfirmuar se protesta e tyre ishte nxitur nga “kriza klimatike”.

Ata zgjodhën qëllimisht, siç thanë, një pikturë të mbrojtur nga një vitrinë dhe përdorën bojë që lahej lehtë.

Argumentet e tyre e bindën gjykatën, e cila vendosi që aktivistët nuk kishin ndërmend të shkaktonin dëme të përhershme në vepër, megjithëse një sasi e vogël bojë përfundoi në kornizë, theksohet.

Gjashtë të pandehurit u liruan nga akuzat dhe nuk u detyruan të paguanin kompensim.

© Panorama.al

Te lidhura