Barazimi midis Spanjës dhe Italisë ka sjellë debat mes dy përfaqësuesve. Gjendja e barit në takimin e luajtur në stadiumin e Gdanskut ishte e thatë dhe kjo i ka prishur punë përfaqësueses iberike. Drejtuesit e Federatës spanjollë janë ankuar zyrtarisht në UEFA sa i përket kësaj çështjeje. Në fillim ishin futbollistët e “Furisë së kuqe” që, tepër të indinjuar, kritikuan organizatorët për gjendjen e keqe të fushës. “Është turp i madh të luash në një fushë të tillë”, tha mesfushori i Barcelonës, Ksavi Hernandez. Ndërkohë që “truri” tjetër i Kombëtares spanjolle, Andres Iniesta, konfirmoi të njëjtin shqetësim. “Fusha ishte shumë e thatë dhe e pengoi lëvizjen e topit. Ky terren ishte një tmerr i vërtetë sa i përket spektaklit në futboll, ndaj nuk mund të bëhej një ndeshje normale”. Autori i golit të Spanjës, Çesk Fabregas, pret që UEFA ta zgjidhë këtë çështje. Ndërsa Jordi Alba kishte paralajmëruar kolegët e skuadrës së tij për këtë situatë, por sipas tij ata u injoruan. Në një linjë me lojtarët kanë qenë edhe mediat iberike, të cilat kanë fajësuar gjendjen e fushës për barazimin e skuadrës së tyre ndaj Italisë. Ndërkohë, Presidenti i Federatës së Polonisë, Grzegorz Lato, tha se ishin italianët ata që nuk lejuan që fusha të vaditej. “Italianët e dinin që bari i thatë ishte mundësia më e mirë për ta. Nëse ka një marrëveshje mes dy ekipeve, atëherë nuk hidhet ujë në fushë”, tha Lato. Numri një i Federatës polake shtoi se gjendja e terrenit në “Gdansk Arena” ishte shumë e mirë, ndërkohë që bari qe i thatë dhe në standardet e kërkuara. “Lartësia e barit ishte perfekte. Zakonisht fusha vaditet para ndeshjes, por për këtë duhet që të dyja skuadrat të bien dakord. Spanja donte një gjë të tillë, por Italia e kundërshtoi”, vazhdoi ai. Por, presidenti i Federatës polake shtoi se gjithçka ishte kryer në bazë të rregullave të UEFA-s. “Italianët e dinin që faktikisht bari i thatë i ndihmonte dhe ngadalësonte lojën. Nëse një nga ekipet nuk do, atëherë nuk mundet të ujitet fusha. Në Spanjë, kur luan Reali i Madridit dhe Barcelona, dy orë para gjithmonë vaditet fusha. Por, siç ua shpjegova, duhej që të dyja ekipet të ishin në të njëjtit vendim, pasi në të kundërt, do kishim sot ankimin e palës tjetër”, shpjegoi Lato.
Prandeli: Baloteli s’i fiton i vetëm ndeshjet
“Ndaj Kroacisë do të jetë ndeshja vendimtare e grupit”. Çezare Prandeli, trajneri i Italisë, është i bindur për këtë, 24 orë pas barazimit 1-1 me Spanjën. “Pas paraqitjes së mirë që bëmë kundër Spanjës, duhet të përballemi me një skuadër të rrezikshme, sepse është më e paparashikueshme. Di Natale në vend të Balotelit? Fillimisht të kuptojmë sesi të përballemi me ekipin e Biliç, pastaj të vendosim”. Në lidhje me Balotelin, numri një i pankinës së të kaltërve, ka theksuar: “Baloteli të mos mendojë që ta zgjidhë i vetëm ndeshjen. Ai është një djalosh 22-vjeçar, ndërsa ajo çka do t’i kërkoj unë është që të jetë sa më i thjeshtë. Nuk duhet të mbajë kaq shumë përgjegjësi mbi vete”, tha Prandeli.
LEONARD KARAJ











