Spanja “shtyp” Irlandën e Trapatonit

Jun 15, 2012 | 15:05
Spanjë-Irlandë 4-0

Kampionia e Europës edhe e botës në fuqi, Spanja, ka bërë “poker” me Irlandën duke treguar kësisoj potencialin e saj real, si një nga favoritet kryesore për ta fituar edhe “Euro 2012”. Formacioni i Del Boskes, në ndryshim nga sfida me Italinë, ka në përbërje të tij edhe një sulmues të deklaruar si Fernando Torres, i cili shpërblen besimin e treguar karshi tij teksa realizon dy gola në portën e irlandezit Shei Given. Gola të cilëve u shtohen edhe “rrjetat” e David Silvës dhe Fabregasit. Ky i fundit ka hyrë në lojë si zëvendësues në vend të Torresit, por ka arritur ta përsërisë të njëjtën gjë si edhe në ndeshjen e parë me axurrët, të konkludojë me gol. Tashmë Spanja ka në gjirin e vet dy lojtarë me nga dy gola, Torres dhe Fabregas, ndërsa gëzon një golavarazh mjaft pozitiv, 5- 1, në dy ndeshje. Nga ana tjetër, Irlanda e Xhiovani Trapatonit, me humbjen e dytë të pësuar në këtë europian, i thotë lamtumirë duke rezultuar momentalisht edhe skuadra më e dobët, pasi ka pësuar plot shtatë gola si asnjë tjetër në EURO 2012. Ndeshja e fundit me Italinë do luhet më shumë për prestigj ose edhe për t’i prishur punë skuadrës së Prandelit, së cilës i duhet me patjetër fitorja, madje edhe me goleadë.

SKEDA E NDESHJES
Spanjë-Irlandë 4-0

Shënues: Torres 4’, 70’, D.Silva 49’, Fabregas 83’
Kartonë të verdhë: Ksabi Alonso, Martinez/ Kin, Uilan, Ledxher
Gjyqtarë: Pedro Proenca/ B.Miranda dhe R.Santos (POR)

Spanja (4-3-3): Kasijas, Arbeloa, S.Ramos, Piké, J.Alba, Ksavi, Buskets, Ksabi Alonso (Martinez 65’), D.Silva, Torres (Fabregas 74’), Iniesta (Kazorla 79’). Trajner: Visente del Boske

Irlanda (4-4-2): Given, O´Shi, Dun, Ledxher, Uard, Daf (MekLin 76’), Uilan (Grin 80’), Endrjus, MekGedi, Koks (Uollters 46’), Kin. Trajner: Xhiovani Trapatoni

ANALIZA E NDESHJES
Njeriu i ndeshjes – Fernando Torres ishte edhe lojtari më i mirë në fushën e lojës. Sulmuesi shënoi dy gola në këtë sfidë.
Më i dobëti – Portieri Shej Given ishte edhe lojtari më i dobët në këtë ndeshje.
Çelësi i përballjes – Kritikat e shumta që iu bënë Spanjës për mënyrën se si luajti ndaj Italisë duket se dhanë rezultat. Del Boske hedh në fushë Torresin nga minuta e parë dhe loja e “furive të kuqe” ndryshon totalisht.
Moviola – Një gjykim korrekt nga ana e arbitrit Pedro Proenca, i cili pati shumë pak punë, kjo edhe për faktin se Spanja e zgjidhi shumë shpejt ndeshjen.

DEL BOSKE
“Kjo është Spanja ime. Bëmë një ndeshje mjaft të mirë duke dominuar në total. Jam shumë i kënaqur nga Torres, i cili tregoi se është kthyer në formën e tij më të mirë. Kroacia? Ne do të luajmë si gjithnjë për të fituar, pasi duam që të jemi të parët në grupin tonë, ndaj nuk do të bëjmë llogari, paçka se rezultati i asaj ndeshjeje do të ndikojë te kualifikimi edhe i Italisë”, ka pohuar pas ndeshjes trajneri i Spanjës, Visente Del Boske.

© Panorama.al

Te lidhura