SPAK e mori të pandehur për shpërdorim detyre, GJKKO pushon çështjen për kryebashkiakun e Libohovës

Mar 5, 2025 | 10:38

Gjykata e Posaçme ka pushuar çështjen për kryebashkiakun socialist të Libohovës, Leonard Hida, i cili ishte marrë i pandehur nga SPAK për shpërdorim detyre.

Hida dyshohet se në kohën qe ka pasur detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës ka lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike.

“Nisur nga të dhënat që disponohen nga shërbimet si dhe ngjarjet e fundit të ndodhura në njësitë administrative ‘Cepo’ dhe ‘Picar’ krijojnë dyshime të arsyeshme se përveç personave të përfshirë në këtë aktivitet janë implikuar edhe punonjës policie të cilët kanë pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ata kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre e kanë lejuar këtë aktivitet”, thuhet në dosjen hetimore.

Hide ka deklaruar se ai dhe Partia Socialiste nuk ishte në dijeni se po hetohej nga SPAK ndaj edhe kandidoi për të marrë postin e kryebashkiakut të Libohovës.

Parcelat me kanabis për të cilat akuzohet Hida dhe funksionar të tjerë lokal të policisë, u zbuluan gjatë një operacioni të shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesat dhe Prokurorisë Gjirokastër.

Ai mori mandatin e kryetarit të Bashkisë së Libohovës në zgjedhjet e 14 majit nën siglën e Partisë Socialiste.

NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë
13.02.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Kërkesë për pushimin e
procedimit penal nr. 95 të vitit 2024, në ngarkim të personave nën hetim Besnik Lila,
Leonard Hide, Hajdin Musaraj, Edmond Late, Maringlen Dine dhe Geraldo Nela”.

2. Në seancën e datës 05.03.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së
Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari
Erjon Çela, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin Nr. 71, datë 05.03.2025,
vendosi:

1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit
të Organizuar.

2. Pushimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 95 të vitit 2024, i
Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i
regjistruar në ngarkim të personave nën hetim Besnik Lila, Leonard Hide,
Hajdin Musaraj, Maringlen Dine, Edmond Late dhe Geraldo Nela, për veprën
penale “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248
në lidhje me nenin 25 të K.Penal, pasi në zbatim të nenit 328/1 shkronja “dh” të
K.Pr.Penale nuk provohet që personat nën hetim të kenë kryer veprën penale.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke
filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

© Panorama.al

Te lidhura