Spahiu: Skandaloz “arresti i shtëpisë”, ndryshim ligjit

Mar 22, 2011 | 10:06

Pak ditë pasi bosi turk i drogës, Abdulselam Turgut, u arratis pasi Gjykata e Apelit në Tiranë e liroi duke vendosur për të “arrest shtëpie”, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, kërkon ndryshime në ligj.Ai kritikoi vendimet e dhëna nga gjykata të ndryshme në vend në lidhje me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, masa të cilat, sipas tij, janë skandaloze. “Në 95 për qind të rasteve ato nuk kontrollohen. Ka një mungesë të theksuar të bashkëpunimit mes Gjykatës, Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore për këto çështje. Në situatën aktuale ku ndodhemi ka ardhur koha që të ndryshohet Kodi i Procedurës Penale në Shqipëri në lidhje me masat e sigurisë”. Kështu u shpreh nga qyteti i Shkodrës, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, në analizën vjetore të Gjykatës së këtij rrethi.
Duke nënkuptuar raste konkrete, siç është edhe ai i fundit, kur bosi turk i drogës mori arratinë pasi u lirua nga Apeli, Spahiu theksoi se ka ardhur koha që të bëhen ndryshime në ligj në lidhje me masat e sigurisë, me qëllim që të vendoset drejtësia. Ai theksoi se është e nevojshme që të bëhen ndryshime të shpejta në Kodin e Procedurës Penale për t’u parashikuar mënyra e zbatimit të masës së sigurimit “arrest shtëpie”. Kjo nuk do t’i linte as hapësira dhe as diskreticion Gjykatës, Prokurorisë apo Policisë Gjyqësore për t’u futur në antagonizëm të mënyrës se si zbatohet kjo masë. “Duhet një tryezë dhe debat transparent i gjykatës me të gjitha organet e tjera për mënyrën se si do të realizohet zbatimi i kësaj mase, derisa të realizohen ndryshimet e mundshme në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime të cilat kërkojnë një kohë të posaçme edhe për shkak të rrethanave”, u shpreh më tej Spahiu. Duke folur më pas për Gjykatën e Shkodrës, gjatë fjalës së tij nënkryetari i KLD-së u shpreh se kohët e fundit është vërejtur një diversitet juridik i vendimeve mes Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit të këtij rrethi, diversitet që sipas tij po shndërrohet në antagonizëm. Po t’i referohemi 2010-s, për çështjet penale të ankimuara në Apel të Shkodrës rezulton se janë lënë në fuqi rreth 70 për qind e vendimeve të shkallës së parë. Ndërkohë që 30 për qind janë cenuar e nga këto 7 për qind janë prishur. Spahiu, në këtë analize vjetore të Gjykatës së Shkodrës shoqërohej nga dy anëtarë të KLD-së, Neshat Thana dhe Dritan Halluni. Ai kërkoi nga gjyqtarët e Shkodrës rritjen e standardit të gjykimit, rritjen e profesionalizmit, respektimin e solemnitetit të gjykimit në gjykata, shmangien e gjykimeve në zyrat e gjyqtarëve etj.

“Dënime të ashpra vrasësve për gjakmarrje”

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, u kërkoi dje gjyqtarëve të Shkodrës dënime më të ashpra për të gjithë personat që kryejnë vrasje në emër të gjakmarrjes. Deklarata e Spahiut vjen pasi në qytetin verior gjakmarrja është kthyer në një fenomen që po shqetëson të gjithë opinionin. Edhe pse shifrat për vitin 2010 kanë treguar rënie, nënkryetari i KLD-së kërkoi vendime më të ashpra ndaj të gjitha krimeve në emër të gjakmarrjes. “Ashpërsi ndaj një vepre me rrezikshmëri të lartë shoqërore, siç është vrasja për gjakmarrje. Kjo plagë e thellë, e përhapur në qarkun e Shkodrës, duhet kuruar me të gjitha mjetet. Një politikë e ashpër dënimi që duhet aplikuar në çdo rast, për autorët e këtyre veprave penale në mënyrë që të pakësohen sadopak krimet e kësaj natyre”, u shpreh ai.

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura