Spahiu nga Fieri: Grisni faqen e zezë në formular

Sep 26, 2011 | 11:40
Aleanca Kuq e Zi dje në Fier

FIER – Aleanca Kuq e Zi është ndalur dje në Fier për t’i thënë “jo” regjistrimit mbi baza etnike e fetare. Përfaqësuesit e saj i kanë kërkuar qeverisë të tërhiqet dhe të punojë mbi prioritetet shqiptare dhe jo ato greke. Në krye të Aleancës ishte kreu i saj, Kreshnik Spahiu, i cili u kërkoi fierakeve të grisin atë që ai e quajti “faqja e zezë në formular”, e cila ka të bëjë me pyetjet mbi etninë e fenë. Në mitingun e organizuar dje nga ana e Aleancës ishin qindra qytetarë, të cilët kanë mbështetur nismën duke theksuar se ishin kundër këtij regjistrimi. Gjatë fjalës së tij, Spahiu i bëri thirrje qeverisë që të heqë dorë nga regjistrimi etnik dhe fetar. Sipas tij, në lidhje me këtë regjistrim, ka dhënë një vendim edhe Gjykata Kushtetuese, i cili duhet të respektohet nga qeveria shqiptare. “Qeveria të plotësojë kriteret e Bashkimit Europian dhe të punojë mbi prioritetet e Shqipërisë dhe jo të Greqisë. Qeveria të tërhiqet nga regjistrimi i popullsisë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm për të. Vendimi i Kushtetueses është vula Kuq e Zi për censusin e popullsisë, prandaj qeveria duhet të tërhiqet nga ky regjistrim patjetër”, u shpreh kreu i Aleancës Kuq e zi. Po dje, në Fier ishin edhe mjaft personalitete të tjera, të cilat gjatë fjalës së tyre kërkuan gjithashtu grisjen e “faqes së zezë të formularit”.  Këtij takimi i janë bashkuar edhe shumë intelektualë të qytetit.  Në takimin e djeshëm, Aleanca Kuq e Zi ka theksuar se saktësimi i përkatësisë fetare do të ndezë konfliktet fetare në vend. Dy ditë më parë, Aleanca Kuq e Zi ishte edhe në qytetin e Beratit. “Jemi pro regjistrimit, por pa pyetje për etninë. Të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Grisni pyetjet për etninë dhe fenë në formular. Berati është shembull i bashkëjetesës ndërfetare”, u shpreh Spahiu në këtë takim.                         m.r

© Panorama.al

Te lidhura