Spahiu, kritika në Elbasan: Proceset zvarriten

Mar 17, 2011 | 10:21

ELBASAN- Mosrespektim i orareve, zvarritje e madhe e proceseve gjyqësore dhe infrastrkturë e mjerueshme. Këto janë vetëm disa nga problemet e konstatuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në inspektimin e bërë në gjykatat e vendit. Gjatë fjalës së tij në analizën e punës, në Gjykatën e Faktit në Elbasan, nënkryetari I KLD-së, Kreshnik Spahiu ka lëshuar kritika të ashpra në drejtim të gjyqtarëve, duke kërkuar prej tyre korrektesë në zbatimin e ligjit dhe Kodit të Procedurës Penale.

“Janë vënë re zvarritje të proçeseve gjyqësore, ku nuk respektohen oraret e tyre. Gjyqtarët punojnë si pedagogë të jashtëm nëpër universitete, duke shkaktuar edhe mosrespektim të orareve”, ka thënë Spahiu.

Sipas tij, kanë përfunduar tashmë inspektimet e bëra në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe entet duhet të kenë një bashkëpunim sa më efikas për të evituar gjithë pengesat dhe vonesat që konstatohen.

Spahiu ka deklaruar se shumë shpejt do të bëhet edhe ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, që pritet të përmirësojnë ndjeshëm situatën në gjyqësor.

© Panorama.al

Te lidhura