SHKUP -Në një intervistë për të përditshmen “Lajm”, Kreshnik Spahiu, i shpallur personazhi i vitit në Maqedoni nga kjo gazetë, shprehet se momentin për procesin e “Bashkimit Kombëtar” do ta vendosin vetë shqiptarët me anë të referendumit, duke shtuar se, “forma juridike e shtetit të ardhshëm shqiptar mund të lejojë më shumë se një kryeqytet”
Në intervistën e tij për të përditshmen maqedonase në shqip, Spahiu thotë se bashkimi do të realizohet në rrugë paqësore dhe demokratike.
Më poshtë një pjesë e intervistës së Kreshnik Saphiut dhënë për “Lajm”.
Në çfarë periudhe mendoni ta realizoni idenë tuaj për bashkim kombëtar?
Kohën nuk mund ta vendos as unë as kryeministrat tanë por vetë populli shqiptar në momentin që do jetë ndërgjegjësuar për referendum.
A mund ta rrezikojë ideja juaj për bashkim kombëtarë synimin strategjik të shqiptarëve për integrim në Bashkimin Evropian?
Jooooo, aspak sepse vetë gjermanët nga dy shtete u bënë në një dhe ata janë themeluesit e BE. Ne rrezikojmë integrimin nga kjo klasë politike e degraduar, e shthurur, e korruptuar dhe që kërkon të futet me servilizëm në Bruksel dhe jo me standarde. Shqiptarët nuk janë dukë u ndarë apo bashkuar me luftë pasi janë një komb, dhe duhet të kenë një të ardhme. Rrugët janë paqësore dhe diplomatike. Thjesht edhe vendet e BE nuk do na duan me dy vota e gjysmë sepse do ndjehen të pabarabartë por do preferojnë një zgjidhje tjetër pra thjesht do jetë interes reciprok i BE dhe shqiptarëve.
Nëse AK shndërrohet në subjekt politik, kush do të jetë kryetar i saj, Ju apo presidenti Bamir Topi?
Presidenti Topi nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do jetë pjesë e Aleancës Kuq e Zi. Kryetarin do ta zgjedhin mes 1 milion anëtarëve dhe aktivistëve nga gjitha trevat shqiptare.
Ju jeni një subjekt që nuk veproni vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e Maqedoni dhe gjithkund ku jetojnë shqiptarë. A mund të presim që AK të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Maqedoni në vitin 2013?
S’kam koment për këtë pyetje.
Shqipëria e bashkuar do të ketë më shumë se një kryeqytet? A mund të jetë Shkupi?
Besoj që forma juridike e shtetit të ardhshëm shqiptar mund të lejojë më shumë se një kryeqytet.
© Panorama.al











