TIRANË- Grupi parlamentar i PS-së ka vendosur perjashtimin e deputetit Kastriot Islami.
Vendimi eshte marre gjate mbledhjes se mbajtur me dyer te mbyllura, pavaresisht kembenguljes se vete Islamit per nje mbledhje te hapur e me pranine e mediave.
Ne fund te mbledhjes, deputeti Taulant Balla ka njoftuar mediat per vendimarrjen ne grupit ne PS, duke deklaruar se perjashtimi i Islamit erdhi si pasoje e shkeljes se vendimit te marre bashkerisht ne grup.
Mesohet se kater deputete kane qene kunder perjashtimit te Kastriot Islamit, ndersa dy kane abstenuar. Mes votave kunder perjashtimit kane qene deputetet, Arben Malaj, Marko Bello, Tom Doshi dhe Artan Gaçi.
Ne mbledhje mesohet se nuk kane qene te pranishem deputetet, Ben Blushi dhe Andis Harasani.
Vendimi i grupit te PS, lexuar nga Balla
Me vetëm katër vota kundër dhe dy abstenime Grupi Parlamentar Socialist miratoi zbatimin e normës statutore të Partisë Socialiste për çregjistrimin nga grupi të deputetit Kastriot Islami, për thyerje të vendimit politik të grupit lidhur me votimin kundër kandidaturës së Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në seancën e kaluar të Kuvendit të Shqipërisë.
Kryesia e Grupit Socialist sqaron se krejt ndryshe nga çfarë është publikuar në mediat qeveritare gjatë këtyre ditëve, zbatimi i kësaj norme statutore është vendosur në kolegjialitet të plotë nga Grupi Socialist përpara seancës dhe çdo deputet e ka pasur të qartë paraprakisht detyrimin statutor për zbatimin e vendimit politik.
Kjo do të thotë se qoftë pjesëmarrja në votim, qoftë votimi në unison me vendimin politik ishin të detyrueshme për të gjithë anëtarët e grupit socialist. Ashtu sikundër është e qartë se në këtë rast edhe zbatimi i normës statutore në rast shkeljeje të vendimit politik ishte një pasojë e paralajmëruar për këdo që mund t’i binte ndesh vullnetit të grupit duke shkelur vendimin politik.
Kryesia e Grupit Socialist u shpreh publikisht konsideratën më të lartë disa deputetëve që pavarësisht arsyeve shëndetësore apo familjare të qenësishme nderuan mandatin e Partisë Socialiste dhe kontribuan me praninë e me votën e tyre në ushtrimin e plotë të vullnetit politik të grupit socialist.
Nga ana tjetër Kryesia e Grupit Socialist mirëkuptoi plotësisht pamundësinë objektive të deputetit Pandeli Majko për të qenë i pranishëm në seancë dhe në emër të të gjithë deputetëve socialistë uron bashkë me të gjithë shqiptarët suksesin e plotë të kandidaturës së tij për postin e lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa deputeti Kastriot Islami u largua nga votimi duke e shkelur vendimin politik plotësisht i vetëdijshëm për përmbajtjen e normës statutore në rastin e kësaj shkeljeje, çka nënkupton automatikisht çregjistrimin e tij nga Grupi Parlamentar Socialist.
Trumpetimi i kësaj pasoje në mediat e qeverisë si tjetër gjë përveç vullnetit të lirë të deputetit për të bërë një zgjedhje të ndryshme nga ajo e grupit, duke marrë përsipër të vetëlargohet përmes shkeljes së vendimit kolegjial, është thjesht vazhdë e propagandës antiopozitare.
Partia Socialiste është një bashkim i lirë njerëzish që besojnë në vlerat e lirisë, drejtësisë, solidaritetit dhe bashkëjetojnë në diversitetin e mendimeve në respekt të njëri-tjetrit e të vlerave e normave të pranuara bashkarisht. Cënimi i tyre s’mund të bëhet në asnjë mënyrë sfidë ndaj familjes sonë të përbashkët politike dhe vendimmarrjes së saj në funksion të vizionit e të misionit të Partisë Socialiste. E cila si forcë e madhe politike e Shqipërisë që bën pjesë në Internacionalen Socialiste dhe familjen e socialistëve europianë, nuk i njeh asnjë anëtari të Grupit të saj Parlamentar të drejtën e qëndrimit në grupin e deputetëve duke shkelur vendimmarrjen politike të grupit.
Raste të papëlqyeshme të kësaj natyre në të shkuarën e afërt e nxitën Grupin Parlamentar Socialist që të merrte para pak javësh në mirëkuptim të plotë mes anëtarëve të tij, vendimin për të mos lejuar përsëritjen dhe kthimin e tyre në një vazhdë të dëmshme për moralin, punën dhe kohezionin e grupit.
Deputeti Kastriot Islami ndryshe nga gjithë të tjerët, vendosi të shkojë në drejtimin e kundërt me frymën e këtij mirëkuptimi dhe përmbajtjen e kësaj vendimmarrjeje të mishëruar edhe në vendimin politik të thyer prej tij. Për gjithë sa më sipër nga sot Kastriot Islami u çregjistrua si deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.
Islami: Do shpreh qendrimin tim në Kuvend
Pas vendimit, Islami ka deklaruar per mediat, se i gjendur ne befasi per kete vendim, qe iu njoftua nga deputeti Taulant Balla ka ftuar median ne oren 14.30, ne Kuvend, per te bere me dije qendrimin e tij, ate qe kishte pergatitur per mbledhjen e grupit.
“Më vë në dijeni Taulant Balla që më thotë se është diskutuar dhe është vendosur që kjo dhe të gjitha mbledhjet si kjo do të bëhen me dyer të mbyllura. Kjo është ngjarje shumë speciale, e rrallë për politikën shqiptare, e pamundur për politikën e vendeve demokratike. Unë nuk e konsumoj qëndrimin tim në një sallë të mbyllur, do ju ftoja në 14.30 te Kuvendi për të dhënë qëndrimin tim të përgatitur për mbledhjen e grupit. Nuk isha përgatitur këtë opsion, që të jem i sinqertë, ndaj më duhet të organizoj vendin në Kuvend meqë ai është vendi i dytë pas PS ku unë të them mendimin tim”- tha Islami.
© Panorama.al











