Sot dita e 51-të e revoltës kundër qeverisë Rama, qytetarët zhvendosin protestën para Kuvendit: Deputetët nuk na përfaqësojnë

Jul 20, 2026 | 9:07

Revolta qytetare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e 51-të. Qytetarët do të mblidhen ditën e sotme para godinës së Kuvendit, ku do të mbahet seanca plenare, e parashikuar të nisë në orën 12:00.

protesta

Protesta para Kuvendit u paralajmërua dje. Një aktivist tha se qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar nga Parlamenti aktual. Sipas tij, veç protestës se 20 korrikut, do të zhvillohet edhe një tubim tjetër më 23 korrik, në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar.

Qytetarët pritet të mblidhen edhe në orën 19:00, sikurse ditët e tjera, edhe përpara Kryeministrisë. Ata shprehen të vendosur se nuk do të largohen nga Bulevardi para godinës së qeverisë derisa kryeministri të japë dorëheqjen, e cila është një nga kërkesat e tyre të panegociueshme që artikulojnë në protestë.

Protestuesit mblidhen në sheshin “Skënderbej” dhe më pas vijojnë drejt Kryeministrisë, ku artikulojnë problemet me të cilat përballen. Krahas dorëheqjes, qytetarët i bëjnë thirrje edhe SPAK  që të veprojë kundër kryeministrit Rama, ndaj ish vartëses së tij Belinda Balluku, por ata gjithashtu kanë kërkuar edhe arrestimin e liderit të opozitës, Sali Berisha.

“Poshtë patronazhistët”, “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament analfabet” “Shqipëria kërkon revolucion”, “Arrestoni Ramën”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e re”, janë disa nga thirrjet e qytetarëve.

© Panorama.al

Te lidhura