Njësoj sikur jeta t’i kishte punuar një rreng të fundit, humbja e të nipit Sokol Olldashi për të ka qenë një nga ato skenarët që nuk do kish dashur kurrë ta lexonte. Në fakt, kjo ishte bisedë e pashmangshme, në nivelet e ngushëllimit të shoqëruar me një përqafim, për operatoren e parë femër, në historinë e kinematografisë shqiptare,Sonja Mamaqi. Në ritakimin e pak ditëve më parë mes miqve, kolegëve e bashkëpunëtorëve, gjendej sa e magjepsur nga surpriza me rastin e 66-vjetorit të lindjes, aq edhe pa fjalë…Pasi njësoj si edhe “gjëmat” që e trazuan jetën e saj familjare, por edhe atë profesionale herët, dikur për shkak të regjimit socialist e dënimit të të atit Dashnor Mamaqi, e ca më vonë qenë “punët Zotit”, të gjitha ishin mjaftueshëm arsye për ta përfshirë operatoren e njohur në një rekuiem plot mbresa për ëndrrën e prerë në mes. Të marrurit e kamerës në sup, me një peshë aspak të lehtë, peshë e cila në fakt rëndonte shumë më pak se ajo e paragjykimeve asokohe, të shikimeve vëngër e thashethemeve lart e poshtë. Një çupëlinë e re, me flokë të verdhë të derdhur supeve, e gjallë e me dëshirë për punën, e renditi Sonjën përkrah burrave, në sheshe të hapura xhirimesh anekënd Shqipërisë. Por do të ishte dënimi i të atit, ish-funksionarit të lartë të shtetit socialist, që do e shkëpuste nga kamera, të cilën edhe pse në internim, ajo nuk e hoqi nga vetja…edhe pse me damkë si familje e persekutuar e ku njerëzit tuteshin për t’i dhënë edhe dorën. Operatorja që u bëri ballë paragjykimeve Sonja Mamaqi, operatorja e parë femër shqiptare, në momente pune në vitet 1970Në sërën e saj, ka dy të vërteta të mëdha: ose nuk ka të ngjashme, ose nuk ekzistojnë fare. E thënë më shkoqur, një operatore me kamerë në krahë në ditët e sotme, zor se e rastisim, ndërsa s’mund të themi këtë për fotografinë. Mirëpo, shkalla e emancipimit të Sonja Mamaqit, të parës operatore femër në historinë e kinematografisë shqiptare, ka qenë kaherët për t’u vlerësuar. Sepse ajo realisht kish thyer tabutë e mentalitetit të atyre viteve qysh ditën e parë që mori kamerën në sup. Aty gjente prehjen shpirtërore, në një kohë kur jeta e vështirë familjare, me burgosje, internime e persekutime gjithëfarësojesh ia përmbysi të gjitha planet e thurura për një karrierë të gjatë si operatore profesioniste. “Sot nuk kemi një operatore femër, një drejtore fotografie femër, e kjo tregon se sa e lartë ka qenë shkalla e emancipimit të Sonjës për ato vite, por edhe e disa kineasteve të tjera që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për filmin shqiptar. Me dhimbje them që kontributi juaj ka qenë shumë i madh, por jeta juaj ka qenë e ndarë për fat të keq në dysh…Një fillim i mbarë në Kinostudio, por diktatura dhe sistemi ishte i tillë që ta la ëndrrën përgjysmë”, u shpreh në fjalët e saj përshëndetëse drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti. Ndërsa vetë Sonja e pati të zorshme të gjente fjalët e duhura të mirënjohjes. Dukej qartazi se ishte ngazëllimi, por edhe dhembja që e trazonin, sepse në fakt Sonja nuk e kish të lehtë rrëfimin. E dalë nga një ngjarje e trishtë e muajve të fundit, frymëmarrja e saj në ato pak fjalë falënderuese nuk ishte çliruese. “Në këto momente të vështira të jetës sime, iu shpreh falënderimet për mirënjohjen që i bëtë punës sime ndër vite. Ka qenë një detyrë e vështirë ajo imja, si operatore, si femër, duke qenë se ishte profil i dominuar nga meshkujt, por megjithatë mua sërish kjo punë më ka emocionuar. Jam përmbushur”, tha Mamaqi. Ndërsa, një nga njohësit e parë të stilit të punës së operatores së guximshme, ka qenë pikërisht ish-drejtori i AQSHF-së, Abaz Hoxha. Nuk nguroi që në çdo fjalë tijën të rrokte fort ndryshimin dhe emancipimin që solli përfshirja e Sonjës përkrah burrave në rolin e saj si operatore. “Shkonte në çdo cep të Shqipërisë për të xhiruar, madje më kujtohen vitet kur për herë të parë në kryeqytet doli një vajzë me motoçikletë. Ishte ngjarje e jashtëzakonshme, e kjo vajzë ishte Sonja. Ajo vazhdoi me natyrën e saj, mori kamerën ne krahë. Edhe pse dëgjonte fyerjet, ofendimet e një mjedisi injorant të asaj kohe, sërish nuk ndalej për të xhiruar gjëra interesante, në dokumentare, filma etj., kjo bëri që Sonja të kthehej në një model. Ende sot nuk kemi vajza operatore, e kjo nuk është pak”, cilësoi Hoxha.
Nga drama njerëzore te profesioni Sonja me drejtoreshën e AQSHF-së Elvira Diamanti, gjatë evenimentit të organizuar për nder të saj, me rastin e 66-vjetorit të lindjes Jetëshkrimi i saj profesional, me gjithë risitë që solli si operatore femër, është i “cunguar”…Jo për faj të sajin, sa të kohës në të cilën jetoi e punoi. Sepse suksesi i Sonjës operatore do të ndërpritej shpejt, me dënimin e të atit, Dashnor Mamaqi, me gjithë vendosmërinë e saj për të mos iu ndarë kamerës, edhe në internim. Edhe pse vite më vonë, në fillimet e demokracisë, ajo u rikthye në Kinostudio, tanimë në spektrin e filmave të animuar, me gjasë që Sonja nuk e gjente dot atë kënaqësinë e dikurshme. “Të punoje nën atë diktaturë, nuk ishte gjë e lehtë, jo vetëm për rregullat, sistemin, por edhe kushtet, vështirësitë. Me dënimin e tim eti, gjithçka ndryshoi për keq, por sërish nuk i ndahesha dot pasionit të vjetër, kamerës. Janë qindra filma me metrazh të gjatë, shumë dokumentarë dhe me rikthimin tim në vitet ’90, gati 18 filma të animuar që mbajnë firmën time si operatore. Një punë e shpërndarë në vite, dhe tanimë kur kujtohet në celuloidin e kinemasë mes kujtimesh dhe miqsh, është një emocion i rrallë”, përfundon ajo.
Jetëshkrimi i Sonja Mamaqit ë vitin 1967 filloi punë në Kinostudion “Shqipëria e Re” si ndihmësoperatore, nën patronazhin e operatorit të mirënjohur Hamdi Ferhati. Pas mbarimit të një kursi 2-vjeçar në periudhën 1967-1969, merr titullin “asistente operatore” dhe punoi me filmin “Përse bie kjo daulle” të Piro Milkanit. Më vonë, Sonja merr titullin “operatore”. Në vitet ’70 punoi në mënyrë të pavarur në filmat kronikalë dhe ata dokumentarë. Gjatë periudhës 1970-1974 xhiroi rreth 126 kronika dhe dokumentarë shqiptarë, prodhime të Kinostudios. Në dhjetor të vitit 1974 i ndërpritet veprimtaria artistike dhe largohet në Tepelenë për motive politike. Pas 16 vjetësh, në mars të vitit 1991, rikthehet në Kinostudio, tashmë “Albafilm Studio” dhe fillon të punojë si përgjegjëse në repartin e fotografisë deri në vitin 1993. Më pas, kalon operatore në filmin e animuar ku punoi me 18 filma vizatimorë shqiptarë. Disa nga filmat vizatimorë: “Ringjallje”, “3 në 1”, “Ekuinoks”, “Kafeneja”, “Sizifianët”, “Rimodelim”, “Ndodh edhe kështu” etj.