Sondazhi i Kremlinit: Shumica e rusëve presin që lufta në Ukrainë të përfundojë në vitin 2026!

Dec 24, 2025 | 20:53

Shumica e rusëve, 55% e tyre, presin që lufta në Ukrainë të përfundojë në vitin 2026, sipas rezultateve të një sondazhi të kryer nga Qendra për Studimin e Opinionit Publik (VTsIOM), e lidhur me qeverinë.

lufta rusi ukraine

Kjo është një shenjë se Kremlini mund të jetë duke testuar reagimin e publikut, ndaj një marrëveshjeje të mundshme paqeje, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit intensifikohen.

Gjatë prezantimit të rezultateve të sondazhit, Zëvendësdrejtori i VTsIOM, Mikhail Mamonov, tha se 70% e 1,600 të anketuarve besojnë se viti 2026 do të jetë një vit më i “suksesshëm” për Rusinë sesa viti 2025, ndërsa 55% besojnë se shpresa për një vit më të mirë lidhet me një përfundim të mundshëm të luftës në Ukrainë, të cilën Rusia e quan një “operacion ushtarak special”.

“Arsyeja kryesore për optimizëm është përfundimi i mundshëm i operacionit ushtarak special dhe arritja e qëllimeve të deklaruara, në përputhje me interesat kombëtare të përshkruara nga presidenti”, tha Mamonov gjatë prezantimit të rezultateve të sondazhit.

Në sondazhet e mëparshme, të paraqitura në fund të vitit, VTsIOM theksoi bashkimin e shoqërisë ruse rreth Presidentit Vladimir Putin dhe qëllimeve të tij ushtarake në Ukrainë, por nuk kishte paraqitur të dhëna mbi përqindjen e rusëve që presin që lufta të përfundojë.

Vështirë të vlerësohet shkalla e vërtetë e lodhjes publike nga lufta

Lufta në Ukrainë, e cila filloi në shkurt të vitit 2022, po i afrohet vitit të saj të pestë, por niveli i vërtetë i lodhjes në opinionin publik rus që ka shkaktuar është i vështirë të kapet për shkak të kontrollit të rreptë shtetëror të lirisë së shprehjes.

Mamonovi e sheh ofensivën e vazhdueshme të ushtrisë ruse në Ukrainë, ngurrimin e SHBA-së për të financuar Ukrainën dhe pamundësinë e Bashkimit Evropian për të zëvendësuar plotësisht Shtetet e Bashkuara ekonomikisht dhe ushtarakisht si faktorët kryesorë që qëndrojnë pas perspektivave për një marrëveshje përfundimtare paqeje.

Pas përfundimit të armiqësive ushtarake, shtoi ai, riintegrimi i veteranëve të “operacionit special ushtarak” në shoqëri dhe rindërtimi i rajoneve të Ukrainës të kontrolluara nga Rusia, si dhe i zonave kufitare ruse, konsiderohen prioritetet kryesore.

Rreth dy të tretat e rusëve mbështesin bisedimet e paqes, përqindja më e lartë që nga fillimi i luftës, sipas kompanisë së pavarur të sondazheve Levada, e cila është etiketuar si “agjente e huaj” sipas ligjit rus gjatë konfliktit.

© Panorama.al

Te lidhura