
Socialistët votojnë për Partinë Demokratike në Këshillin e Qarkut Durrës. Edhe pse koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka siguruar 32 mandate në Këshillin prej 46 anëtarësh, Eglantina Bekteshi ka sfiduar pa asnjë lloj vështirësie kandidatin e Aleancës për të Ardhmen të kryesuar nga Partia Socialiste. Të majtët janë ndier inferiorë në Këshillin e Qarkut, ndaj edhe kanë sakrifikuar aleatin e tyre të partisë së Nard Ndokës. Të majtët në Këshillin e Qarkut kanë 16 kartonë, ndërkohë që kanë propozuar Rezart Mukën, i cili përfaqëson Partinë Demokristiane. Muka ka qenë i bindur se nuk mund ta fitonte mandatin e Këshillit të Qarkut, por është zhgënjyer teksa ka konstatuar se dy vota të PS kanë kaluar në favor të kandidatit demokrat. Në bazë të hamendjeve që kanë pasuar në çastet e përfundimit të votimit të fshehtë, është thënë se për kandidaten e PD-së, Eglantina Bekteshi, kanë votuar edhe dy anëtarë nga blloku i majtë, aleatë të PS-së. Socialistët, pasi kanë mësuar këtë fakt, janë tërhequr për të kërkuar shpjegime. Burime të sigurta thonë se debatet janë ashpërsuar pas akuzave të ndërsjella brenda koalicionit nën siglën “Aleanca për të ardhmen”. Këshilli i Qarkut të Durrësit ka gjithsej 46 anëtarë, ndërkohë që Aleanca për Qytetarin ka mundur të fitojë 30 mandate, duke qenë kështu edhe subjekti fitues. PD-ja dhe aleatët e saj kanë mundur të sigurojnë maxhorancën, ndërsa socialistët, së bashku me aleatët e tyre të vegjël, e kanë pasur të pamundur të ndeshen me bllokun tjetër politik. Bekteshi me kandidimin e saj besonte të siguronte 30 mandate, ndërkohë që strukturat e PD-së u kanë marrë socialistëve edhe dy mandate të tjera. Ende nuk flitet për emra konkretë, por mësohet se dyshimet vërtiten rreth dy emrave që i përkasin të mandatuarve në komuna e bashki periferike të qarkut të Durrësit. Socialistët e qendrës së qarkut bregdetar dyshojnë se kjo rrjedhje është pasojë e ndarjes në dy kampe të deputetëve socialistë të qarkut. Demokratët kanë shumë gjasa që të kenë përfituar nga kjo ftohje brenda socialistëve dy mandate të rëndësishme. Eglantina Bekteshi është e para femër që do të drejtojë qarkun e Durrësit në këto 20 vitet e fundit. Edhe pse njihet për sukseset profesionale, Bekteshi është vlerësuar si dorë e fortë në radhët e Forumit të Gruas Demokrate.
Përurimi i sallës së re

Konstituimi i Këshillit të Qarkut në Durrës ka nisur me perurimin e sallës së mbledhjeve, e cila i ka hapur rrugën konstituimit. Shiritin e përurimit e ka prerë kryetarja e re e qarkut, Eglantina Bekteshi, së bashku me ish-kryetarin Seit Kërtusha, ndërsa ishin të pranishëm: zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili është i angazhuar të merret me punët e pushtetit vendor, prefekti Genci Alizoti, kryebashkiaku Dako, kryetari i Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara etj. Kati shtesë do të përdoret për administratën e qarkut, ndërsa është ndërtuar edhe një sallë moderne, e cila do të shërbejë për mbledhje.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
Kukes: Copëtohen grupet e këshilltarëve bashkiakë
KUKES – Copëtohen edhe më tej grupet e këshilltarëve në Këshillin Bashkiak të Kukësit. Mbledhja e djeshme dhe debatet e shumta kanë sjellë dhe formimin e dy grupeve të reja të shkëputura nga Aleanca për Qytetarin dhe Aleanca për të Ardhmen. Debatin e ka ndezur këshilltari i PLL-së, i cili është dhe kryetar i kësaj partie, për renditjen në tavolinën e Këshillit, debat që më pas ka sjellë dhe krijimin e një grupi të djathtë me dy këshilltarët legalistë dhe dy të tjerë të partive të vogla të djathta. Ndonëse me tone më të ulëta, dhe tre këshilltarë të majtë, me në krye përfaqësuesin e PSD-së, e kanë barë fakt të kryer ndarjen duke dorëzuar në Këshill kërkesën zyrtare të formimit të një grupi tjetër të majtësh. Më parë, grupi i këshilltarëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” kishte 14 këshilltarë, ndërsa Aleanca për të Ardhmen 8 këshilltarë, ndërsa tre janë të pavarur.
Fier: eqaj:Mbledhja maratonë e qarkut, zvarritje e kotë
FIER – Një ditë pas mbledhjes maratonë për zgjedhjen e kreut të këshillit të qarkut të Fierit, kryebashkiaku Baftjar Zeqaj e ka cilësuar si të pamotivuar zgjatjen e saj. “Ishte një zvarritje pa asnjë motivacion. Nuk është se këta këshilltarë na paskan një platformë të bazuar edhe në ligje apo ka një program që na bën të na ndalet fryma. Por këta nuk paraqesin asgjë dhe vijnë aty se u mbushet mendja të rrëzojnë njërin apo tjetrin. Qyteti dhe qarku presin investime, qytetari dhe jo anarki, ashtu sikurse krijojnë këta përditë. Dje gjithçka u zhvillua në favor të zhvillimit të qarkut dhe me demokraci të plotë. Nuk pati asnjë rast ku duhej sjellë vonesa, por ata bënin pushime të gjata derisa na zuri mbrëmja. Megjithatë, ajo ditë iku dhe ne sot kemi në krye të qarkut një personalitet dhe njeri të punës”, u shpreh Zeqaj. m.r











